Kim Mehmeti: Kryeministër i Kosovës proamerikane edhe zyrtarisht duhet të jetë një amerikan?!

323
Sigal

Nga Kim Mehmeti

Edhe sikur e tëra të ishte siç thotë ‘kryeplaku’ me bastun i LDK-së, përndryshe i ardhur nga e djeshmja jugosllave. megjithatë do duhet të jesh monstër politike që të luftosh për pushet, e ta lësh vendin e popullin tënd pa qeveri, në kohë pandemie!

Edhe sikur të ishte mbret të cilit me kushtetutë i lejohet ta caktojë pasardhësin e vet, Presidenti i sotëm i Kosovës nuk do sillej ndaj popullit e vendit të vet si gjarpër helmues të cilit dikush ia ka shkelë bishtin!

Dhe nëse ‘kryeplaku’ i LDK-së dhe Presidenti i Kosovës do kishin qenë proamerikanë aq sa thonë dhe, nëse do kishin sadopak konsiderata ndaj popullit të vet, ata Kosovës do ia propozonin për kryeministër një amerikan, si për shembull, ambasadorin që lëvdohet se ka mbështetjen e 70 për qind të shqiptarëve të Kosovës dhe i cili, siç duket, vendosë për fatinë e saj dhe asaj ia përcakton qeveritë dhe burrështetasit.

Sidoqoftë duhet thënë e vërteta se fitorja e VV nuk kishte të bëjë vetëm me këtë parti dhe kryetarin e saj, por ajo kishte rëndësi të veçantë për mbarë shqiptarinë, sepse shprehte frymën dhe ringjalljen e shpresës rinore se ky popull do mundë ta pastrojë trupin e vet etnik, nga gjaku i qelbur politikë!

Por me rënien e qeverisë së VV u pa qartë se ‘hajdutokratët’ shqiptarë janë të bashkuar dhe nuk dorëzohen lehtë, se jo vetëm Kosova, por e mbarë shqiptaria, do e ketë të vështirë të çlirohet nga zhvatësit që popullit ia shkelën dhe ia morën çdo gjë të vlefshme që ai kishte!

Sidoqoftë shqiptarët kurrë nuk duhet të harrojnë se lirinë e Kosovës ua kanë borxh SHBA-ve dhe vendeve tjera të NATO’s.

Por kjo fare nuk do të thotë se ata nuk duhet t’i kundërshtojnë burrështetasit e vet që veprojnë njësoj si shumë paraardhës të tyre nga e kaluara jonë: që ardhjen, apo mbetjen në pushtet, ta paguajnë me dhënien e tokave tona etnike popujve fqinjë!