Atentati në Krujë ndaj Gentian Bejtjas/ Lirohen vëllezërit Bami dhe Marklen Haka, çfarë deklaruan në dëshminë e tyre

39
Sigal

Dy vëllezërit, Durim e Valter Bami dhe Marklen Haka janë liruar nga policia pas shoqërimit që iu bënë ditën e djeshme për t’u marrë në pyetje si persona që mund të kishin dijeni për atentatin ndaj Gentian Bejtjas, ku mbetën të vrarë kunati i tij Ramazan Sino dhe u plagosën dy fëmijët e mitur të objektivit.

Pasi dhanë deklarimet për disa orë me radhë dhe veçmas njëri-tjetrit ata janë lënë të lirë nga Policia e Krujës.

Deklarimet e tyre nuk e kanë ndihmuar grupin hetimor për zbardhjen e ngjarjes, ata kanë mohuar të kenë dijeni për atentatin, duke përjashtuar mundësinë se kanë konflikte me Gentian Bejtjën.

Pritet që ky i fundit të merret në pyetje nga policia, nëse dëshmia e tij do të ndihmojë në hetime.

Tri armët kallashnikovë bashkë me gëzhojat e gjetura në vendngjarje janë dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore dhe pritet përgjigje nëse janë përdorur të treja për të qëlluar, si dhe nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje tjetër kriminale.