Atentati ndaj prokurorit/ Si u zbulua Ariol Halilaj nga telefoni i nipit të deputetit

898
Sigal

Ariol Halilaj, lindur në Skrapar dhe banues në Durrës është 29 vjeçari i arrestuar sot nga Policia e Shtetit. Halilaj është i akuzuar si një nga bashkëpunëtorët kryesorë të autorëve të atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoj disa muaj më parë.

Policia arriti tek Halilaj pas verifikimeve që kanë kryer në telefonin e Redjen Rrajës, i arrestuar tashmë si njëri prej autorëve kryesorë të dyshuar të ngjarjes. Pasi kanë verifikuar kontaktet në telefonin e Rrajës, nipit të deputetit Rrahman Rraja, kanë arritur tek Ariol Halilaj.

 

Policia njoftoi se nga tërësia e veprimeve hetimore rezulton se ky shtetas është bashkëpunëtori kryesor i autorëve të ngjarjes, pasi pas braktisjes së mjetit nga autorët, ky shtetas ka larguar me mjetin e tij autorët e krimit nga vendi ku braktisën mjetin me të cilin kryen krimin.

Për këtë shtetas, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit e kryer në rrethana cilësuese”.