Partia Demokratike ka provat/ Bardhi: Një deputeti “oligark” duhet t’i hiqet mandati

378
Sigal

Partia Demokratike pritet t’i rikthehet denoncimeve për heqjen e mandateve të deputetëve të mazhorancës, duke u fokusuar kësaj here jo sa i përket zbatimit të ligjit të dekriminalizimit, por përftimit të tenderave të ndryshëm.

Këtë paralajmërim e ka dhënë sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, i cili gjatë një interviste televizive ka zbuluar se partia më e madhe e opozitës është gati për denoncimin e radhës.

Bardhi nuk ka dhënë emër konkret për moment, porse ka shtuar se PD-ja po përgatit dokumentacionin e duhur dhe se kanë siguruar disa prova ndaj deputetit që i e kanë “pagëzuar” me emrin oligark.

Ai theksoi se shkelja e ligjit është bërë në Shqipëri, dhe ndryshe nga rastet e denoncimeve ndaj kryebashkiakëve socialistë, këtë herë nuk do të pritet letërporosi nga jashtë për të vërtetuar akuzat e ngritura nga Partia Demokratike.

“Kemi në shqyrtim një çështje që ka të bëjë me mandatin e një deputetit të PS. Nuk mund të jap më shumë të dhëna sepse s’jemi në shqyrtim. Po nga ato që kemi parë deri tani një deputet duhet të kishte humbur mandatin me kohë. Është një nga oligarkët që ka Edi Rama në parlament. Nuk dua të përgjithësoj, sepse ka deputetë të mirë, ka kriminelë dhe ka edhe oligarkë që përdoren për të sjellë mbrapsht paratë  e keqqeverisjes Kemi disa prova por jemi duke bërë edhe mbledhje të disa të dhënave të tjera. Shkelja është bërë në Shqipëri.  Kam disa prova, jam duke pritur disa prova të tjera për të konkluduar një qëndrim zyrtar që do ta bëjmë publik shumë shpejt”, tha Bardhi.