Ashpërsohen rregullat në FA, ndryshimet në ligjin për disiplinën, kur penalizohen ushtarakët

58

Ushtarakët e Forcave të Armatosura do të penalizohen rëndë edhe nëse shkrepin armën pa shkaktuar lëndime apo qoftë edhe dëme materiale. Ndryshimet në ligjin për disiplinën, ashpërsojnë rregullat në FA, të cilat parashikojnë dënime të ashpra edhe për ata që keqpërdorin uniformën, akuzohen për ngacmime seksuale apo organizojnë lojëra bixhozi.

Ashpërsohen rregullat brenda Forcave të Armatosura. projektligji i ndryshuar, i hedhur për konsultim shton si shkelje të rënda të disiplinës shkrepjen nga pakujdesia të armës, qoftë edhe kur nuk lëndohet njeri apo kur nuk ka as dëme materiale.

Po ashtu një shkelje tjetër që ndëshkohet do të jetë edhe mosmirëmbajtja ose dëmtimi i armës, municionit, teknikës apo pajisjeve ushtarake të Forcave të Armatosura nga pakujdesia, që shkakton humbjen e përkohshme të gatishmërisë teknike të tyre.

Nëse një ushtarak nuk raporton se e ka përdorur armën, atëherë kjo do të konsiderohet shkelje e rëndë me ndryshimet e propozuara në ligj.

Masa të rënda do të ketë edhe nëse një ushtarak i FA përdor pajisje elektronike për regjistrimin apo filmimin e bisedës me eprorët, vartësit dhe kolegët, për çfarëdolloj arsyeje, pa dijeninë e tyre.

Kryerja e shkeljes së tretë të rëndë disiplinore, brenda një periudhe njëvjeçare, konsiderohet shkelje shumë e rëndë disiplinore dhe masa e dhënë për këtë shkelje do të jetë në përputhje me masat për shkeljet shumë të rënda.

Ligji gjithashtu parashikon se pranimi i dhuratave nga vartësit apo persona të tjerë në shërbimin ushtarak me qëllim përfitimin personal përbën një shkelje të lehte disiplinore.

Ushtarakët gjithashtu duhet të tregohen të kujdeshëm edhe për veprimet dhe mosveprimet e kolegëve të tyre, e nëse nuk raportojnë një shkelje të tyren, atëherë do të penalizohen për shkelje të lehtë të disiplinës.

Në ndryshimet që i bëhen ligjit, si shkelje të reja shtohen edhe ngacmimet seksuale, organizimi i lojërave të bixhozit në ambientet ushtarake, ushtrimi i dhunës fizike si dhe refuzimi i zbatimit të urdhrit apo një vendimi të ligjshëm të dhënë nga eprori.

Ushtarakët duhet të kenë kujdes që të mos diskriminojnë dikë për  asnjë arsye, ndërsa do të penalizohen nëse propagandojnë apo marrin pjesë  apo organizojnë tubime politike apo fetare.