Sigal

Dy inspektorë të AKU-së janë arrestuar ditën e sotme nga policia, pas skandalit të publikuar në “Fiks Fare”. Siç njofton policia, Arben Gupi 51 vjeç dhe Medi Çela 49 vjeç, të dy banues në Durrës, kanë rënë në prangat e policisë.

“Në lidhje me një  video të publikuar mbrëmjen e djeshme në një emision investigativ ‘Fiks Fare’ ku dy Inspektorë të AKU-së paraqiten duke marrë ryshfet, janë kryer veprimet procedurale nga ana e Specialistëve të Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, të cilët kanë ndaluar shtetasit:

Arben Gupi 51 vjeç, banues në Durrës, Inspektor pranë Drejtorisë së AKU-së;

Medi Çela 49 vjeç, banues në Durrës, Inspektor pranë Drejtorisë së AKU-së”, njoftoi Policia e Durrësit.

“Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë në ngarkim të shtetasit E.J. 26 vjeç, banues në Durrës, kamarier në subjektin privat që u kontrollua.

 Më datë 18.09.2018 , shtetasit e mësipërm në detyrë Inspektor pranë AKU-së kanë ushtruar kontroll pranë një subjekti privat  dhe nuk kanë mbajtur akt konstatimi ku kamarieri i subjektit që u kontrollua u ka ofruar një sasi parash prej 8.000 lekë të reja, me qëllim që të mos e gjobisnin për mungesë të dokumentacionit higjieno – sanitar.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale ‘Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike’,‘Shpërdorimi i detyrës’ në bashkëpunim dhe ‘Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike’  parashikuar në nenet 259, 248, 25 dhe 244 të Kodit Penal”, shtuan të njëjtat burime.