Arben Pinari:Avantazhet e aplikimit on-line për leje drejtimi dhe afati i vendosjes së patentës me pikë

734
Sigal

INTERVISTA/Flet Arben Pinari, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor

Ngritja e portalit on-line për pajisjen me patentë, i cili u inaugurua para pak ditësh, ka lehtësuar shumë punën e personave që duan të pajisen me leje drejtimi. Me shërbimin e ri e-Patenta, që u është ofruar qytetarëve mund të aplikohet on-line për veprimet e kërkuara, pa qenë nevoja të shkosh në Drejtorinë Rajonale. Por për këtë shërbim është bërë një punë e madhe, po ashtu një pune e madhe është bërë edhe për patentën me pikë. Për këtë është bërë përpunimi i të dhënave të lejeve të drejtimit të arkivuara që para viteve 1990 dhe deri në ditën e sotme. Gjithashtu, janë përpunuar të gjithë regjistrat ekzistues të viteve të shkuara, të mbushur me dorë, dhe është bërë dixhitalizimi i dosjeve, të afro 634 mijë shtetasve të pajisur me leje drejtimi. Pra, lejet e drejtimit janë hedhur që të gjitha on-line dhe çdo gabim në drejtimin e mjetit do të verifikohet direkt. Çdokush do të ketë mundësi të futet në portal për të verifikuar gjendjen e pikëve të patentës, ndërsa njoftimi i drejtuesit për shkeljet do të realizohet me postë elektrike apo në zarf. Në lidhje me këtë portal dhe me aplikimin e patentës me pikë ka folur në një intervistë për “Telegraf”, Arben Pinari, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Transportit Rrugor. Ky portal do t’i jap mundësi të gjithë drejtuesve të mjeteve që të bëjnë aplikime on-line për të pajisur apo rinovuar lejen e drejtimit, në raste kur u ka humbur, vjedhur, apo për të aplikuar nga e para. “Ne kemi arritur që të ndërtojmë regjistrin bazë dhe në përfundim të këtij procesi janë ballafaquar për 634 mijë shtetas, ku çdo shtetas figuron dhe me kategoritë e lejeve të drejtimit. Natyrisht që, gjatë këtij procesi të gjitha të dhënat, pra një punë dhe arkivë prej vitesh e akumuluar në Drejtorinë tonë është marrë dhe përpunuar me të dhënat e Gjendjes Civile që ka çdo shtetas. Nga ky proces ka dal që me përputhjet manuale, pra duke hapur çdo dosje me dorë, janë afro 83 mijë shtetas. Nga ana tjetër kemi dhe probleme të tjera, siç janë mospërputhjet me emrat apo mbiemrat e rreth 16 mijë shtetasve”,-shton më tej zoti Pinari. Shumë shpejt pritet të nis aplikimi në praktikë i patentave me pikë. Tashmë edhe në Shqipëri si në shumë vende të tjera të botës, patentat do të funksionojnë nëpërmjet sistemit të pikëzimit. Pritet vetëm një vendim i Këshillit të Ministrave për t’i hapur rrugën aplikimit të këtij sistemi të ri për drejtuesit shqiptarë.

 -Zoti Pinari, para pak ditësh u hap portali on-line për pajisjen me leje drejtimi, cilat janë avantazhet e këtij shërbimi?

-Po, është e vërtetë që para pak ditësh u inaugurua portali, i cili ofron shërbimin për aplikimin on-line për leje drejtimi. Tani është në përdorim shërbimi vetëm për pajisjen me patentë. Ndërsa përsa i përket shërbimeve të tjera do të vihen në një fazë të mëvonshme. Po ashtu edhe shërbimi për rinovimin e patentës do të vihet në punë pak më vonë, për arsye se kërkon më shumë punë. Ne futëm regjistrimin për herë të parë sepse është edhe autoshkolla ajo që përfiton nga ky shërbim. Dhe me këtë shërbim bëhet edhe më e lehtë puna edhe për autoshkollat. Me këtë shërbim të ri nuk do të kemi më marrje të shenjave të gishtave me formularë apo firmë me formularë, por të gjitha do të bëhen në një zyrë shërbimi.

 -A ka ndonjë afat konkretisht se kur do të vihet në punë shërbimi për rinovimin e lejes së drejtimit?

-Po rinovimi është lënë për në një periudhë të mëvonshme se kërkon më shumë kohë. Po vazhdohet nga puna edhe për modalitetet e tjera të këtij programi. Por pjesë e këtij programi është edhe moduli i penaliteteve,  ku do futet edhe patenta me pikë.

 -Po aplikimi i patentës me pikë, kur do të bëhet a duhet edhe shumë kohë për aplikimin e saj në praktikë?

-Po punohet edhe për pjesën e patentës me pikë, por pritet që të dali vendimi i qeverisë për modalitet dhe pastaj do të bëhet menjëherë projekti. Pa e realizuar të plotë procesin e dixhitalizimit të sistemit ne nuk mund të aplikojmë absolutisht patentën me pikë. Pra janë gjashtë regjistra kombëtarë brenda dhe një nga këto të gjashtë është edhe patenta me pikë. Pra patenta me pikë bën pjesë tek regjistri i penaliteteve dhe ajo është 1/6 e këtij sistemi. Pra, janë gjashtë module të tjera që fillojnë që nga shtetasit e huaj, është regjistri i konsultimit të gjendjes civile, është regjistri i autoshkollave, i instruktorëve të shkollave, i institucionit të teorisë etj.. Dhe nga të gjitha këto module 1/6 është patenta me pikë. Pritet që të dali vendimi i qeverisë, pasi është bërë projektvendimi, relacioni përkatës dhe pritet të dali vendimi i qeverisë për t’u bërë modalitete teknike. Tek modalitet teknike futen, autoritet që do të vendosin gjobën, etj..

 – Sa e vështirë ka qenë kjo punë për institucionin tuaj sa i takon hedhjes së të dhënave në regjistrin bazë?

 -Duhet thënë se ka qenë një proces i vështirë, pasi kemi punuar dhe me regjistra të viteve të shkuara, që në kohën e monizmit. Procesi ka qenë i lehtë pasi ka filluar lëshimi i patentës dixhitale, pra të formatit të prokatit dhe jo të patentës me letër që jepej kohë më parë. Formati i prokatit ka qenë një procesi i informatizuar, pasi ka nisur nga viti 2005 e deri më tani. Duhet thënë se më e vështirë ka qenë periudha para vitit 2005. Të gjitha këto të dhëna janë konsultuar me Regjistrin e Gjendjes Civile. Natyrisht që, nevojitet dhe një punë e dytë që ky regjistër të pastrohet nga shtetasit që kanë ndërruar jetë, kanë lëshuar shtetësinë shqiptare dhe raste të tjera. Duhet thënë se jemi në fazën ku po pasurojmë dhe Regjistrim Kombëtar të mjeteve, të cilin po e pasurojmë me të dhëna dhe standarde të reja.

  A është përcaktuar një afat konkret i vënies në zbatim të këtij projekti dixhital?

-Duhet të kemi parasysh diçka sa i takon këtij projekti të madh. Pjesë e këtij projekti janë dy kompani të mëdha, për portalin EDL është përgjegjëse një  kompani e huaj dhe për qendërzimin dhe përshtatjen e këtyre të dhënave është një kompani shqiptare. Pavarësisht që mes këtyre kompanive ka pasur bashkëpunim të ngushtë, funksionimi është një çështje tjetër. Si fillim do bëhen provat me këtë projekt, por do të bëhen dhe specializimi i personelit të dyanshëm. Pra, jo vetëm që do të marrin trajnime, por ato të fillojnë ta përdorin çdo ditë, pasi nga trajnimi i tyre varet dhe suksesi i këtij projekti. Sa më e shpejtë të jetë kjo aq me e suksesshme do jetë dhe shërbimi që do t’i ofrojmë qytetarit. Ne gjatë kësaj kohe kemi bërë dhe pjesën e reformimit të të gjithë shërbimit, të cilat do shoqërohen normalisht dhe me krijimin e kushteve që kemi në drejtoritë tona.

 -Nga hapja e portalit për qytetarët deri te aplikimi i patentës me pikë sa e gjatë do të jetë koha?

-Pas hapjes së portalit dhe pasi të verifikohet që çdo gjë shkon në rregull, menjëherë do të fillojë puna për ngritjen e programeve informatike për aplikimin e patentës me pikë. Te portali i patentës me pikë do të jenë të përfshira të gjitha procedurat. Por më saktësisht shkeljet dhe masat që do të merren gjatë aplikimit të patentës me pikë janë të parashikuara te ndryshimet ligjore që ju bënë Kodit Rrugor. Njëkohësisht, po bëhet ndryshimi edhe ndërhyrja te vendimi i Këshillit të Ministrave, sepse kërkohen edhe aktet nënligjore. Pas daljes së akteve nënligjore janë të koordinuara veprimet  dhe ndërkohë që po bëhet projekt legjislacioni bazë që do të zbatohet në aplikimin e patentës më pikë. Ne po ecim paralelisht me mbylljen e të gjitha fazave që duhen për këtë projekt. Pra do të kemi jo vetëm ngritjen e regjistrit on-linë të shtetasve që janë pajis me leje drejtimi që nuk e kemi pasur deri më sot…

 – A janë përcaktuar aktet nënligjore sa i takon shkeljeve të rregullave të qarkullimit, mbi procedurat sesi do të hiqen pikët në bazë të këtyre gabimeve?   

-Për realizimin e këtij projekti është bërë përpunimi i të dhënave të lejeve të drejtimit të arkivuara që para viteve 1990 dhe deri në ditën e sotme dhe është bërë dixhitalizimi i dosjeve të afro 634 mijë shtetasve të pajisur me leje drejtimi, bëri të ditur Pinari. Sipas tij, nuk do të ketë kosto shtesë për qytetarët. Aplikimi i patentave me pikë është parashikuar që të realizohet me lejet e qarkullimit aktual, pra qytetarët nuk do të kenë nevojë të paguajnë për leje të tjera qarkullimi, por do të vijojnë me lejen aktuale, ndërsa pikëzimi do realizohet automatikisht në drejtorinë tashmë të dixhitalizuar të patentave.

 -Është folur edhe për ndryshime në strukturën e testimit të teorisë për pajisje të shtetasve me leje drejtimi?

-Është diskutuar me Shoqatën e Autoshkollave sa i takon rishikimit të testeve për kategoritë e lejeve të drejtimit A dhe B, pra për motorin dhe veturën. Nga ana e të dy palëve është kërkuar që këto pyetje dhe ndërtimi i këtij data basi të kalojë nëpërmjet duarve të specialistëve të gjuhësisë. Kjo pasi ka të bëjë shumë mënyra e ndërtimit të pyetjeve ose përdorimi i fjalëve shqip. Njëkohësisht ne kemi vendosur që me të përfunduar procesi i informatizimit, do të kemi një databazë unike për testimin e kursantëve. Sot nuk është një program unik nëpër autoshkollat tona, por vetëm në drejtorinë tonë. Shumë autoshkolla kanë databazë më vete, ndërsa ne do t’u ofrojmë atyre të njëjtën databazë që kemi, që kursanti ta ketë më të thjesht testin e teorisë.

 -A do të ketë reduktim të numrit të pyetjeve?

-Në këtë rast do të bëjmë një program unik, i cili do të sjell më produktivitet për kursantët. Më pas kemi një proces të dytë, i cili do jetë mbi gjithë këto kualifikimet e tjera për mjetet e veçanta të punës. Ndryshimet e tjera do të vijnë më pas, si pasojë e aplikimit të standardeve. Ne kemi bërë thjeshtimin e shumë pyetjeve që kemi në përdorim aktualisht, sidomos gabimet gjuhësore dhe ortografike.

Kodi i ri Rrugor, si do zbriten pikët në raste shkeljesh

Patenta do të ketë 20 pikë dhe në varësi të gabimeve në drejtimin e mjetit të transportit do të bëhen zbritje. Në nenin 312 të rregullores apo në nenin 120 të Kodit, shtohet një pikë, sipas së cilës “leja e drejtimit do të jetë me pikë”. Bashkëngjitur me projektvendimin janë vendosur edhe pikët që zbriten, në rreth 200 gabimet e mundshme që mund të kryejë drejtuesi i mjetit, sipas vlerësimeve të realizuara nga efektivët e qarkullimit rrugor.

Pikët e humbura mund të rifitohen, nëse plotësohen disa kushte, si pagesa e gjobave. Në raste të ndryshme, as gjoba nuk do t’i bëjë punë drejtuesit të mjetit në rast se gabimet i shkaktojnë humbje të menjëhershme të 15 pikëve (ose në një manovër apo veprim të ketë kryer 3 gabime me nga 5 pikë). Programet dhe kohëzgjatja e kurseve të trajnimit për të rimarrë pikët e humbura do të përcaktohen nga Ministria e Transporteve me akte të veçanta që rregullojnë veprimtarinë e autoshkollave dhe programet e testimit. Kontrolli i gjendjes reale të pikëve nga çdo drejtues mjeti rrugor do të bëhet në faqen e internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, duke iu referuar numrit të lejes së drejtimit.

Pikët maksimale që hiqen për 1 gabim

Me sistemin e ri në momentin që një qytetar do të ndalohet nga autoritetet përkatëse për shkelje të kundravajtjes rrugore, atëherë këtij qytetari do t’i komunikohet, që veç gjobës do t’i hiqen një sasi e caktuar pikësh nga patenta dhe në rast ripërsëritje heqja e pikëve do të jetë e dyfishuar, sipas sanksioneve që do vendosen nga VKM-ja. Të gjithë qytetarët do të kenë një sasi të caktuar pikësh, për shembull 50 pikë. Në rast se (X )qytetar ndalohet për kundravajtje rrugore, ai do të marrë ndëshkimin ligjor sipas ligjit në fuqi, një gjobë me (Y) vlerë dhe një sasi pikësh, për shembull 10 pikë më pak, për të cilat do informohet nga personi i autorizuar me ligj (polici rrugor). Menjëherë në këtë moment në regjistrat e dixhitalizuar, pikërisht në hapësirën e rezervuar për këtë pjesë, këtij shtetasi do i ulen 10 pikët, nga shuma maksimale e pikëve që do ketë çdo qytetar, pra nga 50 pikë do të ketë 40 pikë. Qytetari X në rast se nuk do të realizojë të njëjtën kundravajtje rrugore për një kohë, për shembull një vit atëherë pikët e hequra nga rasti i parë do ti rishtohen sërish, duke u rikthyer në 50 pikë, por në rast se qytetari X e realizon të njëjtën shkelje atëherë penaliteti do të jetë edhe më i lartë. Së fundmi kur qytetari X konsumon të gjitha pikët, atëherë do ti hiqet leja e qarkullimit për një kohë të caktuar, të vendosur nga organet kompetente.