Apartamentet e vjetër, ulje 30 % të taksës së pronës

609
Banesat e ndërtuara para vitit 1993 do të paguajnë vetëm 70 % të vlerës, vetëm në rastin e shitjes së parë
Qytetarët, të cilët kanë në pronësi shtëpi të ndërtuara para vitit 1993, do të paguajnë 30% më pak taksë banese, sipas metodës së re të taksimit të ndërtesave që nisi zbatimin nga data 1 prill. Qëllimi i diferencimit të taksës së pronës për ndërtesat e para vitit 1993 bëhet për shkak të marrjes në konsideratë të kostos së tyre të amortizimit, pavarësisht zonës ku ato janë ngritur. “Për ndërtesat e privatizuara me ligjin nr. 7652, datë 23.12.1992, “Për privatizimin e banesave shtetërore”, të ndryshuar, çmimi për metër katror është 70 për qind e çmimit sipas zonave të tabelës, vetëm në rastin e shitjes së parë”, theksohet në vendimin e qeverisë. Në këtë mënyrë vetëm në transaksionin (shit-blerje) e parë, shtëpitë e ndërtuara gjatë sistemit komunist dhe të privatizuara do të përfitojnë këtë lehtësi. Më pas, ato do të paguajnë taksën e pronës në bazë të vlerës së tregut që do të marrin. Vendimi i miratuar nga qeveria i jep mundësinë bashkive të reduktojnë çmimin vlerësues për zonat periferike të pasaktësuara në metodologji me një çmim referues. Sipas vendimit, këshillat bashkiakë mund të krijojnë nën-ndarje zonale sipas nevojave të tyre si dhe mund të reduktojnë çmimin referues deri në 30% të zonës më të afërt, ndërsa për bashkinë e Tiranës deri në 35%. Duke përdorur edhe reduktimin e shkallës së taksës deri në 30% përtej, impakti i taksës për familjet mund të jetë minimal, në varësi të politikës sociale që do të ndjekë çdo bashki apo nevojave për të lehtësuar komunitete të ndryshme. Metoda e re e taksimit të banesave parashikon pagesën e një takse sa 0.05% e vlerës së banesës për familjarët dhe 0.20% për ato ndërtesa që përdoren për biznes.
Verifikimi periodik në terren
Njësia e vetëqeverisjes vendore gëzon të drejtën të bëjë çdo vit verifikime në terren deri në 20 % të territorit të njësisë së vetëqeverisjes vendore. Në këtë rast, procesi i verifikimit shërben për verifikimin e ndryshimeve të mundshme në ndërtesat/njësitë pronësore ekzistuese, të cilat ndikojnë në ndryshimin e vlerës së pasurisë së paluajtshme dhe, për rrjedhojë, edhe të shumës së taksës për t’u paguar. Të tilla ndryshime lidhen me zgjerim të sipërfaqes së ndërtesës/njësisë pronësore, shtesat në kate, përmirësime strukturore, tjetërsim të pronësisë, ndryshim të përdorimit dhe që kërkon ndryshimin e shkallës së taksës, përjashtimin nga taksa apo të humbjes të së drejtës së përjashtimit nga taksa etj. Gjithashtu, ky proces shërben dhe për identifikimin e ndërtesave/njësive pronësore të reja, të pa hedhura në sistem. Në rast të verifikimit të ndërtesave/njësive pronësore që nuk rezultojnë në sistemin qendror të të dhënave, njësia e vetëqeverisjes vendore duhet të realizojë regjistrimin e plotë të tyre, duke plotësuar të gjitha elementet e informacionit të kërkuar nga sistemi. Në të gjitha rastet e mësipërme, njësia e vetëqeverisjes vendore duhet të bëjë me dije subjektin taksapagues për detyrimin e lindur.
Sigal