Analfabetët e babëzitur që komandojnë “kioskë” Sindikatën e (Pa)varur të Arsimit “Kaptelli”

564
Sigal

Pas denoncimit në “Telegraf”një përgjigje nga ata që zhvatin me dhunë pagat
e mësuesve në emër të “kuotës sindikale”


Gazeta Telegraf/


Përparim HALILI


Gazeta “Telegraf” publikoi dy ditë më parë, skandalin e rëndë
financiar me akt e përmbajtje të plotë “krim ekonomik financiar”, që individë të
vetëquajtur “sindikatë e pavarur arsimi”, vazhdojnë të bëjnë prej vitesh disa
me milionat e lekëve që përlajnë çdo muaj, prej pagave të mësuesve nën termin
“Kuota sindikale”, në pazar dhe me urdhër të Ministrisë së Arsimit. Të “çetëzuar”
në një të ashtuquajtur “Sindikata e Pavarur e Arsimit Shqiptar” me në krye
“NOKEN”, siç e thërrasin “Sillot” të parin tyre kryetar, nëpërmjet një skenari
kongresesh fiktive, banale, komike e anti-Statutore (të përjetshëm), ata u janë
vërsulur pagave të mësuesve si “brejtësit”, duke i zhvatur dhunshëm me 100 lekë
kuotë financiare sindikale çdo muaj. Këtë zhvatje disavjeçare, ata e realizojnë
nëpërmjet urdhrit antiligjor, të dhënë prej Ministrisë së Arsimit e të zbatuar verbërisht
prej drejtorive rajonale të arsimit, prej zyrave arsimore të rretheve dhe prej drejtorive
të shkollave, të cilat pa asnjë kundërshtim hartojnë listat emërore të mësuesve
që zhvaten në paga, nëpërmjet ndalimit të kuotës sindikale në bankë. Janë dy “çeta”
të tilla “kaçakësh sindikalë”. Njëra është futur nën komandën 25-vjeçare të një
personi, i cili është lindur qysh kur Ahmet Zogu u vetë-shpall “Mbret”, ndërsa
tjetra komandohet prej një individi që librin e ka përdorur për të ndezur
zjarrin në sobën e shkollës së fshatit! Prej vitesh, të dy së bashku vjelin nga
pagat e mësuesve një vlerë financiare të quajtur “kuotë sindikale”. Mund të mos
e dinë bashkëfshatarët e harruar prej Nokes dhe të afërmit dalë nga kujtesa e
stërgjysh Xhaf Dobrushës, por mësuesit sindikalistë e dinë shumë mirë se çfarë
kuptimi ka termi “kuotë sindikale”, se si dhe nga cilat struktura kolegjiale
sindikale përcaktohet dhe miratohet vlera e saj mujore, se si mblidhet, si
arkëtohet, se cilët duhet ta administrojnë dhe me çfarë vendimi sindikal, se për
çfarë rastesh sindikale konsumohet kjo vlerë financiare dhe të ardhurat e tjera!



Ja reagimi i analfabetëve të Sindikatës së Arsimit
“Kaptelli”, pa asnjë ndryshim


Pas denoncimit në “Telegraf”, sindikata e arsimit
“Kaptelli”, dega e Tiranës, ka reaguar në profilin e saj në “FB”. Pa bërë
komente, po e publikojmë të plotë këtë reagim të SPA-Tiranë ndaj denoncimit të “Telegraf”,
ku tregohet qartazi përçartja mendore, niveli prej analfabetësh gjuhësorë e
kuptimorë i drejtuesve të kësaj sindikate, që për turp të tyre, xhelozen e kapardisen
si drejtues të sindikatës së arsimit, duke vërtetuar se cilët e drejtojnë
sindikatën e këtij sektori me 30 mijë mësues, me 12 mijë profesorë dhe me 800
akademikë, ku mësohet shkrim e këndim që në moshën 6 vjeçare! Ja niveli i të
shkruarit të analfabetëve të Sindikatës së
(Pa)varur të Arsimit, pasqyruara në reagimin
e (mjerë)sindikatës që ka përfunduar në duart dhe mendjen e “Profesor NOKES”:

“Telegraf shpik dhe pikerisht para nje skandali me Ligjin e Mbetjeve!Grupin
me te madh te interesit,ate te arsimit po tentojne ta ndotin!! 

Kujt i intereson dobesimi ekonomik i Sindikates se arsimit!!!

Ka dy vite kalendarike qe nuk mbahet me qellim kuota ne qytetin e Tr.Mijera
mesues besojne tek sindikata,por ky fakt nuk e gezon pushtetin!!”

Ja 15 pyetje që do të vërtetojnë se ku
kanë përfunduar milionat e kuotave sindikale të 30 mijë mësuesve dhe disa “çështje”
të tjera

 

Gazeta “Telegraf”, në bashkëveprim me bankat, me
agjencitë turistike, me agjencitë e transportit ndërkombëtar dhe biznese
private, ku janë ngulur “thonjtë e pisët” të këtyre dy “bazhibozukëve të këtyre
dy sindikatave-hije në arsim dhe të sindikatave të tjera “shpk”, do të
publikojë fakte të plota, të investiguara, për t’i treguar mësuesve të zhvatur
e të tradhtuar prej horrave me “kollare” kryesindikalisti, të vërtetën e fatit
të milionave të sindikatave:

 

1.      Sa milionë lekë janë ndalur realisht si
kuota sindikale, nga pagat e mësuesve?

2.      Ku janë depozituar?

3.      Kur janë tërhequr dhe për çfarë objekti
shpenzimesh?

4.      Nga cilët janë tërhequr këto miliona?

5.      Me ç’urdhër janë tërhequr?

6.      Ku janë transferuar e tjetërsuar
milionat e kuotave sindikale dhe të 
ardhurat e tjera?

7.      A ka pasur dhe a ka të ardhura të tjera
financiare të depozituara në llogaritë bankare ilegale me emra të sindikatave
të arsimit “Kaptelli” e “Dobrusha”?

8.      A ka dokumentacion, të miratuar sipas
Statutit nga strukturat e këtyre dy sindikatave, për shpenzimet e bëra?

9.      A duhen zbardhur pasuritë personale të drejtuesve
të këtyre sindikatave?

10.  A ka të ardhura nga shitja apo qiratë e
ish-kampeve dhe objekteve të regjistruara me emra personalë drejtuesish
sindikalë që në kohën e “Xhekës”?

11.  Sa milionë lekë, janë paguar nga dy
agallarët e sindikatave për të paguar avokatë, gjyqtarë dhe sekserë drejtësie,
me qëllim për të mbajtur kolltukët e zhvatura me vota kongresesh false?

12.  Sa familjarë të tyre janë pjesë e
strukturave drejtuese, apo financiare të sindikatave të arsimit?

13.  A kanë bërë pazare ky batakçinjtë e
sindikatave të arsimit me kupolën e ministrisë, për të bërë gjoja sikur mbrojnë
mësuesit e larguar nga puna?

14.  A kanë blerë “mastera” e diploma false,
drejtues të sindikatës së arsimit “Kaptelli” e “Dobrusha” dhe në cilët
universitete brenda e jashtë vendit?

15.  A kanë bërë presione dy drejtuesit e
sindikatës për të punësuar e transferuar në arsim familjarë e pagues të tyre dhe
si e kanë arritur “qëllimin”? 


Sindikatat “Kaptelli” e “Dobrusha” zhgërryhen
e “lëpihen” tek porta e MAS për të zhvatur vende pune dhe kuotat sindikale të
mësuesve, por heshtin për këto probleme

 

1.      Mbi 25% e shkollave në zona kanë nisur mësimin, pa libra

2.      Në gjithë sistemin arsimor parauniversitar, mungojnë 30%
e librave

3.      Në shkallë vendi, 60% e drejtorëve të shkollave janë pa
kualifikimet përkatëse dhe nuk i janë nënshtruar asnjë procesi provimi, siç
detyrohen mësuesit

4.      Afro 10 mijë fëmijë, nuk shkojnë në shkollë, mbasi kanë
ikur emigrantë jashtë Shqipërisë, me prindërit e tyre.

5.      Afro 30 mijë nxënës kanë braktisur shkollën e lypin nëpër
rrugë e pijetore dhe punojnë si skllevër për bukën e gojës ose të blerë e të
shitur prej tutorëve.

6.      Në 41 % të shkollave 9 vjeçare dhe në 30% të shkollave të
mesme nuk është përfunduar struktura e mësuesve.

7.      Sipas të dhënave, 38% e shkollave në fshat dhe 15% e
shkollave në qytete, janë në gjendje të rrënuar si mjedise fizike dhe me
mungesë pajisjesh mësimore.

8.      Afro 12% e nxënësve në shkollat 9 vjeçare dhe 18% e
nxënësve në shkollat e mesme, dje e nisën vitin mësimor pa libra, për shkak të
varfërisë ekstreme ekonomike në familjet e tyre, prej pamundësisë financiare
për të blerë çantat, librat, fletoret dhe pajisjet e tjera.

9.      Në mbi 50% të shkollave në shkallë vendi, ka mbingarkesë
të numrit të nxënësve në klasa, për shkak të numrit të pamjaftueshëm të
klasave, në raport me numrin e nxënësve që kanë ciklet dhe paralelet. 

10.  Afro 30% e lëndëve mësimore në shkollat e fshatrave, do
t’í japin mësues të pa profilizuar për lëndët përkatëse, sidomos në lëndët e
shkencave shoqërore.


Përse heshtin sindikatat e arsimit, për mosplotësimin e 12 standardeve të detyrueshme,
për mësim normal?

 

1.      Mesatarja bruto e hapësirës për nxënës

2.      Shkollat e mesme të ulëta.

3.      Shpërndarja e lëndëve

4.      Hapësira minimale për një nxënës

5.      Standardet ISO (Normat e ndërtimit)

6.      Temperaturat minimale të rekomanduara

7.      Mesatarja e faktorëve të reflektimit të dritës

8.      Vlera krahasuese e ndriçimit në “Lux”

9.      Ndriçimi minimal i rekomanduar

10.  Lloji dhe përdorimi i aparateve kundër zjarrit

11.  Madhësia e rekomanduar për ulëset e nxënësve

12.  Madhësia e rekomanduar për bankat e nxënësve