AMF përgatiti projektrregulloren për licencimin e agjencive të vlerësimit të rrezikut të kreditit

33

“Sipas projektrregullores, ajo do të zbatohet për vlerësimet e rrezikut të kreditit të kryera nga agjencitë e vlerësimit të rrezikut të kreditit, të cilat bëhen publike apo i shpërndahen publikut me anë të abonimit.”

Sigal

/Telegraf.al/ Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare (AMF) ka përgatitur një projektrregullore, që do të mundësojë licencimin në Shqipëri të agjencive të vlerësimit të rrezikut të kreditit ose njohjen e agjencive të huaja.

Sipas projektrregullores, ajo do të zbatohet për vlerësimet e rrezikut të kreditit të kryera nga agjencitë e vlerësimit të rrezikut të kreditit, të cilat bëhen publike apo i shpërndahen publikut me anë të abonimit.

Ndërkohë, kërkesat e rregullores nuk do të zbatohen për vlerësimet private të rrezikut të kreditit, që i ofrohen ekskluzivisht personit që ka dhënë urdhrin dhe nuk janë të destinuara për publikun apo nënshkruesit e titujve; sistemet e vlerësimit të cilësisë së kreditit ose vlerësime të ngjashme në lidhje me detyrimet që rrjedhin nga marrëdhënie investimi, tregtare ose industriale; vlerësimet e rrezikut të kreditit të kryera nga agjencitë e kredive të eksportit; vlerësimet e rrezikut të kreditit të kryera nga banka qendrore, etj.

Sipas projektrregullores, shoqëritë komisionere, shoqëritë e sigurimit dhe të risigurimit, sipërmarrjet e investimeve kolektive si dhe shoqëritë administruese të fondeve të pensionit mund të përdorin vlerësime të rrezikut të kreditit për qëllime të kërkesave rregullatore, vetëm nëse këto vlerësime janë dhënë nga agjenci të vlerësimit të kreditit të licencuara apo njohura nga AMF.

Agjencia e vlerësimit të rrezikut të kreditit që kërkon të licencohet, duhe të depozitojë në AMF një sërë dokuemntesh, ndër të cilat një dokument ku parashikohet një përshkrim mbi sistemin e teknologjisë së informacionit, të kontabilitetit dhe të kontrollit, për të dëshmuar se kanë dhe përdorin në mënyrë efikase burimet e procedurat e nevojshme për kryerjen e veprimtarisë; planin e biznesit, minimumi për tre vitet e para të aktivitetit, përfshirë përshkrimin e veprimtarisë së subjektit, perspektivat e zhvillimit të veprimtarisë, pritshmëritë e subjektit mbi veprimtarinë që do të kryejë; një përshkrim mbi strukturën përgjegjëse për miratimin dhe ndryshimin e rregulloreve dhe procedurave; një përshkrim mbi mënyrën se si do të sigurohet dhe monitorohet zbatimi i rregulloreve dhe procedurave dhe njësia përgjegjëse për zbatueshmërinë e tyre; rregulla për të identifikuar qartë dhe për të administruar pasojat e mundshme negative, që mund të shkaktohen në aktivitetin e përditshëm tregtar apo klientëve, si pasojë e konfliktit midis interesit të aksionarëve apo ortakëve të operatorit; rregulla për administrimin e rreziqeve ndaj të cilave ekspozohet, për të zbatuar masat dhe sistemet e duhura për identifikimin e të gjitha rreziqeve të rëndësishme ndaj veprimtarisë së tij dhe masat efektive për zbutjen e këtyre rreziqeve; rregulla apo procedura për administrimin e shëndoshë të operacioneve teknike të sistemeve, përfshirë edhe nënkontraktimin tek të tretë dhe miratimin e masave efektive për t’i bërë ballë rrezikut të ndërprerjes së funksionimit të sistemeve; masa apo mekanizma për të siguruar verifikimin e mjaftueshmërisë dhe cilësisë së informacionit mbi të cilin agjencia bazon vlerësimet e saj; procedura lidhur me modelet, metodikat dhe supozimet kyçe mbi të cilat bazohen vlerësimet; masat për publikimin e një raporti vjetor të transparencës; masat për krijimin e një funksioni të brendshëm për të kontrolluar cilësinë e vlerësimeve të dhëna nga agjencia; masat për të siguruar, në momentin e licencimit dhe në vijimësi, burime të mjaftueshme financiare për të mundësuar funksionimin e rregullt të saj, duke mbajtur parasysh natyrën dhe shtrirjen e veprimtarisë tregtare, si dhe natyrën dhe shkallën e rreziqeve ndaj të cilave ekspozohet, etj.

“Shoqëritë komisionere, shoqëritë e sigurimit dhe të risigurimit, sipërmarrjet e investimeve kolektive si dhe shoqëritë administruese të fondeve të pensionit mund të përdorin vlerësime të rrezikut të kreditit për qëllime të kërkesave rregullatore, vetëm nëse këto vlerësime janë dhënë nga agjenci të vlerësimit të kreditit të licencuara apo njohura nga AMF.”

Agjencia e vlerësimit të rrezikut të kreditit duhet gjithashtu t’i paraqesë AMF informacion lidhur me analistët kryesorë të vlerësimit të rrezikut të kreditit, analistëve të tjerë të vlerësimit të rrezikut të kreditit dhe personave, që miratojnë vlerësimin e rrezikut të kreditit; praktikat e shpërblimit dhe të vlerësimit të punës për analistët e vlerësimit të rrezikut të kreditit, personat, që miratojnë vlerësimet e rrezikut të kreditit, drejtuesit e lartë dhe personin përgjegjës për përputhshmërinë; trajnimin dhe zhvillimin professional, që lidhet me procesin e vlerësimit të rrezikut, ku përfshihet kryerja e një provimi apo lloje të tjera vlerësimi formal të nevojshme për kryerjen e veprimtarive të vlerësimit të rrezikut.

Agjencia e vlerësimit të rrezikut të kreditit i paraqet gjithashtu Autoritetit për çdo klasë vlerësimi të rrezikut të kreditit, të dhëna mbi përvojën e ekipeve përgjegjëse për hartimin dhe rishikimin e metodikave dhe modeleve, si dhe numrin e personave të përfshirë; emrin dhe funksionin e çdo punonjësi të agjencisë së vlerësimit të rrezikut të kreditit, i cili ka detyrime, individualisht ose për llogari të agjencisë së vlerësimit të rrezikut të kreditit, ndaj çdo subjekti tjetër brenda grupit të agjencisë së vlerësimit të rrezikut të kreditit; shpërblimin e analistëve vlerësues, analistëve kryesorë vlerësues dhe funksionarit të përputhshmërisë për secilin prej tri viteve ushtrimore paraardhëse. Çdo person juridik, i licencuar ose i njohur si agjenci e vlerësimit të rrezikut të kreditit në një vend të huaj mund të paraqesë kërkesën për njohje si agjenci e huaj e vlerësimit të rrezikut të kreditit pranë Autoritetit, në përputhje me kërkesat dhe dokumentacionin e kërkuar sipas projektrregullores.

Ndërkohë, AMF do të njohë automatikisht të gjitha agjencitë e vlerësimit të rrezikut të kreditit, të licencuara apo të njohura nga Autoriteti Evropian i Tregjeve të Titujve (ESMA).