Ambasadori britanik Smith: Kriminelët dhe trafikantët po shfrytëzojnë të rinjtë shqiptarë

393
Sigal

Ambasadori britanik në Shqipëri, Alastari King Smith iu është drejtuar të rinjve shqiptarë me një thirrje. Nga Kukësi, ai kërkoi nga të rinjtë që të mos nxitohen dhe të marrin vendime që mund të jenë të rrezikshme për të ardhmen e tyre, duke u nisur në rrugë ilegale drejt Britanisë së Madhe. Ai po ashtu, iu drejtua familjeve shqiptare dhe të rinjve duke iu thënë se kriminelët dhe trafikantët po shfrytëzojnë fëmijët duke i detyruar që të futen drejt rrugës së krimit. ‘Jam në Kukës për të nisur me programin “Perspektiva të reja për qarkun e Kukësit”. Kjo është iniciativa jonë më ambicioze në veri të Shqipërisë. Do të garantojë aftësi të reja dhe punësim në këtë rajon. Mesazhi im për të gjithë ata që po mendojnë të udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar në mënyrë të paligjshme është, prisni, mos shkoni tani dhe mos rrezikoni jetën tuaj! Ajo që ju tregohet në mediet sociale nuk është realiteti. Ju po dëgjoni kryeministren britanike se Britania po kërkon punëtorë, prandaj rrini këtu dhe aplikoni për viza në mënyrë ligjore. Mos ikni ilegalisht, mesazhi im për prindërit dhe anëtarët e familjes është që kriminelët dhe trafikantët po shfrytëzojnë fëmijët tuaj dhe po i detyrojnë ata t’i hyjnë botës së krimit.‘- tha ambasadori. Smith ndodhet në Kukës, pasi mori pjesë në startimit të projektit “Perspektiva të reja për qarkun e Kukësit” me një fond prej 8.4 milionë paund që qeveria britanike do të zbatojë për 3 vite në këtë qark.