Alpha Bank Albania SH.A njofton ndryshimin e Drejtorit të Përgjithshëm

500
Tiranë, 23.12.2017 – Këshilli Drejtues i Alpha Bank Albania SH.A ka emëruar z. Georgios Papanastasiou si Kryetar të Drejtorisë dhe Drejtor të Përgjithshëm të Alpha Bank Albania SH.A. i cili pason në detyrë z. Periklis Drougkas. Ndryshimi hyri në fuqi më 20 dhjetor 2017.

Z. Periklis Drougkas ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i Alpha Bank Albania SH.A që prej vitit 2012. Ai ka një formim profesional të zhvilluar përgjatë një karriere prej katër dekadash si drejtues i lartë në pozicione ekzekutive në sektorin e shërbimeve financiare. Gjithashtu, z. Drougkas është Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Bankave, President i Shoqatës së Biznesit Grek në Shqipëri dhe anëtar i Dhomës Greke të Ekonomistëve.

“Ka qenë një privilegj të isha Drejtor i Përgjithshëm i Alpha Bank Albania SH.A përgjatë pesë viteve të kaluara” tha z. Drougkas. “Ky ndryshim vjen në një moment të rëndësishëm zhvillimi për Alpha Bank Albania ku rrugëtimi ynë drejt përmirësimit të modelit të biznesit, rritjes së cilësisë së shërbimit për klientët tanë si edhe pozicionimit tonë në një treg në ndryshim të vazhdueshëm, është në nivele të kënaqshme.” 

“Ndihem i nderuar që kam mundësinë të drejtoj Alpha Bank Albania në të ardhmen” tha z. Georgios Papanastasiou. “Z. Drougkas ka qenë një katalizator i ndryshimeve në Alpha Bank Albania – duke drejtuar Bankën përgjatë pesë viteve të fundit drejt përmirësimit të vazhdueshëm. Jam i angazhuar që të vazhdoj në këtë drejtim dhe të udhëheq ekipin tim drejt mundësive të shumta që kemi përpara” Z. Georgios Papanastasiou ka punuar për më shumë se tri dekada në sektorin bankar në rajonin e Evropës Juglindore, më konkretisht në Greqi, Maqedoni, Serbi dhe tashmë në Shqipëri. Karriera e tij filloi në Selanik, në Nova Scotia Bank, grup bankar ndërkombëtar Kanadez dhe ofrues shërbimesh financiare, lider në Amerikën Veriore, Qendrore dhe Latine si dhe në rajonin Aziatik dhe Paqësor. Në 1991, ai iu bashkua ABN Amro Bank NV, banka më e madhe në Holandë dhe një ndër më të mëdhatë në Evropë, ku shërbeu si Drejtor Rajonal Biznesi për Greqinë Veriore. Në vitin 2000, z. Papanastasiou iu bashkua Stopanska Banka AD, Shkup, pjesë e Grupit NBG, ku pas pesë vitesh si Këshillues për Korporatat dhe Drejtor i Kreditimit u emërua si Drejtor i Përgjithshëm, në korrik 2005. Në janar 2009 ai iu bashkua Grupit Alpha Bank dhe në prill 2009 u emërua si Drejtor i Përgjithshëm i Këshillit Drejtues të Alpha Bank Serbia AD, deri në prill 2017, ku u dërgua pranë Alpha Bank Albania SH.A. Prej vitit 2011 deri në prill 2017 ai ishte zgjedhur anëtar i Këshillit Drejtues dhe Kryetar i Këshillit Drejtues të Shoqatës së Biznesit Grek në Serbi. Z. Papanastasiou zotëron diplomë në Ekonomi nga Universiteti Aristotel, Selanik, si dhe ka Master në Administrim Biznesi nga Kolegji Bentley, Masaçusets, Sh.B.A.
Sigal