Alimehmeti: Si përgjigjen antitrupat ndaj vaksinës anti-Covid, pas 1 apo 2 dozave

286
Sigal

Epidemiologu Ilir Alimehmeti, nëpërmjet një komenti në rrjetet sociale, ka reaguar për situatën epidemiologjike në vend.

Ai tregon se si reagojnë antitrupave ndaj vaksinës anti-SARS-CoV-2, veçanërisht pas 1 apo 2 dozave.

“Te personat që nuk e kanë kaluar infeksionin, të dhënat tona tregojnë nivele shumë të larta serokonvertimi (antitrupa pozitive) kundër proteinës spike pas një doze të vetme të secilës vaksinë, dhe serokonvertim pothuajse të plotë pas dozës së dytë”, tregon epidemiologu.

Ndërsa ka renditur disa nga gjetjet kryesore të studimeve të bëra, ai tregon se është arritur në përfundimin se:

-Nivelet e larta të serokonvertimit pas dozës së parë e mbështesin politikën e UK për të prioritizuar mbulimin sa më të gjerë të popullatës me një dozë të vetme, megjithatë të dhënat tona sugjerojnë gjithashtu një përgjigje imunitare të zbehur në disa grupe klinike, të cilat duhet të studiohen më tej.

-Pabarazitë e niveleve të antitrupave pas vaksinimit me një dozë që u vu re ndërmjet grupeve të ndryshme të llojit të vaksinës së marrë, moshës dhe sëmundjeve -bashkëshoqëruese nënvizojnë rëndësinë e vazhdimit të masave parandaluese jofarmaceutike, si distancimi social, nga të rriturit pjesërisht të vaksinuar, veçanërisht nga më të moshuarit dhe më të cënueshmit klinikisht.

Gjithashtu, Alimehmeti këshillon qytetarët që nuk kanë kaluar infeksionin natyror, të mos e ulin vigjilencën të paktën për 14 ditë pas dozës së dytë të vaksinës Pfizer apo AstraZeneca.

Reagimi i plotë:

“Imunizimi ka qenë një histori madhështore suksesi në shëndetin publik.”

Cit.: Nelson Mandela

Miqtë e mi, ndër pyetjet më të shpeshta që hasen këto ditë është si është përgjigja e antitrupave ndaj vaksinës anti-SARS-CoV-2, veçanërisht pas 1 apo 2 dozave.

Disa prej arsyeve të reagimeve të ndryshme ndaj vaksinave në përgjithësi janë mosha apo prezenca e sëmundjeve të ndryshme kronike.

Këto pyetje janë adresuar nga një studim shumë i hollësishëm i kryer nga studuesit e University College London (UK).

Kërkuesit studiuan në detaj:

8.517 të rritur pa antitrupa para vaksinimit dhe moshë mesatare 65 vjeç, nga të cilët

8.115 kampionë gjaku u morrën pas vaksinimit të 5.342 individëve me ChAdOx1 (AstraZeneca) dhe

5.008 kampionë gjaku u morrën pas vaksinimit të 3.099 individëve me BNT162b2 (Pfizer).

Gjetjet kryesore:

96.42% e personave zhvilluan antitrupa 28-34 ditë pas dozës së parë, dhe

99.08% e personave zhvilluan antitrupa 14 ditë pas dozës së dytë.

Pas dozës së parë, Pfizer ishte qartësisht superior ndaj AstraZenecas:

89.27% zhvilluan antitrupa pas një doze Pfizer,

66.27% zhvilluan antitrupa pas një doze AstraZeneca.

Pas dozës së dytë, Pfizer dhe AstraZeneca ishin ekuivalentë:

96.17% zhvilluan antitrupa pas dy dozave Pfizer,

95.21% zhvilluan antitrupa pas dy dozave AstraZeneca.

Kryesuesi i studimit, Prof. Maddie Shrotri, deklaroi se:

“Te personat që nuk e kanë kaluar infeksionin, të dhënat tona tregojnë nivele shumë të larta serokonvertimi (antitrupa pozitive) kundër proteinës spike pas një doze të vetme të secilës vaksinë, dhe serokonvertim pothuajse të plotë pas dozës së dytë.”

≥28 ditë pas dozës së parë, antitrupat u krijuan në nivele të ndryshme në varësi të moshës:

18-34 vjeç: 63.4 U/ml

35-49 vjeç: 38.5 U/ml

50-64 vjeç: 35.6 U/ml

65-79 vjeç: 34.6 U/ml

≥80 vjeç: 26.1 U/ml.

≥28 ditë pas dozës së parë, antitrupat u zhvilluan në nivele më të ulëta te:

meshkujt,

personat me një sëmundje kronike,

personat me histori kanceri (veçanërisht ato hematologjike),

personat nën terapi imunosupresive.

POR PAS DOZËS SË DYTË, TË GJITHA PABARAZITË U ZHDUKËN DHE NIVELET E LARTA TË ANTITRUPAVE (≥250U/ml) U ARRITËN NË TË GJITHA MOSHAT DHE GRUPET E SËMUNDJEVE KLINIKE.

Autorët dalin në përfundimet:

Nivelet e larta të serokonvertimit pas dozës së parë e mbështesin politikën e UK për të prioritizuar mbulimin sa më të gjerë të popullatës me një dozë të vetme, megjithatë të dhënat tona sugjerojnë gjithashtu një përgjigje imunitare të zbehur në disa grupe klinike, të cilat duhet të studiohen më tej.

Pabarazitë e niveleve të antitrupave pas vaksinimit me një dozë që u vu re ndërmjet grupeve të ndryshme të llojit të vaksinës së marrë, moshës dhe sëmundjeve bashkëshoqëruese nënvizojnë rëndësinë e vazhdimit të masave parandaluese jofarmaceutike, si distancimi social, nga të rriturit pjesërisht të vaksinuar, veçanërisht nga më të moshuarit dhe më të cënueshmit klinikisht.

Pra, miqtë e mi, nëse nuk e keni kaluar infeksionin natyror, mos e ulni vigjilencën pa kaluar të paktën 14 ditë pas dozës së dytë të vaksinës Pfizer apo AstraZeneca.

Dr. Shk. Ilir Alimehmeti

Epidemiolog Klinik

Fakulteti i Mjekësisë, UMT

Akademia e Shkencave të Shqipërisë