Aksioni për ujin, Veliaj: Nga 28 shkurti nuk ka më tolerime, sasia e konsumuar duhet paguar

619
Deri më 28 shkurt, të gjithë qytetarët do të kenë mundësi që të lidhin pa asnjë penalizim kontratat e reja me UKT, duke formalizuar lidhjet e tyre. Nga mjediset e Akademisë së Policisë së Shtetit, ku u nënshkrua marrëveshja midis Ministrisë së Brendshme dhe Bashkisë së Tiranës, “Për formimin dhe kualifikimin e punonjësve të Policisë Bashkiake”, kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi se nuk do të tolerohet askush që vjedh ujin e pijshëm të qytetarëve.
“Dua t’ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve, por sidomos atyre që janë biznesmenë dhe që përdorin ujin e pijshëm për të fituar para. Paguajeni sepse nuk do të tolerohet më. Kanë filluar arrestimet e para të atyre sipërmarrësve që vetë bëhen milionerë kur e lënë Tiranën pa ujë. Deri në datën 28 shkurt, çdo qytetar ftohet të shkojë dhe të lidhë kontratën me UKT, jo vetëm në Tiranë, por në 61 bashkikë e Shqipërisë. Kam parë skema të dërguara nga Policia e Shtetit dhe Policia bashkiake të vjedhjeve spektakolare të ujit”, tha Veliaj.
Kreu i Bashkisë bëri të ditur se deri më 28 shkurt do të vijojë fushata sensibilizuese për konsumatorët familjarë që të paraqiten pranë pikave të hapura të Ujësjellës Kanalizimeve për të formalizuar lidhjet e tyre.
Veliaj theksoi se ky aksion i ndërmarrë në rang kombëtar për disiplinimin e përdorimit të ujit të pijshëm ka mbështetjen e mbi 90% të qytetarëve dhe se Bashkia e Tiranës është e vendosur për t’i shkuar deri në fund ndërprerjeve të lidhjeve të paligjshme të ujit.
“Mbi 90% e njerëzve në Shqipëri e do shtetin, e do vendin, e do Shqipërinë, e do Tiranën, dhe i paguan detyrimet. E kupton që vjedhja është diçka jo etike, jo e ligjshme, jo e ndershme. Për sa kohë që shumica e qytetarëve e do rendin, rregullin, shtetin, ligjin, e do uniformën sepse te uniforma shikon garancinë e mbrojtjes së familjes së vet, unë them të bëhemi me shumicën. Në çdo vend ekziston një pakicë histerike, që për çdo vepër të zbatimit të ligjit fillon e ulëret. Por shtetet serioze dinë të bëjnë diferencën midis një minorance që bën zhurmë dhe një shumice që është e heshtur, por e ndershme dhe do që gjërat t’i shkojnë mbarë”, nënvizoi ai.
Bashkia e Tiranës është ndërkohë në mes të një fushate të jashtëzakonshme që ka të bëjë me disiplinimin e një produkti jetik sikurse është uji. Në të gjithë kryeqytetin po kryhen verifikime për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme me fokus tek bizneset.
“Kush lexon mediat ndërkombëtare, e kupton që betejat e së ardhmes, debatet e së ardhmes dhe nëse doni ta quani edhe luftërat e së ardhmes, nuk do jenë më për naftë, do jenë për ujin, i cili është një nga produktet që ne e kemi me bollëk dhe që e abuzojmë në mënyrën më spektakolare. Kjo është arsyeja pse Bashkia e Tiranës është renditur e para në mbështetje të nismës së kryeministrit për të menaxhuar gjithashtu sektorin e ujit, ashtu siç u bë me sektorin e energjisë elektrike”, tha Veliaj, ndërsa e cilësoi të patolerueshme situatën që dikush i cili shfrytëzon ujin e pijshëm për të biznesin e tij, të vjedhë këtë pasuri të qytetarëve duke mos paguar.
“Unë e kuptoj, asnjë njeri nuk do të shohë dikë që arrestohet, asnjë nuk i jep kënaqësi të shohë dikë që çohet me pranga në komisariat. Ama, po ashtu nuk është fare bukur që dikush që ka një hotel me 5 yje nuk paguan ujin dhe vjedh ujin e pijshëm, duke lënë familje të tëra pa ujë. Nuk ka asnjë arsye pse dikush që është biznesmen i fushës së ujit, në fakt, e vjedh ujin nga rrjeti, i vë një etiketë dhe e shet, e pastaj thotë jam gjynah. Jo nuk është gjynah, nuk mund të vidhet uji i pijshëm në një vend i cili ka kaq shumë nevojë, sidomos në qytetin tonë”, deklaroi Veliaj, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin me Policinë e Shtetit në këtë aksion të përbashkët.
Por krahas aksionit për ujin e pijshëm, Bashkia e Tiranës paralajmëron dhe disiplinimin e zhurmës nga lokalet duke ndarë zonat rezidenciale nga zonat e argëtimit.
“E njëjta gjë ndodh jo vetëm me zaptimet e rrugëve, por edhe me muzikën e lartë. Ka ardhur koha që në Tiranë të kemi një diferencim shumë të qartë, ku janë vendet ku t’i mund të bësh aheng dhe ku është një vend tjetër ku fëmijët duhet të shkojnë të flenë sepse vjen e nesërmja për të shkuar në shkollë dhe familja duhet të ketë një paqe qoftë edhe akustike përpara se të përgatitet për ditën e re. Kemi filluar një proces me Ministrinë e Mjedisit, nën drejtimin e kryeministrit, për t’u siguruar që në qytetet tona edhe këto hapësira të sistemohen, duke i ndarë zonat rezidenciale nga zonat që janë për argëtim”, nënvizoi Veliaj.
Ai tha se Tirana është një nga kryeqytetet më të sigurta në Europë, fakt që konfirmohet edhe nga statistikat.
Edhe Drejtori i Akademisë së Policisë, Bilbil Mema përshëndeti kryetarin e Bashkisë së Tiranës dhe vlerësoi punën e bërë në kryeqytet.
“Është dita që policia e bashkisë po merr një kurrikul, po zbaton një program shumë të domosdoshëm për shërbimin e saj. Falenderoj kryetarin e bashkisë që është i pranishëm sot, pasi shumë punë janë bërë në Tiranë dhe jemi pjesë e këtij territori, por puna e sotme është shumë e rëndësishme për shërbimin që do t’i japim qytetarëve të Tiranës, një shërbim më të kualifikuar, më profesional”, deklaroi Mema.
Sigal