Evdal Nuri: Asllan Sulo me botimin, “Dy pashallarët e Beratit”

857
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Këto ditë lexova me kureshtje librin e fundit të A.Sulos, “Dy pashallarët e Beratit”. Edhe pse i ka kaluar të 80-at, s’rri pa shkruar, pa shfletuar, pa botuar diçka në dobi të historisë të qytetit të Beratit, por dhe më gjerë.

Asllan Sulo

Botimet

Ky është i shtati  libër që boton mësuesi  im  i historisë. Mësuesi i mësuesve që mbeti gjithë jetën duke mësuar vetë, por dhe mësuar të tjerët.  Ka botuar:  “Berati në shek e XV”, “Iliaz Vrioni”, “Qyteti  muze i Beratit”, “Dy netë që ngrinë Romën” e tjerë. Tani,  me një gjuhë të thjeshtë e të kuptueshme e me fakte bindëse, vjen me “Dy pashallarët e Beratit”. Nëse historigrafia jonë ka shkruar dy faqe për ta, libri në fjalë, vjen në një numër të pakrahasueshëm faktesh, duke nxjerrë në pah  dy figurat e historisë, Ismail Pashë Velabishtin dhe Ahmet Kurt Pashën. Autori  ka hulumtuar në arkivat e Bibliotekës Kombëtare, kujtimet që na kanë ardhur që në ditët tona. Figurat e përmendura  paraqiten  jo  thjeshtë,  si sundimtarë të pashallëkut, apo si zyrtarë të lartë  shtetërorë, por  dhe  çfarë bënë  për mbrojtjen e pashallëkut nga tendencat separatiste të të tjerëve, për ta ndarë e përçarë pashallëkun, në interes të tyre .

Pashallëku i Beratit   

Shtrihej nga Gosa e Kavajës  në Veri, deri në Këlcyrë të Përmetit ne jug. Nga Vlora  në perëndim, në Gorë dhe Opar të Korçës, në lindje. Pra e gjithë Shqipëria e jugut. Sundimi në pashallëk zgjati  mbi  gjysmë shekulli, duke siguruar qetësi e rend, kaq të domosdoshëm për jetën e një vendi. Berati i gjysmës së dytë të shekullit  XVII-të, deri në gjysmën e parë të  shek XVIII-të, ishte një qendër e rëndësishme ekonomike, me mbi 900 dyqane. Ai ishte kthyer dhe  një qendër  administrative e kulturore me disa medrese, biblioteka,  me dijetarë e poetë. Në këtë mjedis lindi dhe u zhvillua letërsia shqipe me alfabetin arab.

Ismail Pashë Velabishti 

Ishte jo vetëm sundimtar, por dhe njeri i ditur, poet. Që në moshën 17 –vjeçare, u rrit në  oborrin  sulltanor, në Stamboll. Atje mësoi dhe u edukua. Mësoi tri gjuhë, greqisht, osmanisht e persisht. Krijoi një bibliotekë të pasur, siç do të shkruante më vonë revista “Hylli i Dritës” që dilte në Shkodër, në numrin e 4 prillit 1938.  Si poet shkruan poezi me temë erotike e filozofike. Këto  i lexonte vetë, por dhe me poetë të tjerë beratas në buzët të lumit Osum. Meritë e madhe e Ismail Pashë Velabishtit ishte ideja dhe sakrificat për ngritjen  e qendrës  së qytetit të Beratit përtej lumit Osum, në perëndim, në atë pllajë të madhe poshtë këmbëve të malit Shpirag. Qyteti i ardhshëm do të kishte diell gjithë ditën, pamje të largët deri në horizont, gjelbërim pa kufi. Pashai nisi punë  për të venë në jetë këtë plan madhor, por u pengua nga ata që s’kishin një vizion  për të mirat që do të kishte qyteti i vet,  me një të ardhme të ndritur.  Si  trim që ishte, ra në një luftë në krye të trimave, për të mos lejuar coptimin e pashallëkut të Beratit.

Ahmet Kurt Pasha   

U përpoq shumë për të ruajtur shrirjen e pashallëkut të Beratit, nga përpjekjet e Ali Pashë Tepelenës, për t’i shkëputur territore në jug dhe nga Bushatllinjtë  e Shkodrës, në veri. Ai u përpoq shumë për t’i bashkuar  pashallëkut të vet, Shqipërine e Mesme, duke futur Tiranën dhe Elbasanin me krahinat e tyre. Arriti  sukseset e para në drejtim të Elbasanit, Myzeqesë, Sulovës, duke i vënë nën ndikimin e  sunduesit tyre. Luftoi dhe për Tiranën, por nuk pati sukses, deri sa u pajtua me Bushatllinjtë, për të ruajtur  secili shtrirjen e sundimit të vet, deri ku ishin para luftës midis tyre.  Suksesi më i madh i Ahmet Kurt Pashës,  ishin ndërtimet publike brenda pashallëkut.  Ai ndërtoi  Urën e Beratit, siç quhet ndryshe Ura e Goricës, që lidh dy anët e qytetit. Ajo ka një bukuri tronditëse, s’i  asnjë tjetër. Ajo e mban prej dore Mangalemin e Goricën, përplot buzëqeshje dhe me një nur të rrallë, që kurrë nuk u fishk, e as u rrudh. Desha të shtoja disa kuriozitete për  Urën e Goricës. Një prej urave më të bukura të periudhës së perandorisë osmane në Shqipëri, e ndërtuar në shek. XVIII në qendër të Beratit . Ura e Goricës lidh qytetin me lagjen e të njejtit emër. Ajo harkohet në mes me një elegancë të theksuar, me këmbët e saj të cilat zbresin nga 10 metra lartësi, mbi dy anët e shtratit të lumit Osum. Shtatë harqe, parmakë prej druri, e “dritare” të vogla, të cilat shpeshherë duken si fytyra njerëzish, i japin kësaj ure një pamje të rrallë, një pamje e cila reflekton vërshime të skajshme, tërbime dhe kohë të ashpra mbi të. Unike në stilin e vet, më një gjatësi 130 metra e gjerësi mbi 5 metra, edhe kjo urë ndiqet nga lajtmotivi i urave të vjetra, e legjendave të cilat tregojnë se aty është murosur një vajzë e re për të siguruar themelet e urës. Krenarë për urën që gjendet mes tyre, vendasit tregojnë se një punim i tillë, rrallë gjendet. Duke vlerësuar arkitekturën si edhe rëndësinë e saj historike, studiuesit mendojnë se kjo është ura më e bukur në Shqipëri. Udhëtarët e çdo kohe, të cilët kanë kaluar nga Berati, janë befasuar nga kjo vepër inxhinierike, dhe e kanë dokumentuar atë në gravura, foto e mjaft vizatime. Në fakt, të dhënat e para mbi Urën e Goricës i ka dhënë kronisti i famshëm osman, Evlia Çelebi, në ditarin e tij të udhëtimeve.

Ura e Goricës

Në vitin 1780, ishte Pashai Ahmet Kurti i Beratit, ai që financoi ndërtimin e Urës së Goricës, e cila ishte fillimisht e drunjtë.  Vendasit mendojnë se ajo u ndërtua pikërisht kur lindi nevoja për të komunikuar mes dy brigjeve të Osumit, në periudhën kur filloi të ndërtohej e popullohej lagjja e Goricës. Për fat të keq, më 1918, në mbarim të luftës së parë botërore, një shpërthim dinamiti shkatërroi një pjesë të saj. Por, fatmirësisht, në këtë rast ajo u rindërtua vetëm pas pak kohe në gur, duke marrë formën dhe bukurinë që zotëron sot. Ahmet Kurt Pasha,  ndërtoi Urën Vajgurore, 11 km larg Beratit, dhe Urën e Kuçit që u hodh në erë në mbarimin e Luftës së Dytë Botërore. Të tria këto ura lidhin segmente territoriale të ndara nga Osumi e Semani, brenda pashallëkut të Beratit. Rindërtoi pjesë të shkatërruara të mureve të Kalasë së Beratit. Ndërtoi  dhe mirëmbajti  teqenë e Halvetive dhe Manastirin e Ardenicës. Kur dikush e “qortonte”, për  paratë që shpenzonte,  ai i përgjigjej: “Është mjaft për mua të jem dorëdhënës”.   Në librin e mësuesit tim të nderuar, gjeta dhe mjaft ngjarje historike të padëgjuara më parë. Kjo është e veçanta e këtij libri që kur e fillon, nuk shkëputesh dot, deri sa ta mbarosh së lexuari, për të mësuar më shumë për qytetin tënd e më gjerë.  Këtë punë kolosale s’mund ta bëj askush veç studiusit, që gjithë jetën e gjen mbi libra, duke studiuar vetë e  mësuar pa kursim të tjerët.  Asllan Sulo e mësuesit e tjerë të shkollës pedagogjike Berat,  na mësuan si të pergatitemi për t’i  mësuar të tjerët me dije sa më të sakta shkencore, në përvetësimin me  anët më pozitive të secilit, duke i konkretizuar me nxënësit tanë. Kujtoj dhe vlerësoj autoritetin  e padiskutueshëm të Dr. Skënder Kameniku. Seriozitetin e Nazmi Lavdarit, metodat  e larmishme të Ismail  Turdiut, përgatitjen shkencore të Asllan Sulos, komunikimin e ngrohtë të Qenan Shtinos,   etj,. Gjithçka pozitive ne  ua transmetuam  nxënësve në punën tonë shumëvjeçare,  duke i aftësuar me dije shkencore për jetën.