Aksioni i RENEA-s për kapjen e urdhëruesve të pengmarrjes së Jak Prengës, Policia jep njoftimin zyrtar

488
Sigal

Policia e Shtetit ka dhënë njoftimin zyrtar lidhur me operacionin e zhvilluar mëngjesin e sotëm në qytetin e Shkodrës, ku fillimisht u raportua se ishin shoqëruar dy persona, të dyshuar si vrasës me pagesë.

Aksioni synonte që të zbardhë personat e tjerë që kanë urdhëruar pengmarrjen e Jak Prengës, e ndodhur dy javë më parë në Kamzë, që u pasua me vrasjen e tij në një kompleks në pronësi të familjes Hajri në zonën e Shijakut.

Policia njofton se janë ushtruar kontrolle në banesa, biznese, magazina e objekte të braktisura dhe si rezultat i kontrollit janë siguruar prova të vlefshme që shërbejnë për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes, duke lënë të kuptohet se nuk ka pasur të arrestuar.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të operacionit “Resorti”, Sektori për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, Forcat Speciale Renea dhe DVP Shkodër, ka vijuar kontrolle të pandërprera, me qëllim sigurimin e provave për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes mbi rrëmbimin e shtetasit J. P., të ndodhur në rrugën “London”, Kamzë, si dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje me pasojë humbjen e jetës së shtetasit J. P.

Në këtë kuadër, në qytetin e Shkodrës dhe rrethinat e saj, mëngjesin sotëm janë ushtruar kontrolle në banesa, biznese, magazina e objekte të braktisura dhe si rezultat i kontrollit janë siguruar prova të vlefshme që shërbejnë për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes.

Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, vijon veprimet për sigurimin e çdo prove të vlefshme që i shërben ngjarjes, si dhe për kapjen e personave të tjerë që janë të implikuar në këtë ngjarje.