Aksidenti tragjik me 4 shqiptarë të vdekur, motër e vëlla sapo kishin nisur shkollën në Itali

174
Sigal

Një familje e shkatërruar nga dhimbja. Mësues, shokë klase dhe miq të ndryshëm që prej ditës së djeshme kanë shkuar të vizitojnë Ardian dhe Anjeza Hysenin. Mbrëmjen e së dielës, ata humbën tre fëmijët, Shanen, 22 vjeçe, Rejanën, 8 vjeçe dhe Resatin, 11 vjeç. Bashkë me ta humbën edhe nipin, rreth 2 vjeç, Mattiasin, djali i Shanes. Mediat italiane e kanë përshkruar me dhimbje tragjedinë në familjen shqiptare.

Është një tragjedi e madhe, e vështirë për t’u treguar. “Jemi të hidhëruar, pranë familjes, shokëve të klasës së fëmijëve dhe mësuesve”, tha kryebashkiaku i Parmës, Michele Guerra për këtë rast. Dy prindërit jetojnë në Casaltone.

Rejana dhe Resat Hyseni ndiqnin institutin Albertelli-Newton. Mësuesit dhe drejtuesja e shkollës janë shokuar nga ngjarja. “Ishin dy engjëj”, janë shprehur ata.

Motër e vëlla kishin ardhur nga Shqipëria në fillim të këtij viti shkollor dhe ishin pritur me entuziazëm nga shokët e klasës. Mbrëmjen e së dielës së 30 Tetorit, Rejana dhe Resati kishin vendosur të shkonin me motrën e tyre 22-vjeçare për një darkë në një restorant që shërben sushi në Reggio Emilia. Së bashku me ta, edhe burri i 22-vjeçaes, Orjol Lame dhe djali i vogël, Mattiasi.

Rreth orës 20:00 kur po ktheheshin për në shtëpi, makina ku ata udhëtonin u përplas me një shtëpi të pabanuar. Për pasojë ndërruan jetë menjëherë Shane, Resat e Rejana Hyseni dhe i vogli Mattias Lame. Shoferi, Orjoli, u dërgua në spital ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Anjeza Hyseni ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes kur ka marrë vesh lajmin. Ajo u dërgua në spital pas tronditjes që pësoi kur pa fëmijët e vdekur. Anjeza dhe Ardian Hyseni janë prindër edhe të një djali tjetër, 18 vjeç. Danilo e ka marrë vesh lajmin me anë të një telefonate.

Kjo ngjarje e rëndë ka sjellë edhe reagimin e komunitetit shqiptar në Parma dhe ka shprehur keqardhjen për këtë tragjedi.