Aksidenti me tre të vdekur dhe dy të plagosur rëndë, policia jep detaje: Ja si ndodhi ngjarja tragjike

229
Sigal

Policia ka dhënë njoftimin zyrtar në lidhje me aksidentin që ndodhi mëngjesin e sotëm në aksin rrugor Elbasan-Librazhd.

Si pasojë e daljes nga rruga të mjetit, dhe fundosjes së tij në lum, tre persona humbën jetën dhe dy të tjerë mbetën të plagosur.

Mësohet se viktimat janë Elmi Keqa 53-vjeç, bashkëshortja Elona Keqa 35-vjeç dhe shtetasi Elis Sulmataj 18 vjeç si dhe janë plagosur shtetasi Elisiado Keqa rreth 10 vjeç, Ambra Halili rreth 20 vjeçe.

Njoftimi i policisë:

Më datë 01.02.2022, rreth orës 09:10, në aksin rrugor Elbasan-Librazhd, automjeti tip “Ford”, me drejtues shtetasin S. GJ., 32 vjeç, banues në fshatin Floq, Librazhd, është përplasur me mjetin tip “Benz”, i cili ka dalë nga rruga dhe ka rënë në lumin Shkumbin.

Shërbimet e Policisë, pas njoftimit të marrë, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, bashkë me shërbimet e zjarrfikëses.

Si pasojë e aksidentit janë plagosur rëndë shtetasit A. H., rreth 20 vjeçe dhe E. K., rreth 10 vjeç, të cilat janë transportuar menjëherë në spital, për ndihmë mjekësore.

Pas ndërhyrjes së zjarrfikësve dhe të punonjësve të Policisë, në kushte shumë të vështira, pas disa orësh u bë e mundur që të nxirren pa jetë nga mjeti që kishte rënë në mes të lumit, shtetasit E. K., 52 vjeç, E. K., 34 vjeçe dhe E. S., 18 vjeç.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të aksidentit.