Akademia e Shkencave e Shqipërisë uron në 70-vjetorin e lindjes Akademik Anastas Angjelin

Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë shpreh urimet më të përzemërta me rastin e 70-vjetorit të lindjes së kolegut dhe akademikut Anastas Angjeli.

Akademik, profesor në Ekonomi-Financë, me një kontribut të shquar në këtë fushë, veçanërisht në financat publike dhe në reformat strukturore në ekonomi. Prej vitit 1982 e në vijim, ka kontribuar në profesoratin e Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës dhe, pas vitit 1990, me angazhimin e tij në politikë.

Ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë në vitet 1991–2005, disa herë drejtues i komisioneve kuvendore për çështjet ekonomike e financiare, si dhe ministër i Ekonomisë, ministër i Financave dhe ministër i Punës dhe Çështjeve Sociale për një periudhë të gjatë gjatë tranzicionit.

NOA

Akad. Anastas Angjeli është anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë që prej vitit 2009. Prej qershorit 2013 është rizgjedhur deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Është afirmuar si një nga ekonomistët-financierë më të shquar, veçanërisht në zbatimin e reformave të ekonomisë së tregut në Shqipëri.

Kontributi i tij i veçantë në reformën buxhetore dhe fiskale, në zhvillimin e sistemit financiar (bankar dhe jobankar), në zbatimin e politikave fiskale në dobi të zhvillimit të biznesit dhe të investimeve vendëse dhe të huaja në Shqipëri, në zhvillimin e lirisë ekonomike, në kryerjen e reformave strukturore dhe privatizimin e ekonomisë, si dhe në liberalizimin dhe integrimin e ekonomisë shqiptare në atë rajonale dhe evropiane gjatë periudhës së tranzicionit, është vlerësuar jo vetëm nga opinioni publik vendas, por edhe nga institucionet ekonomiko-financiare ndërkombëtare.

Akad. Angjeli është kryetar i Komisionit të Përhershëm të Ekonomisë pranë Akademisë së Shkencave, autor dhe bashkautor i shumë librave universitarë dhe monografive, si dhe i shumë artikujve shkencorë brenda dhe jashtë vendit, dhe i studimeve me karakter kombëtar e rajonal, të vlerësuara me çmime kombëtare e ndërkombëtare.

Akad. Anastas Angjeli, prej muajit korrik 2014, është zgjedhur anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve.

Në vitin 2024, për kontributin e tij të spikatur në studimet ekonomike, është vlerësuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë me çmimin për kolanën “Ditari i Tranzicionit”, ndërsa në vitin 2022 ka marrë çmimin “Çabej” nga Akademia e Shkencave për trilogjinë studimore kushtuar krizave ekonomike. Për jetën dhe veprimtarinë e tij është vlerësuar me urdhra dhe medalje nga Republika e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës.