Acar në Dibër, temperaturat ulen deri në -16 gradë

194
Sigal

Vijojnë temperaturat e ulëta në Qarkun e Dibrës. Termometri në qytetin e Peshkopisë dhe Bulqizës ka shënuar -16 gradë.

Gjithçka duket se ka ngrirë, lëvizjet janë reduktuar ndjeshëm.

Zonat e thella kanë siguruar bazën ushqimore për bagëtinë, dhe ushqimet bazë për të kaluar dimrin, dhe në këto ditë të ftohta nuk lëvizin drejt qytetit.

Edhe pse disa nga rrugët që lidhin qytetin me qendrat e Njësive Administrative janë të hapura, vijoj të jenë të bllokuara dhe pa komunikim shumë fshatra në zonat e thella.

Njësia Administrative Lurë është e bllokuar totalisht nga Dibra, ndërsa komunikimin e bën nga Rrësheni.

Rrugët nacionale janë të kalueshme pa probleme, pasi kontraktorët kanë kriposur rrugët.

Përdorimi i zinxhirëve është i nevojshëm në aksin Dibër – Librazhd, në segmentin nga Ostreni drejt Steblevës dhe në aksin Peshkopi – Kukës nga Cereni deri në Vasie, pasi ka prezencë bore dhe akulli në rrugë.

Policia rrugore është stacionuar në akset problematike, ato apelojnë që drejtuesit e mjeteve të shmangin rrugët problematike, të evitojnë lëvizjet e panevojshme dhe të përdorin gomat e dimrit dhe zinxhirët.

Si pasojë e temperaturave shumë të ulëta ka ngrirë rrjeti i shpërndarjes së ujit të pijshëm dhe pjesa më e madhe e qytetit të Peshkopisë është pa ujë të pijshëm. Në spitalin Rajonal të Dibrës, gjatë 24 orëve të fundit janë paraqitur 11 raste me lëndime dhe fraktura pasi janë rrëzuar në akull.

Nga zonat e thella nuk ka pasur thirrje për emergjenca shëndetësore.