Abuzimet me pronat, KLSH kallëzon në Prokurori 12 zyrtarë të Devollit

679
Sigal

Kontrolli i
Lartë i Shtetit ka kallëzuar në Prokurori 12 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të
regjistrimit të pronave në Devoll. Me anë të një njoftimi, KLSH bën me dije se
regjistruesi, 5 ish-regjistrues dhe 6 specialistë të Zyrës së Regjistrimit të
Pronave kanë regjistruar një sipërfaqe prej 652 ha pyll të në mungesë të
dokumentacionit, në 8 raste kanë bërë regjistrimin e një sipërfaqe prej 71186
m2 në mungesë  të akteve administrativë
që shërbejnë për të fituar Titullin e Pronësisë, në 2 raste për regjistrim
pasurie janë bazuar në vendime gjyqësore me objekt “Vërtetim fakti”, kanë regjistruar
sipërfaqen prej 3000 m2, e pakthyer nga KKKP. Auditi është kryer nga periudha 1
janar 2012 deri më 31 dhjetor 2015. Zyrtarët e kallëzuar janë: E. M., me detyrë
Regjistrues i Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, I. Rr.,
B. K., S. D., Y. B., dhe J. S., me detyrë ish-regjistrues, N. B., me detyrë
jurist, V. B., me detyrë Përgjegjëse e Sektorit Hartografik/Hartograf,  D. B., me detyrë Jurist, Xh. K., me detyrë
Jurist, M. L., me detyrë juriste dhe R. K. me detyrë jurist, të cilët në mos përmbushje
të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë
konsumuar elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.

 Rastet e
shkeljeve sipas KLSH

Kanë regjistruar
Vendimin e Komisionit të Kthimit të Pronave Korçë për një sipërfaqe prej 652 ha
me parregullsi dhe mungesë të dokumentacionit tekniko ligjor, pa u përcaktuar
paraprakisht kufiri i Zonës Kadastrale me rrethin e Ersekës, statusi juridik i sipërfaqes
së pa inventarizuar prej 97 ha, dhe pa pasur të dhëna nga Drejtoria Shërbimit
Pyjor, veprime këto në kundërshtim me përcaktimet e bëra në Ligjin nr. 33, datë
21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, UKM nr. 2, datë
12.09.2012 “Për përcaktimin e elementeve të akteve, që verifikohen nga zyra e
regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe të procedurës për nxjerrjen e
urdhrit të regjistruesit”, Udhëzimin Metodik nr. 76, datë 13.09.1999 “Për
plotësimin e kartelave të pasurive të paluajtshme” dhe me Rregulloren nr. 184,
datë 08.04.1999 “Për punën e zyrës së regjistrimit të pasurive të paluajtshme”.
Në 8 raste janë regjistruar sipërfaqe tokë bujqësore dhe kullotë 71186 m2, me
mungesë të dokumentacionit tekniko ligjor, në kundërshtim me Ligjin nr. 33,
datë 21.03.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, Udhëzimin nr. 76,
datë 08.05.2003, UKM nr. 2, datë 12.09.2012 “Për përcaktimin e elementeve të
akteve, që verifikohen nga zyra e regjistrimit të pasurive të paluajtshme dhe
të procedurës për nxjerrjen e urdhrit të regjistruesit” dhe Rregulloren nr.
184, datë 08.04.1999. Në 19 raste të shpronësimeve të bëra për ndërtimin e
rrugës Bilisht-Kapshticë, sipërfaqja totale e të cilave arrin në 5647 m2, nuk
është kryer asnjë veprim për kalimin e pronësisë së kësaj sipërfaqe në favor të
Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit. Në 26 raste janë regjistruar më
tepër 63350 m2 tokë bujqësore dhe janë lëshuar certifikata pronësie, pa veçuar
e regjistruar “shtet” sipërfaqet e tepërta, në kundërshtim me Ligjin nr. 33,
datë 21.03.2012, me UKM nr. 2, datë 13.06.2013 dhe me UKM Nr. 2, datë
13.01.2010. Në një rast është regjistruar dhe është lëshuar certifikatë
pronësie për një sipërfaqe të llojit pemëtore prej 920 m2 më tepër, duke
korrigjuar AMTP-në… Vendimi i Kryetarit të KLSH-së me nr. 124, datë 30.09.2016,
ndodhet i plotë në web-in e Kontrollit të Lartë të Shtetit.