Kuptimi ajnshtajnian i lirisë

1066
Jorgo Mandili 
“Unë nuk besoj në lirinë njerëzore në kuptimin filozofik. Çdo 
njeri vepron jo vetëm nga shtysa e jashtme, por edhe në 
përputhje me kërkesat e tij të brendshme. Thënia e 
Shopenhauerit se, ‘Njeriu mund të veprojë ashtu siç 
dëshiron, por nuk mund të dëshirojë ashtu siç mund të 
donte’, ka qenë një frymëzim për mua që në rini; ajo ka 
qenë një ngushëllim i vazhdueshëm dhe një burim i 
pashtershëm i tolerancës përballë vështirësive të jetës, të 
miave dhe të tjerëve “
A. Ajnshtajn 
Kjo thënie e Shopenhauerit për Ajnshtajnin ka qenë frymëzim qysh në rininë e tij. Për Ajnshtajnin liria absolute është një ideal utopist , që nuk mund të realizohet në jetën shoqërore dhe politike, por ai ishte i bindur se përpjekjet e njeriut për të realizuar në mënyrë sa më të plotë këtë ideal, asnjëherë nuk duhen reshtur. Ajnshtajni nuk ka shkruar por i ka kënduar lirisë, i ka bërë himn asaj. E, kush më mirë se Ajnshtajni do t’i thurte lirisë një himn të tillë me kaq ngjyrime filozofie e poezie? 
Përse nuk mund të flitet për një liri njerëzore absolute në kuptimin filozofik? 
Njeriu është një tërësi e botës së rrethanave, një njeri konkret i mbërthyer pas botës materiale, “një njeri që ekziston në një kontekst gjërash, në një rrethanshmëri po aq ekzistuese sa dhe vetë ai” (Husserli). Pra njeriu, i cili nuk mund të shpëtojë dot nga kjo rrethanshmëri (sepse vetë jeta është lidhja midis një uni dhe një rrethanshmëre – një bashkekzistencë objektive) gjëndet rrjedhimisht në një ekzistencë jo të tijën, “në një objektivitet të kufizuar në kohë dhe hapësirë që përbën pikërisht rrethanshmërinë e tij” (Joze Ortega). Me rrethanshmëri nuk kuptohet vetëm ambienti fizik në të cilën rron çdo qenie njerëzore, por edhe ambienti shoqëror. Kësisoj krijohet një lidhje e fortë, një urë e pandashme midis botës së çdo individi dhe botës në përgjithësi, të kundruar nga jashtë si një shkëmbim alkimik midis ambientit dhe qenies. Në këtë raport falë imagjinatës së tij, njeriu krijon një botë të brendshme krejt të tijën, por që “nuk mund të veprojë ashtu siç dëshiron”, sepse është i vendosur në një raport problematik dhe autentik në rrethanshmërinë individuale që i lejon njeriut të gjejë kuptimin e jetës së vet nëpërmjet gjetjes së prirjes individuale e vënies së saj në zbatim. Pra kuptimi i jetës konsiston në pranimin nga çdokush të kësaj rrethanshmëre (kushtet e jashtme që nuk do të mund ta lejonin të “dëshironte ashtu siç do të mund të mendonte”) të pashmangshme, e përgjatë këtij pranimi, shndërrimit të saj në prirjen e vet personale. Ky realitet rrethues përbën gjysmën tjetër të personit, e vetëm nëpërmjet tij ai mund të integrohet e të jetë tërësisht vetvetja.
Po çfarë sjell kjo për individin?
Duke qenë se jeta është lidhja midis një uni dhe një rrethanshmëri: “Të jetosh do të thotë të gjendesh në botë, të pësosh e njëkohësisht të veprosh mbi sendet në një lidhje të ndërsjellë, në mënyrë që ta projektosh vetveten në cakun e lirisë” (Heidegger), dmth të arrish të zbulosh e të zbatosh prirjen tënde karakteristike. Pra njeriu është i dënuar ta përkthejë nevojshmërinë e vet në liri. Është pikërisht liria ajo nëpërmjet së cilës uni arrin të sajojë ekzistencën e vet. Bëhet fjalë për një forcë rezultante, që e bëjnë njeriun një qenie projektuese, në mënyrë që të përballë pa kurrfarë lëshimi, projektet e përpunuara në botën e brendshme të subjektit me situatën e botës së jashtme ose e thënë ndryshe, “Të ushtrojë lirinë për të vendosur atë çfarë kërkon të jetë në këtë botë “(Ortega) Pra, është thelbësore ushtrimi i lirisë dhe vetë projektimi, sepse vetë jeta është domosdoshmërish dhe imazh, fantazi, formulim idesh të reja, gjë që arsyeja për shkak të strukturës së saj të karakteristike, nuk mund ta bëjë dot vetëm. . Kësisoj, çdo njeri në jetë vepron jo vetëm nga kërkesat dhe dëshirat e tij të brendshme, por edhe nga shtysa e jashtme e për rrjedhojë nuk mund të flitet për një liri njerëzore absolute në kuptimin filozofik,( siç është kuptuar gabim tek ne kjo liri, gjatë këtij tranzicioni në shumicën e rasteve). Është pikërisht kjo arsyeja që Ajnshtajni flet për liri të brendshme dhe të jashtme për njeriun. Me liri të brendshme ai kupton kushte të tilla të përgjithshme ku formulimi dhe deklarimi i mendimeve dhe i bindjeve për problemet e veçanta dhe të përgjithshme të njohjes nuk do të ndikojë në gjendjen e tij materiale apo të rrezikojë jetën e tij. Kjo është liria e arsyes, që konsiston në pavarësinë e të menduarit nga kufizimet që vendosen nga autoritetet dhe paragjykimet sociale, nga arsyetimet shabllone si dhe në përgjithësi zakonet. Kjo liri, “Është një dhunti e rrallë e natyrës dhe njëkohësisht është edhe një dëshirë shumë e kërkuar nga çdo individ”. Kjo ka rëndësi të madhe praktike për zhvillimin dhe zgjerimin e njohurive në çdo fushë të veprimtarisë njerëzore. Kjo lloj lirie për mundësitë intelektuale të zhvillimit është e nevojshme, por jo e mjaftueshme. 

Njeriu ka nevojë edhe për një lloj tjetër lirie, që Ajnshtajni e quan liri të jashtme. Këtë liri ai e lidh me kohën dhe fuqinë që duhet të ketë në dispozicion njeriu për t’u marrë me veprimtari të tjera që i interesojnë atij (përveç asaj që i duhet për sigurimin e nevojave të tij jetësore). Dhe kjo arrihet atëherë kur do të zgjidhej në mënyrë të arsyeshme problemi i shpërndarjes së punës nga përparimi i shkencës dhe teknologjisë. “Një ndarje e planifikuar e punës – thekson ai – po bëhet një nevojë që kërkon gjithnjë e më shumë vëmendje dhe kjo nevojë do të sjellë sigurinë materiale të individit. Kjo siguri si dhe koha dhe energjitë e kursyera që individi do të ketë në dispozicion, mund të kthehen drejt zhvillimit të personalitetit të tij “. Në këtë rrugë shoqëria mund të rrisë mirëqenien e saj dhe” ne mund të shpresojmë se historianët e së ardhmes do t’i shpjegojnë simptomat e sëmundjes së shoqërisë së sotme si sëmundje foshnjore të një humanizmi të dëshiruar, të shkaktuar plotësisht nga shpejtësia e jashtëzakonshme me të cilin përparon civilizimi. 

“Ja pra, me kushtin që liria e brendshme dhe e jashtme e individit të mos nënvleftësohen, mund të krijohet mundësia e zhvillimit shpirtëror e të perfeksionimit dhe rrjedhimisht mundësia e përmirësimit të jetës së individit që padyshim çon në rritjen e mirëqenies së shoqërisë. Pa një liri të tillë nuk do të kishim as Shekspirin, as Gëten, as Njutonin, as Faradein, as Pasterin e as Listerin. Nuk do të kishim as shtëpitë komode për masat e gjera te njerëzve, as hekurudha e radiondërlidhjen, nuk do të kishim as mbrojtjen kundër epidemive, as libra të lira, as kulturë dhe nuk do të shijonim as edhe kënaqësitë e artit për të gjithë. Nuk do të kishim as makineritë që i kanë çliruar njerëzit nga puna e rëndë, që është e nevojshme për plotësimin e nevojave thelbësore të jetës. Shumica e njerëzve do të bënte një jetë të rëndë prej skllavi, po ashtu si nën despotizmin e vjetër aziatik. Vetëm njerëzit e lirë kanë qenë ata që bënë zbulimet dhe punët intelektuale, që na i kanë bërë jetën tonë shumë të çmuar. 
A mos ka qenë e lehtë rruga drejt këtij progresi intelektual?
Aspak! Prandaj liria duhet mbrojtur! Në qoftë se do të dëshirojmë t’i rezistojmë forcës që rrezikon të mposhtë lirinë individuale dhe intelektuale duhet ta kemi të qartë se cilat janë problemet aktuale të saj dhe kujt ja kemi borxh atë liri që stërgjyshërit tanë e fituan për ne pas betejash të ashpra. Ky është mesazhi i Ajnshtajnit që na transmeton neve dhe brezave. 
Përse Ajnshtajni e thekson me forcë idealin e lirisë?
Sepse pa liri nuk ka krijimtari, nuk ka zhvillim nuk ka demokraci. Kanë thënë se Amerika është bërë e tillë siç është me mirëqenie, me mundësi për njerëzit dhe kampione e demokracisë jo se ka qenë e pasur, por se ka qenë e lirë. Liria sipas Ajnshtajnit është gjeneratori i demokracisë e cila nga ana e vet u krijon mundësi të pafundme individëve për punë dhe veprimtari krijuese. Vetëm individi i lirë e i pavarur mund të mendojë dhe krijojë vlera të reja për shoqërinë dhe, “për më tepër, madje të përcaktojë edhe standarde të reja morali me të cilat përshtatet jeta e komuniteti”. Njerëzit e lirë krijojnë një jetë për vete dhe jo për të tjerët. Njerëzit e lirë dhe krijues janë të prirur të marrin përsipër rreziqe, janë të pashtershëm në ide, energji dhe vullnet për të realizuar idetë e tyre me një këmbëngulje sizifiane dhe me një “shpirt kundërkonformist, jo tekanjoz e kryeneç, por një kundërkonformizëm racional, që buron nga modelet ideale të zgjidhjes së problemeve” (J. P. Sartri).

Vetëm një individ i tillë mund të mendojë dhe pastaj të krijojë vlera për shoqërinë, madje të përcaktojë standarde të reja morali për të. Këtë korrelacion midis individit dhe shoqërisë nuk mund ta shprehte në mënyrë të shterur më mirë se sa Ajnshtajni :”Pa personalitete krijuese të aftë që të mendojnë dhe gjykojnë në mënyrë të pavarur, zhvillimi dhe përparimi i shoqërisë është aq i pa mendueshëm sa dhe zhvillimi i personalitetit të individit pa ushqimin shpirtërore të shoqërisë “. Pra çlirimi dhe izolimi i individit varet nga ushqimi shpirtëror i shoqërisë. Arsimi dhe morali janë mendja dhe zemra e një shoqërie moderne. Deformimet në moral e çojnë një shoqëri në kriza të vazhdueshme politike, institucionale, financiare, administrative. Deformimet në arsim e çojnë një popull në padituri, në injorancë ,sepse “në epokën e paditurisë nuk vihet asgjë në dyshim, madje as atëherë kur bëhen gafat më të mëdha ;në epokën e diturisë dridhemi edhe atëherë kur veprojmë si duhet” ( Monteskje) . Kësisoj sa më pak i arsimuar të jetë një popull aq më lehtë është i mashtrueshëm, aq më e lehtë bëhet goditja e thelbit të ekzistencës së qenies : liria dhe vlerat e individit dhe për rrjedhojë aq më lehtë sundohet dhe skllavërohet populli. Një njeri i arsimuar është në rrugën për t’u bërë perëndi dhe gjysmë i arsimuar për t’u bërë njeri djall.

Kjo tregon se shkalla e lirisë dhe demokracisë së një shoqërie varet se cilin prej llojeve të arsimimit do t’u garantojë qytetarëve të vet – drejt perëndisë apo djallit?
Kësisoj, nga të gjitha problemet, të cilat sot trajtohen të jenë të një rëndësie kaq të madhe, në të vërtetë është vetëm një i tillë. Ai është i një rëndësie kaq të madhe, sa gjithë koha dhe energjia e botës si zor të ishin të mjaftueshme për ta zgjidhur d m th, injoranca e njerëzve që kanë në dorë arsimin të cilët e kanë lënë dhe vazhdojnë ende t’a lënë këtë popull dhe rini në gjysmë dije. Në institucionet tona arsimore nuk investohet intelekt, por mediokritet, nuk investohet dinjitet, por vulgaritet. Shoqëria e re kërkon arsim të ri, shkollë të re, universitet të ri, mentalitet të ri që prej tyre të mos dalin “individë standard, pa origjinalitet personal dhe pa qëllime personale… Jo shtetas të nënshtruar, servilë ndaj regjimit që çon në shkatërrimin e idealit. Simptoma më e turpshme e humbjes së dinjitetit personal nga e cila vuan civilizimi është pikërisht ky individ standard….. Kjo njollë mortaje e qytetërimit duhet hequr me shpejtësinë më të madhe… Përkundër kësaj, duhen:” Qytetarë të formuar me normat dhe standardet e demokracisë e të së drejtës, të cilët e konsiderojnë shërbimin e tyre për shoqërinë si problemin më madhor të jetës së tyre. “-na mëson Ajnshtajni. Kjo duhet të ishte super sfida e politikës arsimore përgjatë këtyre vjetëve të agonisë së tranzicionit dhe jo politizimi e militantizmi i tyre nga partitë politike për ta pasur më të lehtë” turmëzimin “dhe manipulimin e tyre. Dhe replikat për arsimin nga të gjithë përfaqësuesit e të gjitha partive politike nuk janë shprehje e shqetësimit real për të krijuar qytetarin por shprehje ‘makabre’ për influencë e ‘ndarje territoresh’ tek nxënësit e studentët, duke i indoktrinuar me veset e tyre qysh në bankat e shkollës. Kjo është kriminale! 
Sigal