A do të lëshohet pushtet për të bërë shtet?!

390
Koço Broka

Para disa ditësh u botua shkrimi, “Institucione të pavarura, të varur nga politika dhe politikëbërësit” e Prof. Asc. Dr. Rezana Konomi. Ndryshe nga herët e tjera, kur e përshëndes zonjën Konomi për artikujt që boton, dhe shkoj e shkëmbej mendime lidhur me problemet e ngritura, duke pirë edhe një kafe si ish kolege e miq të vjetër, mendova që fillimisht le të hedh edhe unë disa mendime për këtë çështje jo të vogël për shoqërinë dhe ekonominë shqiptare. Një arsye më tepër ishte se tani unë po mbyll karrierën në një Institucion të Pavarur siç është e duhet të jetë Autoriteti i Konkurrencës, (në të do të zgjidhen dy komisionerë të rinj) dhe do s’do automatikisht i bëj vetes një reflektim, por që mund të ketë ndonjë vlerë dhe tek të tjerët dhe në procesin e sigurimit të pavarësisë së institucioneve në vendin tonë. Një shtysë është edhe ajo se si kurrë më parë, është shtruar dhe rishtruar pyetja: Ç’është ky nxitim për t’i marrë të gjitha pushtetet?! Në kushtet kur shtesa natyrore e popullsisë së Shqipërisë është vetëm me 11-10 mijë vetë në vit dhe kur vetëm numri i azilantëve sivjet është mbi 27 mijë vetë, ka vend për reflektim nga kushdo dhe përmirësim kudo ku është e mundur. Personalisht mendoj dhe kam punuar që Institucioni i Konkurrencës të jetë një institucion i pavarur. Natyrisht këtu ka një moment që dua të evidentoj për lexuesin: Përzgjedhja dhe votimi im si komisioner i AK ka qenë i varur totalisht nga politika dhe politikëbërësit. Është rasti që të shpreh edhe njëherë mirënjohjen, si për propozuesit e mi konkretë në këtë detyrë, nga më profesionalet në karrierën time dyzetvjeçare, Partinë Socialiste dhe Grupin e saj Parlamentar që më ka mbështetur dhe gjithë politikëbërësit që më kanë votuar. Madje në mandatin e parë unë nuk kam kërkuar të zgjidhem si komisioner. Por si anëtar nga më jetëgjatët e aktiv me kontribut real në komisionit ekonomik të PS, jam propozuar në të. Arsyetimi ishte në thelb pak a shumë ky. Nuk duhet të ketë vetëm bedelë, por ai që kontribuon e ka kontribuar, sidomos në periudha të vështira të fillimeve të pluralizmit si ato të vitit 1992 apo Referendumin të 6 Nëntorit 1994 , kur kishte një nxitim shumë të madh për të marrë të gjitha pushtetet, të promovohen. Në Partinë Socialiste edhe grupin e saj parlamentar kishte dhe kanë mbetur ithtarë dhe jo vetëm përsëritës retorikë, të sentencës “Lëshojmë pushtet për të bërë shtet” Por kjo nuk do të thotë se sindroma Zapata, nuk është shfaqur e nuk ka infektuar apo nuk bën presion ndaj mjaft prej tyre. Ndërkohë nuk është lehtë të lëshosh pushtet kur bëhet fjalë se mund të të humbësh pushtet ekonomik, i cili ballafaqohet me konkurrencën dhe institucione realisht të pavarura në mbrojte dhe promovim të saj. Këto të fundit kufizohen edhe nga pushteti gjyqësor apo mediatik. Lajmi për Vendimin e Komisionit dhe Autoritetit për shkeljen e konkurrencës në telefoninë celulare, u botua deri tek gazeta Zhemnhibao, por jo nga shumë media në vendin tonë. Ndërsa një vendim i Komisionit të Konkurrencës, i vitit 2005, akoma nuk ka kaluar kalvarin e proceseve gjyqësore… Por mirënjohja shkon edhe për politikëbërësit e ngjyrave të tjera politike e, sidomos ato të Partisë Demokratike, të cilët e kanë dhënë votën e tyre pa rezerva si në mandatin e parë ashtu dhe të dytë, mbështetur në profilin tim ekonomik apo publicistik. Por kjo ka qenë deri tani mënyra e zgjedhjes të gjithë anëtarëve të Komisionit të Konkurrencës. Me sa duket në grupet parlamentare kishte jo pak nga ata që janë distancuar realisht nga monizimi i pushteteve dhe i kanë besuar si ndarjes së pushteteve, por dhe i kanë besuar dhe kanë mbështetur kontrollin e ndërsjellët të tyre. Përzgjedhjen për të punuar në një institucion të pavarur, që ka të bëjë me zëmrën dhe motorin e zhvillimit ekonomik të shoqërisë sonë –konkurrencën, e kam konsideruar si një përgjegjësi, ku shumë kush mund të thotë sot: “Nuk paskemi bërë zgjedhje të keqe.” Ndërsa bizneset nën hetim, qoftë ata që kanë pësuar gjobë, të mos kenë vërejte për mungesë profesionalizmi e anësi. Ndërkohë dua të evidentoj se pavarësisht nga përkatësia partiake e anëtarëve të komisionit, pavarësisht nga trashëgimia shumë e ndryshme politike, në Komisionin e Konkurrencës është bërë e mundur që të shmanget politizimi e konfrontimi politik, të injektohet apolitizimi e respektimi i ndërsjellë dhe t’i hapet rruga dhe hapësira debatit e diskutimit konstruktiv. Natyrshëm lind pyetja: Në se drejtuesit, bordet, komisionerët e Institucioneve të Pavarura e tyre zgjidhen nga politika dhe politikëbërësit, a mund të jenë ato entitete, të cilat shërbejnë për të rregulluar në mënyrë të pavarur, funksione të ndryshme të jetës publike?! Duke mbetur dakord për atë marrëveshje, se fjala e pavarur nuk mund të jetë absolute, se ajo nënkupton varësi nga ligji, përgjigja ime është: PO. Institucionet, përfshi ato të pavarura në një vend demokratik si i yni, pavarësisht maturimit të saj janë produkt e e do të jenë pjellë e politikës dhe politikëbërësve. E keqja, shmangja e pavarësisë së kërkuar dhe mirëpritur, nuk kufizohet e nuk buron nga ky moment në vetvete, i cili natyrshëm ka rolin e ndikimin e vet që në zanafillë, zgjedhjen e organeve drejtuese të këtyre institucioneve. Vetë sistemi ynë demokratik kërkon ndarjen e pushteteve, në atë legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor, apo vetë ndarjen e pushtetit ekzekutiv në agjenci të panumërta dhe në institucione të pavarura të lidhura dhe ndërvarura midis tyre. Pavarësia e institucioneve të pavarura por edhe eficienca e tyre nuk realizohet në një hapësirë bosh por në hapësirën e ndërveprimit dhe bashkëpunimit me gjithë llojet e pushteteve. Ashtu si për gjithë institucionet e tjera të pavarura dhe për Autoritetin e Konkurrencës nga njëra anë pavarësia nuk është absolute por relative, nga ana tjetër, si kudo në botë qeveria apo mazhoranca mund të ndikojë e ndikon si nëpërmjet ligjeve, vendimeve, procedurave por edhe nëpërmjet emërimi të drejtuesve. Natyrisht ka rolin e vet se sa fin realizohet ky proces, si në filmin Mbreti i Shumavës, ku automatiku fshihej në një mbajtëse violine apo në një tra, si në filmin Detyrë e posaçme? Ky është një proces, ballafaqim dhe harmonizim interesash ku dhe punonjësit e institucioneve të pavarura nuk janë nënë Tereza-shenjtorë, por përbëhen nga njerëz, pjesë e ambientit të shoqërisë sonë me interesa, ku integriteti e aftësia profesionale luajnë ndoshta pse jo një rol të dorës së parë, në realizimin de fakto të pavarësisë dhe eficiencës së dëshiruar nga mbarë shoqëria. Zgjedhja e njerëzve të duhur, me ndikime të mëdha në mbarëvajtjen e pavarësisë dhe eficiences të institucioneve të pavarura, është me sa duket sa e rëndësishme, por edhe jo aq e lehtë për tu realizuar si duhet. Ja përse kur flitet për mirëfunksionimin e Autoriteteve të Konkurrencës, përmendet jo rastësisht Mario Monti, i cili natyrshëm është zgjedhur edhe kryeministër i një ekonomie të madhe. Por në ditën e konkurrencës unë do të veçoj dhe rolin e zonjës Lindita Lati si një ish kryetare e Komisionit të Konkurrencës, që u angazhua për të bërë më të mirën, për ngritjen e një institucioni të pavarur, duke respektuare krijuar hapësirën institucionale për realizmin e mendimit ndryshe e sa me konstruktiv. Por le ti kthehem pak shqetësimit të ngritur nga znj. Konomi, rolit të procedurave të zgjedhjes së kandidatëve dhe votimit nga politika e politikëbërësit A mundet që propozimi dhe përzgjedhja e kandidatëve në dhe nga komisioni që mbulon fushën përkatëse të mos vijë vetëm nga grupet parlamentare, por edhe nga ata individë që nuk kanë kërkuar dhe nuk kalojnë nëpërmjet rrugës të sigurimit të pëlqimit me shkrim nga jo më pak se 28 deputetë?! Personalisht me duket një shqetësim e sugjerim i drejtë, ku rregullorja aktuale e Kuvendit nuk ka përse të bëhet një barrierë të kapërcyeshme. Në fund të fundit janë deputetët e komisionit përkatës që do të zgjedhin kandidatët për komisionerë apo drejtues të institucioneve të pavarura. Por kjo do të ishte një hap jo thjesht procedurial qoftë për të vendosur e ruajtur një balancë sa më të mirë politike, që ashtu siç nënvizohet nga Federal Trade Commission, në raste të tilla jo më shumë se 3 (në 5-së) komisionerë të zgjedhur të jenë propozuar nga e njëjta forcë politike. Institucionet e pavarura, nga vetë thelbi dhe roli i tyre janë institucione ku merr një rëndësi të posaçme aftësia profesionale dhe integriteti i personit. Në këto kushte ti hapësh dritën jeshile shqyrtimit të kandidaturave jo partiake (të cilat në vetvete jo apriori janë të gabuara) është jo vetëm e nevojshme por më se e domosdoshme. Por natyrisht kjo varet totalisht nga fakti se çfarë qëndrimi mbajnë realisht, de fakto, politika, mazhoranca dhe opozita, politikëbërësit dhe vendimmarrësit ndaj konkurrencës. P.sh. Një ndër fushat kryesore edhe të debateve politike por dhe më të rëndësishme për fatet e ekonomisë aktuale dhe të ardhshme në vendin tonë, janë koncesionet dhe partneriteti publik e privat (PPP), për të cilat rezultatet e Autoritetit të Konkurrencës, janë shumë larg angazhimit dhe dëshirës të punonjësve të Autoritetit të Konkurrencës, pa bërë fjalë për segmentet e tjera të shoqërisë sonë. Kjo është fusha kryesore e ballafaqimit midis pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ në lidhjen e tyre me biznesin monopolist nga njëra anë dhe angazhimit për pavarësi dhe eficiencë nga punonjësit e Autoritetit të Konkurrencës nga ana tjetër, ku pavarësisht nga disa rezultate, ky i fundit tani për tani e ka humbur betejën. Koncesionet, PPP-të jepen me ligj apo vendime te Këshillit të Ministrave dhe institucione e agjenci të varura prej tyre. Pavarësisht se ligji Për Mbrojtjen e Konkurrencës, kërkon të mbikëqyrjen ndërmarrjet publike dhe ndërmarrjet, të cilave u janë dhënë nga shteti të drejta ekskluzive ose të drejta të veçanta, ndërmarrjet, të cilave u është dhënë e drejta e ushtrimit të veprimtarisë në fushën e shërbimeve me interes ekonomik të përgjithshëm apo ato, të cilat kanë karakterin e monopoleve të orientuara drejt sigurimit të të ardhura etj ato rrallë janë dërguar paraprakisht për mendim dhe vlerësim para se të miratohen në Autoritetin e Konkurrencës. Kjo ka ndodhur dhe ndodh kur ligji e ka e ngarkuar Autoritetin e Konkurrencës si watch dog. Pra krahas por dhe tej lehtësimit procedurial për të zgjedhur personat më me integritet dhe më të aftë, kryesorja është çfarë kërkojnë realisht politikëbërësit, një watch dog plak apo një watch dog të ri, që të merr gjak në vetull?! 
Në kushtet kur vetë kryetarët e partive politike kanë përqendruar pushtetin në një dorë dhe deputet janë të listës, nuk është aq thjeshtë të mbështet një watch dog i pavarur, jo për qokë, por për të kontribuar realisht në mbrojtjen dhe promovimin e konkurrencës. Duhet qenë realistë. Shihni dhe kujtoni debatet midis deputeteve të forcave politike lidhur me koncesionet dhe PAP-të. Debati vërtitet në atë se kush ka dhënë më shumë dhe kush ka dhënë më pak koncesione, se sa më pak mangësi kanë koncesionet në këtë ose atë periudhë, dhe jo mbi atë, se sa në mënyrë konkurruese janë dhënë ato, sa është realizuar dhe pse nuk po realizohet transparenca, aq shumë e premtuar për to?! Në se shikon fiksimin dhe nivelin e çmimeve të blerjes së energjisë elektrike nga hidrocentralet me koncesion, rentabilitetin e tyre, të ardhurat nga ky proces shkojnë para së gjithash e mbi të gjithash ndaj bankave, dhe shumë më pak tek koncesionarët vendas, në dëm të konsumatorëve të energjisë elektrike, duke ulur padrejtësisht dhe artificialisht eficiencën e ndërmarrjeve të tilla si KESH, madje duke krijuar e rritur borxhet e saj. Është krijuar një situatë për të pasur zili jo vetëm ekonomistët e NEP-it por dhe vendimmarrësit e viteve tetëdhjetë kur bënin llogaritjet dhe vendimin për leverdishmërinë për ngritjen e këtij apo atij hidrocentrali, në kushtet e një ekonomie të centralizuar. Ndërkohë nuk mund të mos shohësh se se po sfazohet e shtyhet në legjendat greke, liberalizmi i tregut të energjisë elektrike dhe për rrjedhojë dhe konkurrenca në të. Kur krahason normën e fitimit apo normën e kthyeshmërisë të investimeve të ndërmarrjeve të mëdha që operojnë në tregon e zakonshëm me ato që operojnë në koncesione dhe PAP, nuk mund të mos bjerë në sy niveli shumë i lartë i këtyre të fundit. Ndërkohë stoku i kredisë bankare, ka mbetur në vend që nga fundi i vitit 2012. Pra në zhvillimin dhe aftësitë konkurrues të sipërmarrjes shqiptare ka diçka mjaft serioze, që çalon. Disa prej tyre e kanë gjetur rrugëzgjidhjen në shtimi i koncesioneve. Por ato dhe PAP-të nuk janë shkopi magjik që mund të zgjidhë rrethin vicioz ku e kanë shpënë rritja galopante e borxhit dhe rritja e tatim-taksave, tarifave. Premtimet për uljen e borxhit publik janë të hershme që në fillimet e kësaj dekade, por ato nuk janë bërë realitet, të paktën deri ne vitin 2016, ku borxhi publik. Koha kërkon simbiozën midis promovimit dhe mbrojtjes së konkurrencës dhe rritjes së aftësive konkurruese të sipërmarrjes dhe ekonomisë shqiptare. Këto e fundit nuk mund të realizohen pa një konkurrence të lirë efekteve por dhe të ndershme, pa trajtimin integral të këtyre të fundit. Pavarësisht presionit ligjor direkt apo indirekt të organeve shtetërore ekzekutive e ligjvënëse, drejtuesit e komisionerët e institucioneve të pavarura duhet të marrin vendime në përputhje dhe në zbatim të ligjit, në interes të shoqërisë, konkurrencës në treg, promovimit dhe nxitjes të saj duke qenë të kujdesshëm të mos dëmtohet padrejtësisht çdo biznes që punon dhe është korrekt me ligjin. Me Komisionin e Konkurrencës ndodh si me faullin në futboll, kur ai ndodh de fakto është e nevojshme të bëhet dhe de jure faull. Por kjo mundësohet kur e shikojnë, dallojnë dhe shpallin arbitrat në fushë, por ai ndonëse ka ndodhur nuk konsiderohet i tillë përderisa sa arbitrat nuk e shohin ose bëjnë sikur nuk e shohin. Në këtë rrafsh, jo më pak rëndësi ka pavarësia që mundësojnë rregullat e brendshme të funksionimit të institucionit, por dhe krijimi i hapësirave proceduriale si brenda përbrenda komisionit por dhe midis komisionit, dhe sekretariatit e specialistëve hetimorë. Vendime sinjifikative si ato për shkeljen dhe rregullimin e konkurrencës në tregun e telefonisë celulare, janë dëshmi e qartë se çfarë rëndësie ka sa puna në ekip, por dhe mbështetja dhe nxitja e profesionalizimit të çdo specialisti hetimor. Me një hetim e një raport profesional u mundësua një vendimmarrje me efekte dhe ndikim real në treg Ndërsa qëndrimi i Komisionit të Konkurrencës për rastin e shkeljes së konkurrencës me naftën D2, dëshmon se si mund të realizohet të paktën raporte dinjitoze midis një institucioni të pavarur ndaj Qeverisë. Megjithatë ashtu si në vendet e tjera me ekonomi tregu në fund të fundit fjalën e kanë organet e zgjedhura nga populli. Nga to varet dhe zgjedhja midis një watch dog të ri apo atij plak. Në dorë të tyre, është jo vetëm rregullorja e Kuvendit me konceptin e “dhënies së pëlqimit” nëpërmjet sigurimit të 28 firmave të deputetëve, por dhe ligjet e tjera që mundësojnë mirëfunksionimin e institucioneve të pavarura për mbrojtjen dhe promovimin e konkurrencës së lirë efektive në harmoni me konkurrencën e ndershme që parashikojnë qeveritë në programet e tyre. Është çështje fryme jo vetëm germe. Gjithsesi mendoj koha kërkon që kandidatët, qoftë nga ata me pëlqimin e 28 deputeteve qoftë pa të, ti përgjigjen pyetjes: çfarë mendojnë se mund të bëjnë më mirë se paraardhësit, që Autoriteti i Konkurrencës, Komisioni i Konkurrencës si ekip të realizojë kërkesat e Ligjit Për Mbrojtjen e Konkurrencës, lidhur me koncesionet dhe PAP, dhe ky institucion të realizojë veten si institucion i pavarur dhe një raport dinjitoz profesional me Qeverinë apo institucionet të tjera shtetërore?!