Sigal

7 deri në 8 mijë persona mendohet se janë përdorues të rregullt droge në Shqipëri.

Ndonëse flitet për një numër relativisht të lartë, kësaj kategorie u ofrohen shumë pak shërbime nga shteti. Si të mos mjaftonte kjo, disa qendra me donacione të huaja janë mbyllur, ndërsa të tjerat që funksionojnë nuk mund t’u përgjigjen të gjitha kërkesave.

Revista prestigjioze “The Economist” e rankoi Shqipërinë pak ditë më parë, si vendin e parë në botë për konsumin e kokainës në raport me popullsinë. Sipas saj, 2.4% e popullsisë në vend janë përdorues kokaine.

Genci Muçollari i shoqatës “Aksion Plus” thotë për Top Channel se nga kontaktet me mjekët e toksikologjisë, mësohet se janë rritur rastet e përdoruesve të kokainës.

Raportohet gjithashtu se është rritur edhe numri i vdekjeve nga overdoza. “Deri dje nuk kishte të dhëna për overdozat, mendohet se ishin 4-5 në vit, ndërsa aktualisht numri ka shkuar nga 10-12 në vit”, shprehet Muçollari.

Dhe ajo që shikohet si problematike, është edhe mungesa e medikamentit “Naloxone”. Ky medikament që mund të shpëtojë jetën e një përdoruesi droge, mungon në urgjencat e spitaleve.

Qytetet kryesore ku janë evidentuar përdoruesit e rregullt të drogës janë nga Tirana, Fieri, Vlora, Berati dhe Shkodra.