720 persona lënë qelinë, Nishani derkreton amnistinë

598
Presidenti Bujar Nishani ka dekretuar ligjin për dhënien e amnistisë. Me këtë ligj të miratuar në Parlament në 21 dhjetor të vitit të kaluar, përfitojnë më shumë se 720 persona të cilët lirohen nga qelia.
Kuvendi e ka dërguar në Presidencë për dekretim këtë projektligj që më 29 dhjetor. Për vonesën në dekretimin e ligjit pati reagime dhe nga avokatët penalistë.
Sipas procedurës, pas miratimit të një projektligji në Kuvend, ai i dërgohet Presidentit të Republikës, i cili duhet ta shpallë atë brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij. Ndërsa hyrja e ligjit në fuqi ndodh me kalimin e jo më pak se 15 ditëve nga botimi i tij në Fletoren Zyrtare, përveç rasteve kur Presidenti i Republikës jep pëlqim për hyrje në fuqi menjëherë pasi të jetë njoftuar publikisht.
AMNISTIA
Ligji për dhënien e Amnistisë u miratua në Kuvend me 110 vota të mazhorancës dhe opozitës në seancën plenare të 21 dhjetorit 2015. Drafti fillestar i tij përcaktonte 6 kategori përfituesish, duke përcaktuar edhe veprat penale të cilat do të amnistoheshin. Gjatë diskutimit të draftit në Komisionin e Ligjeve u propozua që të amnistoheshin edhe të dënuarit për vjedhje të energjisë elektrike, propozim që u pranua në votimin përfundimtar. Nga amnistia përfitojnë personat e dënuar me burg deri në 2 vjet, të dënuarit me kusht, gjobë, apo me dënime alternative.
Përfitues nga amnistia janë edhe personat e dënuar me burgim, të cilëve, që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u kanë mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 2 vjet. Nga ky ligj do të përfitojnë personat e dënuara femra, që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç dhe po ashtu personat e dënuar meshkuj, që në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.
Kategoria e fundit e përfituesve janë personat e dënuar me burgim të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç. Sipas ligjit, të gjithë të dënuarat që nuk përfitojnë nga kriteret e përcaktuara në amnisti do të përfitojnë ulje 1.5 vjet për femrat dhe 1 vit për meshkujt. Në masën 1.5 vjet, do t’u amnistohet edhe personave që në kohën e kryerjes së veprës penale kanë qenë të mitur.
Sigal