7 koncesionet e reja në 2023, do të përpijnë edhe 1 mld USD

141
Sigal

Edhe pse FMN, BB dhe BE kanë paralajmëruar qeverinë shqiptare që të ndërpresë dhënien me PPP të shërbimeve në Shqipëri, projektbuxheti i vitit 2023 ka planifikuar dhënien e 7 kontratave të reja me vlerë 1 miliard USD, të cilat do paguhen nga xhepat e qytetarëve. Pjesën e luanit do ta marrin akset rrugore Kashar -Lekaj, Lekaj-Fier, Milot-Thuman, ‘Çelsat publik’ dhe PPP për ndërtim shkollash edhe pse nxënsit po braktisin vendin.

Qeveria nuk i konsideron si borxhe, por këto janë realisht borxhe afatgjata, që dalin nga financat publike, duhet një kujdes i madh për të menaxhuar këto kontrata PPP

 

Koncesionet janë përballur me kritikat e forta të institucioneve ndërkombëtare. Në pjesën më të madhe sipërmarrjet kishin lidhje me pushtetin – për shkak të fitimeve të shpejta e të lehta.Një biznes, që shumëkush do ta ëndërronte, pasi rreziku garantohet kryesisht nga shteti. Madje siç po rezulton nga hetimet e SPAK ka dhe raste kur kompanitë marrin paratë nga buxheti dhe nuk bëjnë pothuajse asgjë (si në rastin e inceneratorëve) apo të koncesioneve të shëndetësisë, të cilat janë nën hetim nga SPAK.  Koncesioni i pullave fiskale rëndon bizneset pasi  paguajnë 8 fish më shtrenjtë. Në BE paguhet 3 USD/1 mijë pulla, në Shqipëri 24,4 USD. KLSH nxori zbuluar abuzimet me peshën dhe matjet në dëm të konsumatorit duke i rritur çmimin e karburantit dhe gazit. Gjatë kryerjes së verifikimeve në terren rezulton se mbi 5% e totalit të instrumenteve matës të verifikuara rezultojnë me probleme. Nuk parashikohet në asnjë nen të kontratës masa ndaj koncesionarit pasi riskun financiar ja kanë kaluar shtetit, biznesit dhe konumatorit. Koncesioni i markimit, rri kosotot për qytetarët , ku duhet të paguajnë  përveç taksave edhe  për një lëndë ngjyruese, që thuhet se bënë që të mos ngatërrohet cilësia e naftës.

Ndëkohë që PPP-të  përballen me kritika Qeveria me projektbuxhetin e vitit 2023 ka planifikuar dhënien e 7 kontratave të reja me koncesion me vlerë rreth 1 miliardë dollarë. Sipas projektbuxhetit të publikuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë vlera më e madhe i takon ndërtimit të aksit të ri rrugor Kashar-Lekaj me vlerë 56,7 miliardë lekë. Ndërsa kontrata e dytë më e madhe është ndërtimi i segmentit rrugor Lekaj-Fier me vlerë 37,9 miliardë lekë.

Koncesionet me vlera më të vogla janë ato për ndërtimin e rrugës Milot-Thumanë me vlerë 5,2 miliardë lekë dhe dy kontrata me partneritet publik privat për përmirësimin e infrastrukturës arsimore në bashkinë Tiranë për 4 objekte arsimore në zonë 3. Dy kontratat me koncesion për infrastrukturën arsimore janë në vlerën e 5,1 miliardë lekëve.

Kompanitë marrin paratë nga buxheti dhe nuk bëjnë pothuajse asgjë (si në rastin e inceneratorëve) apo të koncesioneve të shëndetësisë, të cilat janë nën hetim nga SPAK.

Dy kontrata e tjera me vlerë më të vogël ai për ofrimin e shërbimeve të infrastrukturës së çelësave publikë (PKI) 208,8 milionë lekë dhe kontrata për ndërtimin e aeroportit të Sarandës me vlerë 4,2 miliardë lekë ishin të parashikuara për të filluar që në 2022.

Vlera e koncesioneve të reja është 109 miliardë lekë duke e çuar në total rreth 781 miliardë lekë vlerën e kontratave koncesionare apo 36% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Për vitin 2023 shpenzimet buxhetore për koncesionet parashikohen deri në 13,4 miliardë lekë (më rënie 2,3%). Krahasuar me buxhetin e rishikuar 2022, shpenzimet që janë parashikuar për mbështetje buxhetore ndaj koncesioneve janë në rritje me 2,5%.

Projektbuxheti i ardhshëm nuk ndërpret pagesën për inceneratorin e Tiranës që ende nuk ka nisur nga puna. Për këtë koncesion për 2023 pagesat e buxhetit do të jenë në vlerën e 1,2 mld lekëve. Për dy kontratat e tjera atë të Fierit dhe Elbasanit që janë në ndjekje penale nuk parashikohen mbështetje buxhetore për 2023.