500 banorë të Komunës së Xarrës –Sarandë, sot në protestë ndaj Rilindjes

562
Sigal

Banorët: Nuk tërhiqemi nga kërkesat jonë, përvetësimin i tokës po bëhet me mjete kërcënuese

SARANDË-Përfaqësuesit e Komunës Xarrë, Sarandë sot do të jenë në protestë në orën dhjetë, ndaj përpjekjeve të kryetarit të komunës dhe deputetit Koço Kokëdhima, për krijimin e një kooperative bujqësore në tokat bujqësore të lëna në disponibël të shtetit. Në redaksinë e gazetës “Telegraf” ka ardhur një përfaqësi e shoqëruar edhe me një peticion të firmosur me 500 firmëtarë nga të gjitha fshatrat e kësaj komune duke regjistruar protestën e parë masive të këtij komuniteti, pas zgjedhjeve të 23 Qershorit.  Ndërkohë, mësohet se, vazhdon firmosja e peticionit. Përfaqësia e dërgatës së komunitetit të Xarrës sqaron se, ky përshkallëzim i kundërshtisë së tyre ndaj kësaj iniciative, që sipas tyre është mafioze, vjen pas dy takimeve me kreun e komunës dhe deputetin, por janë ndeshur në kokëfortësinë e kreut të komunës ndaj kërkesave të tyre. Banorët e komunës së Xarrës kërkojnë në radhë të parë transparencë të plotë ndaj kësaj ndërmarrjeje në tokat e shtetit. Kush e ka numrin e llogarisë bankare që u është shpërndarë banorëve për të derdhur para në bankë, pasi ditët e fundit është shpërndarë një njoftim për banorët ku u kërkohet që të derdhin shumën e deklaruar në lekë në llogarinë bankare NR=556099 tek banka Credins në Sarandë, për llogari të “Shoqërisë së bashkëpunimit Bujqësor-Xarrë”. Kur u krijua kjo shoqëri dhe kush është administratori i sajë, pasi këta fermerë nuk dinë gjë. Lidhur me këtë, përfaqësia e këtij komuniteti thotë se, është edhe një fakt që hedh dyshime, pasi fillimisht kryetari i komunës, në takimet e para me ta u hodhi idenë se, të anëtarësohen në kooperativë, ç’do anëtarë duhet të paguaj në llogari bankare 50 mijë euro, më pas u ul kjo shifër në 40 milionë shqiptare, duke ardhur në ulje deri tek 16 milionë lekë, e më pas tani në 100 mijë lekë të vjetra. Po çfarë po ndodh në të vërtetë?! Janë rreth 130 Ha tokë bujqësore (e quajtur në zonën e Bufit) në këtë komunë të patrajtuar nga ligji i tokës 7501, por e lënë në dispozicion të shtetit për kompensim të ish-pronarëve. Tani papritmas kthehet në interesa të ngushta për krijimin e një kooperative. Banorët e disa fshatrave shprehen se, nuk janë kundër kësaj iniciative, por kërkojnë transparencën dhe kjo fshihet pas fjalëve të kryekomunarit se, doni apo nuk doni ju, kjo do të bëhet. Banorët e kësaj zone shprehen për ankesën e tyre vetëm një ditë para protestës së parë, dhe dëshirojnë që të mbetet edhe e fundit, se ministrin Panariti po e mashtrojnë manipuluesit edhe me intervista në emisione televizive të paguara, ministri nuk njeh realitetin, por protesta do të përshkallëzohet në qoftë se, qeveria nuk reagon ndaj kërkesës së tyre të drejtë dhe nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë grabitjen e pronave dhe mashtrimin e përvetësimin që po bëhet hapur edhe me mjete kërcënuese. Nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre pa asnjë kusht dhe kompromis, pasi vërehet që, për krijimin e sajë kanë regjistruar stafin e komunës dhe njerëz jashtë komunës, kjo nuk do të lejohet me të gjitha format. “Kooperativa të krijohet pasi të mblidhet komuniteti dhe të formohet me zgjedhje asambleja me një statut ligjor, ku të përcaktohen qartë rregullat e lojës dhe të gjithë të jemi pjesëtar dhe të bëhemi partner me një bankë për llogaritë financiare. Ndryshe, do t’i themi stop këtij abuzimi dhe mashtrimi”,- përfundojnë banorët e komunës Xarrë.