40 mln euro pa garë në vetëm 3 tendera, ARRSH “masakër” mbi fondet publike

118

“Autoriteti Rrugor Shqiptar ka mbyllur tre tendera gjigandë, me vlerë totale 40 milionë euro, ku të gjithë janë me “flamuj të kuq”, nën dyshimet për shkelje ligjore, favorizim kompanish të caktuara dhe abuzim me fondet publike.”

Sigal

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka mbyllur tre tendera gjigandë, me vlerë totale 40 milionë euro, ku të gjithë janë me “flamuj të kuq”, nën dyshimet për shkelje ligjore, favorizim kompanish të caktuara dhe abuzim me fondet publike.Institucioni i drejtuar aktualisht nga Evis Berberi, ka qenë prej vitesh në qendër të kritikave për menaxhim aspak efikas të fondeve publike. Madje, një prej paraardhëseve të Berberit, Sonila Qato, është marrë së fundmi e pandehur për shkelje të rënda në tenderat e rrugëve.Por, rasti i Qatos është shumë herë më “i butë” se sa sasia e tenderave të dyshimtë, të zhvilluar në një njësi të shkurtër kohore, nga administrata e drejtuar nga Berberi.

“Boldneës.al” ka kryer verifikimet mbi procedurat e fundit tenderuese të zhvilluara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.Procedura e parë është “Zgjerimi i rrugës Elbasan- Qafë Thanë, (Faza 1)”, me fond limit 21.5 milionë euro“.Procedura e dytë është “Sistemimi dhe rivitalizimi i skarpateve në Plani i Bardhë”, me fond limit 10.5 milionë euro“. Procedura e tretë është “Sistemimi dhe rivitalizimi i skarpateve në Shkallën e Tujanit”, me fond limit 9.5 milionë euro“. Të treja procedurat kanë dy të përbashkëta problematike; (1) Janë skualifikuar të gjithë konkurrentët, duke mbetur në garë vetëm fituesi; (2) Fituesi nuk ka dhënë ofertën më të ulët.

Ka edhe një detaj përbashkues, që duket disi periferik-të treja procedurat janë shpallur në të njëjtën ditë-në 21 shtator 2022 dhe janë mbyllur në të njëjtën ditë-8 nëntor 2022. Këto detaje janë të mjaftueshëm për të ngritur ‘flamurin e kuq” të dyshimeve mbi procedura të paracaktuara, sipas manualeve ndërkombëtare të prokurimeve publike.

21.5 mln euro për 5 km rrugë

Në 21 Shtator të këtij viti, ARRSH shpalli tenderin “Zgjerimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë (Faza e I), me fond limit 25 miliardë lekë të vjetra ose 21.5 milionë euro.Tenderi, që në shpallje të tij, u shoqërua me dyshimet për fryrje tej mase të faturës financiare. Sipas dokumenteve të procedurës, ky tender synon vetëm zgjerimin dhe rikonstruksionin e një aksi rrugor prej 5 kilometrash, në një rrugë fushore dhe pa asnjë vështirësi teknike. Dyshimet mbi këtë tender u shtuan akoma më shumë në përfundim të procedurës. Sipas të dhënave zyrtare, në garë kanë marrë pjesë 6 operatorë ekonomikë. Në përfundim, fitues u shpall kompania “Alb-Building”, me ofertën 21.8 miliardë lekë të vjetra. Oferta fituese nuk ishte më e ulta, por ARRSH e Berberit e shpalli të suksesshme, pasi skualifikoi të gjithë pjesëmarrësit e tjerë nga gara.

10 mln euro për Planin e Bardhë

Po në 21 shtator 2022, Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli procedurën tenderuese “Sistemimi dhe rivitalizimi i skarpateve në Plani i Bardhë”, pjesë e Rrugës së Arbrit, me fond limit 11.7 miliardë lekë të vjetra ose 10 milionë euro.

Edhe ky tender u shoqërua me dyshime për fryrje të faturës së Rrugës së Arbrit. Dyshimet paraprake mbi procedurën forcohen edhe në shpalljen e fituesve. Sipas të dhënave zyrtare, rezulton se në garë kanë marrë pjesë 6 konkurentë. Në përfundim, fitues është shpallur bashkimi i operatorëve “Selami” + “Company Riviera 2008” + “Garden Line”.Oferta e fituesit është 11.1 miliardë lekë të vjetra. Kjo ofertë nuk ishtë më e ulta, por ARRSH e shpalli fituese, pasi eleminoi konkurentët e tjerë.

9.5 mln euro për skarpatet e Tujanit

Tenderi që plotëson “treshen e dyshimtë” është “Sistemimi dhe rivitalizimi i skarpatave në Shkallën Tujanit”, me fond limit 11.24 miliardë lekë të vjetra, ose 9.5 milionë euro.Në këtë garë rezulton që kanë marrë pjesë dy konkurentë. Fitues u shpall bashkimi i operatorëve Ante-Group” & “Ferro Beton & Construction co” & “Bilgin Taahhut Insaat Madencilik Sanayi ve Ticaret ltd”, me ofertë 11.12 miliardë lekë të vjetra, ose me 99 përqind të fondit limit.Konkurrenti tjetër, i cili kishte paraqitur ofertë më të ulët, u skualifikua nga ARRSH e Evis Berberit.