40 minuta pritje në stacion, vijon kaosi me urbanët në kryeqytet, çfarë kërkon Shoqata e Transportit

186
Sigal

Ditët e fundit pritja e urbanit më shumë së 40 minuta në stacion është realiteti i mijëra qytetarëve në Tiranë. Autobusët e linjave të ndryshme vijnë rrallë, për shkak të protestës së Shoqatës së Transportit Urban.

Pensionistë, punëtorë të thjeshtë apo studentë nuk i përkasin një fashe të privilegjuarish. Ata nuk kanë një automjet për të lëvizur dhe protesta e shoqatës së transportit jo vetëm u ka prishur shumë “punë”, por ka vënë në provë edhe durimin, pasi autobusët kur janë në kulmin e lëvizjes dhe fluksit janë kthyer në ferrin e mëngjeseve të tyre.

Nëpër stacione, nuk është e vështirë të gjesh njerëzit të stresuar nga pritja e gjatë.

Shoqata e Transportit, si një mënyrë presioni ndaj qeverisë dhe bashkisë Tiranë, ka përgjysmuar shërbimin e autobusëve, dhe po punon me 50% të kapacitetit.
E gjitha është një luftë nervash mes shoqatës që kërkon para nga pushteti lokal dhe qendror, konkretisht: rimbursim të biletës në 30 lek, rimbursim të abonesë në vlerën 600 lekë, uljen e tvsh-së dhe heqjen e akcizës.

Kërkesa për të rritur çmimin e biletës ne 700 leke të vjetra penalizon qytetarët me të ardhura të pakta, të cilët nuk ngurojnë të shprehin zhgënjimin nëse miratohet. Për ta rritja e biletave do të thotë lëvizje më e kufizuar. Udhëtarë të tjerë ankohen se disa linja nuk arrijnë t’i plotësojnë kushtet minimale dhe se rritja e çmimit thjesht po përkeqësonte një shërbim që ishte tashmë nën standardin e pranueshëm.

E derisa të gjendet një zgjidhje, qytetarët do të vijojnë të mbajnë mbi supe përplasjet me operatorëve që veprojnë në kryeqytet dhe institucioneve me shpresën se nuk do gërmojnë edhe njëherë tjetër thellë në xhepa për të paguar çmimin e biletës.

Sipas të dhënave zyrtare të bashkisë Tiranë, transporti publik urban përdoret mesatarisht nga rreth 200,000 persona në ditë, ku pjesa më e madhe, rreth 65%, udhëton me biletë dhe një pjesë më e vogël përdorin abonentë apo librezat.