Shqiptarët me gomone drejt Ruandës? Gjykata i jep të drejtë qeverisë britanike për dërgimin e azilkërkuesve në Ruanda

101
Sigal

Gjykata e Lartë i ka dhënë të drejtë qeverisë britanike, për të dërguar azilkërkuesit në Ruanda.

Sipas gjykatës skema e qeverisë është e ligjshme, por Home Office do të duhet të rivlerësojnë tetë raste të personave që ishin planifikuar të deportoheshin.

Vendimi i sotëm, i cili pritet të apelohet, i jep të drejtë qeverisë që të dërgojë azilkërkuesit në vendin afrikan, në mënyrë që ata ta presin vendimin për rastin e tyre nga ky vend. Zakonisht vendimi final për azilkërkuesit merr edhe vite për tu përfunduar.

Ky vendim prek edhe shqiptarët të cilët kalojnë La Manshin me gomone. Duke qenë se ata vijnë nga një vend që konsiderohet i sigurtë dhe kalojnë në vende të Bashkimit Europian, derisa mbërrijnë në Britaninë e Madhe, përmbushin kushtet për t’u dërguar në Ruanda.

Kujtojmë se së fundmi qeveria britanike ka firmosur një marrëveshje me qeverinë shqiptare për deportimin e menjëhershëm të emigrantëve të paligjshëm të cilëve u refuzohet azili. Gjithashtu Britania ka ngritur një njësi me rreth 400 punonjës, që do të shqyrtojnë në mënyrë të shpejtë kërkesat e shqiptarëve, të cilët janë kthyer në qendër të vëmendjes në MB, për shkak të numrit të lartë që kalojnë Kanalin dhe kërkojnë azil.

Sipas gjykatës skema e qeverisë për dërgimin e azilkërkuesve në Ruanda nuk shkel ligjet e të drejtave të njeriut dhe as Konventën e OKB për Refugjatët.