208 dosje me emra zyrtarësh nën hetim drejt gjykatës, mes tyre mjekë, drejtorë, pedagog etj,.

582
Sigal

Krimi Ekonomik zbardh detaje për korrupsionin në Elbasan

Krimi Ekonomik në Drejtorinë e Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë kanë gati pas hetimeve disa mujore, afro 208 dosjet e para të korrupsionit. Në listën e gjatë të hetimeve janë mbi 600 emra, por deri tani vetëm 208 prej tyre do të përballen me togat e zeza për akuzën e “mitmarrjes, shpërdorimit të detyrës, pabarazinë në tendera dhe vjedhje të fondeve”. Në lista janë zyrtarë të rangjeve të ndryshme, drejtues, mjekë, kryetarë bashkish dhe komunash, shefa sektorësh, pedagogë, dekanë, drejtues spitalesh, gjyqtarë e prokurorë, si dhe qindra të tjerë. Burimet nga Sektori Krimit Ekonomik në Drejtorinë e Policisë Elbasan i thane “Telegraf” se “është një  batërdi e madhe, ka me qindra denoncime dhe kemi verifikuar dhe konstatuar nga hetimet, se kemi të përzierë në korrupsion dhe afera të tjera të pista, pothuajse 90 për qind të zyrtarëve, kurse dëmi ekonomik dhe pasojat e tjera ndaj arkës së shtetit llogariten në miliona lekë”. Nga burimet e sigurta mësohet se në listën e parë me 208 emrat e parë, janë 40 mjekë, të gjithë të specialiteteve, të akuzuar për korrupsion dhe abuzime me fondet e shtetit, 28 drejtorë, të akuzuar për “shpërdorim detyre, mitmarrje dhe abuzime me fondet”, 12 pedagogë dhe dy dekanë, të akuzuar për “korrupsion dhe shpërdorim detyre”,  dy gjyqtarë dhe tre oficerë të hetimeve, pesë police të Qarkullimit Rrugor, kurse pjesa tjetër janë kryetarë bashkish dhe komunash të Qarkut të Elbasanit, të Qarkut, Prefekturës, Nënprefekturës së Gramshit, Peqinit, dhe Librazhdit, tre  ish- drejtorë arsimi, drejtorë  shkollash, e deri mësues në shkollat e mesme. I njëjti burim nga Krimi Ekonomik tha se “në hetimet tona kemi fakte dhe të dhëna të sigurta që ja kemi bashkangjitur dosjes penale të çdo personi të akuzuar për korrupsion, si incizime, fotografime, filmime, etj. Tashmë i mbetet në dorë gjykatës të bëjë detyrën e saj, dhe të mos hedhë poshtë ashtu si në qindra raste të tjera punën disa mujore dhe voluminoze të organeve të hetimit nga Krimi Ekonomik dhe Prokuroria. Mësohet se nën hetim janë edhe dy zyrtarë të vetë Krimit Ekonomik, të cilëve u është zbuluar dhe faktuar aktiviteti i tyre antiligjor, duke u kthyer në gjobëvënës. Edhe ata do të hetohen dhe gjykohen për “shpërdorim detyre dhe mitmarrje”. Qarku i Elbasanit që ka nën juridiksion 5 qytete, relativisht mbetet qarku me numrin më të madh të zyrtarëve të akuzuar dhe të hetuar për korrupsion. Vetëm nga korrupsioni me tenderat vlera e dëmit ekonomik llogaritet në mbi 22 milionë euro.