100 miliardë lekë koncesion, “çmendet” shëndetësia

712
Sigal

Rreth 100 miliardë lekë të vjetra (saktësisht 9,657,000,000 lekë të reja) do t’ u kushtojë taksapaguesve shqiptarë koncesioni i radhës në shërbimet shëndetësore. Ministri Beqaj do të japë me koncesion për 10 vjet shërbimin e sterilizimit të sallave kirurgjikale dhe furnizimin e tyre me instrumente njëpërdorimshme. Ndërsa ishte në opozitë, qeveria e sotme premtoi rishikimin e koncesioneve (gjë të cilën nuk e bëri), ndërsa rendja turravrap drejt koncesioneve të reja, po tregon se dëshira për të përfituar ndonjë “thelë të majme” i ka verbuar aq shumë, sa nuk po dinë më se çfarë shteti po nxjerr nga duart. Në asnjë vend të botës nuk është parë e dëgjuar të jepet me koncesion shërbimi i sterilizimit të sallave kirurgjikale në spitalet publike. Porse joshja e ministrit Beqaj për favore klienteliste, ka sjellë koncesione të habitshme në shuma marramendëse të shërbimeve shëndetësore. Në fakt, këtë koncesion Beqaj e kishte paraprirë edhe në diskutimet për projektbuxhetin 2015, ku është shprehur se “këtë partneritet do ta fillojmë vitin e ardhshëm me një program, i cili do të dojë dy vjet të shtrihet, që do të rinovojë të gjithë inventarin e instrumenteve kirurgjikalë në çdo sallë kirurgjikale të Shqipërisë dhe do të ofrojë para çdo ndërhyrjeje kirurgjikale setin e instrumenteve të sterilizuar bashkë me të gjitha materialet mjekësore njëpërdorimshme, që përdoren në shtratin e operacionit apo edhe në të gjitha veshjet njëpërdorimshme të mjekëve dhe të infermierëve”. Praktikisht, ministri i Shëndetësisë po i “fal” privatit qindra milionë euro për një shërbim, i cili do të ishte shumë më mirë të kryhej dhe të kontrollohej nga strukturat shtetërore, pasi kemi të bëjmë me jetë njerëzish.

Rreziku i këtij koncesioni

Në kuadër të fitimit dhe të minimizimit të shpenzimeve, nuk dihet se çfarë mjetesh dhe materialesh do të fuste privati në këtë shërbim. Beqaj me këtë koncesion po rrezikon seriozisht jetën e qytetarëve shqiptarë. Kur mungon dhe po bëhet gjithmonë e më i pamundur kontrolli i barnave (të shumta kanë qenë denoncimet për barna false në tregun tonë farmaceutik), nga një sistem që funksionon prej një shekulli, si mund të pretendojë ministri Beqaj të kontrollojë cilësinë e shërbimit të koncesionarit privat? Përqindja e rrezikut të përhapjes së sëmundjeve infektive, postkirurgjikale, në mungesën e vigjilencës së strukturave shtetërore (nëse i jepet privatit) është shumë e lartë, rrezik ky që për më tepër paguhet me miliarda lekë nga taksapaguesit shqiptarë. Është absurde të japësh me koncesion shërbime shëndetësore, “duke i larë” në para privatët me shuma marramendëse, ndërkohë që këto para do të mjaftonin për të rregulluar një herë e mirë mungesat spitalore, por dhe për të fuqizuar shërbimin shëndetësor anekënd vendit. Është e turpshme shifra e vënë prej gati 100 miliardë lekë nga ministri Beqaj vetëm për solucione sterilizuese dhe materiale njëpërdorimshme dhe për mirëmbajtjen e sterilizuesve që janë tashmë pjesë përbërëse e sallave kirurgjikale. Hajdutëria dhe dritëshkurtësia po udhëheqin koncesionin e radhës në shërbimet shëndetësore.

 Koncesioni

Ky koncesion është publikuar në Agjencinë e Prokurimeve Publike në buletinin e datës 16 shkurt 2015. ministria e shëndetësisë fton investitorë vendas apo të huaj që të marrin pjesë në procedurat konkurruese përzgjedhëse për dhënien me koncesion të shërbimeve të integruara për ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale, trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale. Kohëzgjatja e kontratës koncesionare është 10 vjet. Ofertat do të ngarkohen në datë 30 mars të vitit 2015 në orën 12.00.

 Kriteret e përzgjedhjes së fituesit

Numri i seteve kirurgjikale të ripërdorshëm në dispozicion gjatë gjithë kohës – 14 pikë

Numri total i instrumenteve të ofruara – 14 pikë

Numri i pikave të mbulimit të shërbimit periferik rajonal për rezervat dhe urgjencat – 12 pikë

Koha e vënies në shfrytëzim – 6 pikë

Ndikimi social dhe mjedisor – 10 pikë

Çmimi për set instrumentesh për ndërhyrje me intensitet të lartë -7 pikë

Çmimi për set instrumentesh për ndërhyrje me intensitet të mesëm -7 pikë

Çmimi për set instrumentesh për ndërhyrje me intensitet të ulët-7 pikë

Çmimi për 9instrumente të sterilizuara për pacientët ambulatorë – 7 pikë

Çmimi për sterilizim me temperaturë të ulët – 4 pikë

Plani i riinvestimit në makineri dhe pajisje dhe plani i mirëmbajtjes së instrumenteve kirurgjikale – 12 pikë

 Ku konsiston puna e koncesionarit?

Koncesionari ka në dispozicion sterilizatorët shtetërore (autoklavet) të cilat tashmë janë pjesë e spitaleve tona publike, sidomos në repartet kirurgjikale. Kështu që, përveçse mirëmbajtjes së sterilizatorëve në spitale, nga gjithë kjo shumë që do të përfitojë lehtësisht, në sajë të ministrit Beqaj, koncesionari veçse do të blejë disa kimikate për dezinfektimin e instrumenteve kirurgjikale, materiale mjekësore njëpërdorimshme, që përdoren në shtratin e operacionit apo edhe veshjet njëpërdorimshme të mjekëve dhe të infermierëve (në mos janë blerë për 2015-n). Ndërsa, sigurisht që nuk ka pse të paguajë për sanitarë apo infermierë të cilët janë pjesë e spitaleve publike dhe paguhen nga buxheti për spitalet. Më poshtë do të japim më në detaje mjetet të cilat i nënshtrohen procedurës së sterilizimit apo ato që janë njëpërdorimshe, për të kuptuar më qartë se për çfarë do i jepen gati 100 miliardë lekë koncesionarit.

 Mjetet e sterilizimit

-Sterilizatorët (autoklavët) me avull. Në autoklav mund të futen vetëm instrumentet termorezistent

– Makina larëse për instrumentet endoskopike, kirurgjikale dhe gjinekologjike

– Solucion Kloraminë 0,5% ose detergjent për dezinfektim

– Furçë kirurgjikale, solucion larës, ujë distile, aerosteril (për tharje), kuti metalike, të domosdoshme për pastrim (instrumentet që nuk përdoren në operacion)

– Sapun, Detergjent, Komponimet e amonit kuaternare, Fenolet, Aldehidet, Halogens, Klori dhe përbërësit e klorit, Alkoolet, Përbërësit e Peroxygen, Oksid etileni, të cilat përdoren për dezinfektim.

Acidi Paracetik për sterilizim kimik

 Instrumentet kirurgjikale

Këtu përfshihen të gjitha instrumentet e përdorura nga kirurgu dhe të nevojshme për kryerjen e operacionit. Instrumenti përbëhet nga metal i sterilizuar dhe mund të klasifikohet në kategori të ndryshme të cilat janë:

1. Bisturia, e cila përdoret për prerje, e nevojshme për fillimin e operacionit (prerjen e lëkurës), por mund të jetë e nevojshme edhe gjatë operacionit në disa situate ku rezultojnë më të përshtatshme se gërshërët. Ajo përbëhet nga një bisht që ka masë dhe gjatësi të ndryshme (që sterilizohet) dhe nga lama e përshtatshme për strukturën anatomike. Lama (një përdorimshe) ka forma të ndryshme në varësi të operacionit që kryhet dhe përdoret vetëm një herë.

2. Pincat (sterilizohen) janë të ndryshme dhe të tipeve të ndryshme.

3. Gërshërët (sterilizohen) janë instrument prerës që përdoren për prerjen e fashove dhe fijeve qepëse.

4. Diverkatorët (sterilizohen) lejojnë të shikosh mirë kavitetin mbi të cilin do të operohet. Janë të dy tipeve; autostatik- vetëqëndrues, që do të thotë se diverkatori mban në mënyrë të hapur fushën operatore, dhe manual që duhet të mbahet nga asistenti.

5. Gjilpërat dhe fijet (një përdorimësh), mjete me të cilat kryhen qepjet operatore.

6. Mantela dhe doreza sterile për personelin.

A është paracaktuar fituesi?!

Në mendimin e një specialisti, nuk ka kompani në botë që t’i bëjë të tria këto procese; ofrimin e setit të personalizuar të instrumenteve kirurgjikalë sterilë, furnizimin me material mjekësor steril njëpërdorimësh në sallat kirurgjikale; trajtimin e mbetjeve me rrezik biologjik; dhe dezinfektimin e sallave kirurgjikale. Ndaj në mendimin e specialistit të prokurimeve, fituesi është paracaktuar, çdo gjë është parapërgatitur dhe “për një muaj e gjysmë, përveç grupimit të parabërë dhe të organizuar prej kohësh, nuk do të ketë tjetër. E shumta do jetë dhe një firmë tjetër, që gjoja do marrë pjesë me çmim më të lartë” shprehet për “Telegraf” një specialist, i afërt me ministrin Beqaj. Sipas tij, me gjithçka po ndodh kemi centralizim të shëndetësisë dhe jo decentralizim siç edhe pretendohet.

Koncesionet, qëllime politike

Koncesionet në vetvete mund të bartin, përpos favoreve klienteliste e interesave financiare, edhe interesa politike. Duke qenë se privati po “fut hundët” në punët e shtetit, edhe administrata rrezikon gjithashtu vendin e punës. Përvojat na kanë treguara se në asnjë kontratë koncesionare nuk janë vënë kushte nga ana e shtetit shqiptar për të mbajtur në punë personelin (punonjësit) që janë në momentin kur privati merr shërbimin apo pasurinë shtetërore në menaxhimin e vet. Kështu që, edhe ky koncesion i radhës fare mirë mund të jetë një “kontratë” me koncesionarin “sterilizues” për të “qëruar” nga puna “armiqtë” e Beqajt apo kundërshtarët politikë. Dhe kjo nuk përbën asnjë lloj habie, sidomos pas përplasjeve të fundit të bluzave të bardha me ministrin Beqaj përsa i takon testimit, përplasje e cila ka përfunduar në një konflikt gjuyqësor.

   Vasili kundër testimit të mjekëve

Petrit Vasili është shprehur kundër testimit të mjekëve, duke e cilësuar si një arnim të panevojshëm. Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, në një takim me mjekët në Tiranë e ka cilësuar këtë gjë si një ide të gabuar. “Testimi i personelit mjekësor është një arnim i panevojshëm. Paligjshmëria e testimit të personelit mjekësor, e rëndon situatën. Testimi i mjekëve është një ide e gabuar, në një kohë të gabuar”, tha Vasili. Sipas tij, edukimi në vijueshmëri i mjekëve, është rruga e vetme.

 Shehu: Testimi për të fshehur problemet e shëndetësisë

Testimin për mjekët, PD e cilëson si përpjekje të qeverisë për të fshehur problemet e thella që përballet shëndetësia sot. Tritan Shehu, kreu i Departamentit të Shëndetësisë në PD u shpreh se: “Në këtë mënyrë po kërkohet që artificialisht të krijohen konflikte të panevojshme mjek-pacient për të fshehur përgjegjësitë për problemet e mëdha dhe reale të këtij sistemi që kjo qeveri po i shton çdo ditë. Kërkohet kështu që nëpërmjet këtij testimi arbitrar, të hidhet mbi personelin shëndetësor përgjegjësia për atë çfarë po ndodh me të gjithë përbërësit e sistemit shëndetësor”.

 Kosova-Beqajt: Ti kërkon lekë, jo ilaçe nga firmat farmaceutike

Paraardhësi i tij, Halim Kosova e ka akuzuar ministrin Beqaj se ka kërkuar nga firmat farmaceutike para, dhe jo ilaçe. Kosova e ka akuzuar Beqajn edhe për dhënien e shërbimit të mirëmbajtjes së aparaturave në QSUT një firme që është nën hetim për abuzime të mëdha nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. “Më vjen shume keq që ju i keni bërë presion firmave farmaceutike, gjë që do ta vërtetojmë dhe bashkarisht, duke u thënë që nuk dua ilaçe, por dua lekë”.

Protesta e bluzave të bardha, Kalo: Beqaj të japë dorëheqjen!

Bluzat e bardha do të protestojnë prapë sot në orën 11.00 për t’i thënë “Jo” çdo lloj dhunimi, denigrimi apo iniciative antiligjore! “Të bashkuar, të gjithë bluzat e bardha, jemi njëzëri STOP nismave antiligjore, NDAL denigrimit me anë të krijimit të problematikave artificiale, ndërkohë që shëndetësia jonë publike ka nevoja emergjente, BOLL me koncesionet masive multimilion euro të dhënë privatit dhe deri në idenë e fundit të dhënies së mjeteve kirurgjikale dhe sallave të kirurgjisë te privati. JO, çdo lloj rrënimi apo zhvatje të mëtejshme të sistemit publik!

Pro standardeve, respektimit të autonomisë së profesioneve të bluzave të bardha, protokolleve kombëtare klinike, dixhitalizimit të kartelave mjekësore, bibliotekës mjekësore dixhitale me akses të hapur për çdo punonjës shëndetësor publik. Pro investimeve reale në shëndetësinë publike, si në aparatura moderne, mjete të tjera, ilaçe cilësore, ambiente optimale pune. Pro akreditimit të programeve të Universitetit të Mjekësisë dhe përshtatjes me programet e universitetet simotra perëndimore. Pro pjesëmarrjes aktive në vendimmarrje në zgjedhjen e shefave të shërbimit në rang kombëtar me konkurs, projekte, platforma nga ne vetë bluzat e bardha. Pro ridimensionimit të rolit të mjekut/profesionisteve të mjekësisë në qendrat spitalore universitare duke qene pjesë aktive në mësimdhënie ne ciklet e studimeve universitare, sikurse edhe përfshirjen e stafit që ka titull akademik në spitalet rajonale apo rretheve.

DORËHEQJE ministrit të Shëndetësisë!”, ka shkruar në statusin e tij në rrjetin social “Facebook”, mjeku infeksionist Tritan Kalo.