Kasat fiskale, transparencë financiare apo hajdutëri ndaj qytetarëve?

785
Sigal

Ajo që na bëri të hedhim në letër këtë shënim, është një shqetësim qytetar që vjen pranë gazetës ”Telegraf”, lidhur me kasat fiskale të bizneseve, shqetësim që e pranojnë edhe specialistët e financave dhe të tatim–taksave. Qytetarë të shumtë që ushtrojnë aktivitet tregtar nëpërmjet bizneseve të të gjitha niveleve, po përballen me një fenomen që u duket abuzues në lidhje me instalimet e kasave fiskale. Rotacioni politik bëri që administrata të lëvizë në një përqindje të konsiderueshme dhe si të tillë ka edhe nga ata persona që më parë kanë pasur aktivitet privat, por tani, pas punësimit në administratën shtetërore, nuk u lejohet ushtrimi i këtij aktiviteti me NIPT në emër të tyre. Të paraqitur pranë zyrave të regjistrimit të licencave për ta dorëzuar dhe kaluar njërit prej pjesëtarëve të familje, marrin si përgjigje se duhet të blejnë kasë fiskale të re, e cila kushton 280 euro. Qytetarët e refuzojnë këtë çmim. Shqetësimit të tyre, ne i dhamë një përgjigje nga specialistët e tatimeve të cilët shprehen se këtu ka diçka që nuk shkon dhe kjo lidhur me faktin se NIPT është personal dhe duhet pastruar truri i kasës për të hedhur NIPT të ri në emër të atij që i kalon biznesi, por këtu abuzojnë kompanitë private të licencuara, për të pajisur me kasa fiskale bizneset, pasi edhe për këtë pastrim truri kërkojnë rreth 100 euro, po kështu abuzim ka edhe përsa i përket kolaudimit në zëvendësimin e memories. Në zëvendësimin e memories ka një djallëzi tjetër. Ajo nuk zbrazet plotësisht dhe pas një kohe të shkurtër, bizneset paraqiten përsëri për kolaudim dhe përsëri paguhen para. Për specialistët e tatimeve, duhet që shteti të ndryshojë politikat lidhur me kasat fiskale dhe një prej këtyre hapave është ulja e çmimit të tyre dhe kontrolli i rreptë ndaj abuzimeve me kolaudim dhe ripajisje me kasë. Politika e deritanishme, përveçse grabit qytetarët dhe favorizon firmat private të kasave, nuk ndikon as në uljen e informalitetit të deklarimit të xhiros ditore, pasi shumë prej bizneseve nuk denjojnë ta pajisin biznesin e tyre përsëri me kasë të re, madje shkojnë deri në mbyllje të aktivitetit, ç’ka rëndon edhe në politikat sociale dhe uljes së nivelit të varfërisë.

Agron MEMA