“1 maji”, minatorët në protestë: Ndal nëpërkëmbjes së punëtorëve, na jepni statusin

679
Prej vitesh, minatorët e Shqipërisë kërkojnë që t’i jepet statusi, në mënyrë që të garantojnë më shumë mbrojtje dhe të drejta, por një gjë e tillë ende nuk është bërë e mundur. Ndonëse naftëtarët tashmë e kanë marrë statusin, për punonjësit e nëntokës duket se ka pengesa, edhe pse kushtet në të cilat ata punojnë janë më të vështira.
Ata pretendojnë se atyre nuk u është dhënë statusi, politikisht, duke shkaktuar vonesa në këtë proces.
Duke kërkuar sigurinë në miniera dhe statusin e minatorëve, në kuadër të ditës ndërkombëtare të Punëtorëve, Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë organizoi një protestë në kryeqytet paraditen e sotme.
Në manifestimin e tyre pranë “Ushtarit të panjohur”, kryetari i Sindikatave të Shqipërisë Kol Nikollaj i bëri apel qeverisë që të miratojë statusin e minatorit për punonjësit e nëntokës, si një e drejtë legjitime e kësaj shtrese të shoqërisë.
Nën sloganin “ndal nëpërkëmbjes së punëtorëve”, ata kërkojnë kushte më të mira pune dhe rritje të pagave, pasi kushtet e tyre të punës lënë për të dëshiruar.
Ata theksuan se numri i minatorëve që humbin jetën në galeri është i lartë, ndaj duhen marrë masa të menjëhershme për të siguruar kushte dhe paga më të mira.
Sigal