Frank Shkreli: Për shqiptarët dielli lind në perëndim

787
Me rastin e promovimit të librit të Z. Bardhyl Ukcamaj: “Shqiptarët në Qytetërimin Perëndimor” 

Nga Frank Shkreli* 
Të hënën me 31 korrik, Shtëpia botuese “Princi” dhe “Albanian Tourism Magazine” organizuan në Tiranë promovimin e librit “Shqiptarët në qytetërimin Perëndimor” me autor Bardhyl Ukcamaj, MS. Bardhyl Ukcamaj është i njohur si publicist dhe aktivist i të drejtave të njeriut, dekoruar me medaljen “Pishtar i Demokracisë” për kontributin e tij në rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. Z. Ukcamaj ka kryer studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës, si dhe Master i Shkencave në Bridgeport University, në shtetin Connecticut, SHBA. Ai gjithashtu ka studiuar në Cornell University, New York, SHBA. Njoftohet nga organizuesit e promovimit se libri i Z. Ukcamaj, “Shqiptarët në Qytetërimin Perëndimor”, botuar nga Shtëpia Botuese “Princi”, është gjithashtu në proces botimi edhe në gjuhën angleze. Në promovimin e moderuar nga Myftar Gjana, MS., botues i librit, Shtëpia Botuese “Princi” dhe Aferdita Elezi, botuese e “Albanian Tourism Magazine”, kishin përgatitur referate dhe diskutuan Prof. Dr. Sami Repishti, Prof. Dr. Aleksandër Meksi dhe Prof. Dr. Mark Marku.
Për librin “Shqiptarët në Qytetërimin Perëndimor” të Z. Ukcama, të cilin kam pasur rastin ta kem lexuar më herët, kam privilegjin, që, megjithëse larg Tiranës, të ofroj disa mendime të hedhura me rastin e promovimit në Tiranë. 
Një fjalë popullore thotë: “Mos të raftë me e harrue të keqen.” Me këtë vepër, Zoti Ukcamaj nuk na le ta harrojmë të keqen e kryer mbi popullin shqiptar gjatë shekullit të kaluar, sidomos kalvarin e klerit katolik. Ai, në të njëjtën kohë, në librin e tij, sjell një pasqyrë të rëndësishme, jo vetëm të historisë kishtare, por edhe të asaj kombëtare. Duke venë në dukje përkatësinë evropiane të popullit shqiptar — ai flet për një “thesar të pafund trashëgimie kombëtare”, e cila në botëkuptim dhe në paraqitje është krejtësisht evropiane. Autori shkruan për një trashëgimi mijëvjeçare, e cila u ndërpre gjatë shekujve nga pushtues të huaj që nuk ia donin të mirën kombit shqiptar. Zoti Ukcamaj, me të drejtë thekson se kjo trashëgimi u ndërpre, në mënyrën më brutale nga diktatura mizore komuniste 50-vjeçare, e cila paraqiti historinë e kombit shqiptar me syzë ideologjike, në përputhje dhe në bashkëpunim të plotë me politikën e forcave më anti-shqiptare dhe armiqve më të përbetuar të kombit tonë (fillimisht me jugosllavët, pastaj me rusët e më vonë me kinezët) — në një përpjekje për të prerë pothuaj të gjitha lidhjet e shqiptarëve me të kaluarën e tyre dhe si rrjedhim,edhe me botën perëndimore. Nuk është e nevojshme tu kujtoj se kush janë sot armiqtë më të përbetuar të pavarësisë së Kosovës dhe të interesave të kombit shqiptar në Ballkan. Po, janë ekzaktësisht këto shtete dhe popuj, me të cilët komunistët e Enver Hoxhës dhe të Ramiz Alisë ishin lidhur mish e shpirt, në mbrojtje të interesave të marksizëm-leninizmit, në kurriz të interesave afatgjata dhe afta shkurtra kombëtare të shqiptarëve.
Në përpjekje për të krijuar të ashtuquajturin “njeri të ri”, sipas ideologjisë staliniste, regjimi i Enver Hoxhës,me çmendurinë e tij bëri ç’mos, që jo vetëm të përpiqej t’i largonte shqiptarët nga rrënjët e kulturës së tyre perëndimore, por si asnjë vend tjetër në botë, shpalli edhe Perëndinë jashtë ligjit dhe me një krenari absurde, deklaroi Shqipërinë si vendin e parë ateist në botë. Ai donte të zhdukte traditat tona për të qenë diçka duke asgjësuar dhe duke zhdukur gjithçka. Ai e dinte se për të zhdukur rrënjët e qytetërimit perëndimor ndër shqiptarët, klika enveriste duhej të lëshohej si bishë e egër mbi klerin katolik, duke rrënuar ose duke kthyer faltoret në salla sporti dhe duke zhdukur shumicën e tyre fizikisht. Në të vërtetë kjo ishte edhe këshilla e komunistëve sllavë, të cilët e shihnin klerin katolik si pengesën kryesore të përhapjes së influencës së tyre në Shqipëri. Në këtë mënyrë, komunistët shqiptarë shpresonin të fshinin çdo lidhje të shqiptarëve me botën perëndimore, e sidomos lidhjet e Kishës Katolike Shqiptare me Vatikanin, të cilin ata e konsideronin si “qendrën e obskurantizmit botëror”. 
Dëshiroj të përmend një ilustrim nga përvoja ime personale se si regjimi komunist i Shqipërisë e konsideronte Vatikanin si barometër në luftën kundër Perëndimit dhe më në fund, kur ishte duke dhënë shpirt, donte ta përdorte atë si vegël afrimi me botën perëndimore. Ishte marsi i vitit 1991. Unë kam pas fatin të isha pjesëtar i delegacionit të parë amerikan që prej Luftës se Dytë Botërore, që shkuam në Tiranë për të hapur ambasadën e parë amerikane, pas vendosjes së lidhjeve diplomatike midis Tiranës e Washingtonit dhe, në të njëjtën kohë, kishim në plan të merrnim pjesë në zgjedhjet e prillit të vitit 1991. Një ditë prej ditësh, ne ishim në aeroportin e Tiranës duke pritur Senatorin Clayborne Pell, ndërkohë më afrohet një zyrtar i lartë i qeverisë së Ramiz Alisë, dhe më merr mënjanë dhe më kërkon këshillë dhe ndihmëse se si duhej vepruar për vendosjen sa më të shpejtë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Vatikanit.
Megjithëse unë mbeta pak i habitur se, pse zyrtari i lartë shqiptar m’u drejtua pikërisht mua për këtë çështje, unë i dhashë mendimin tim në lidhje me këtë problem dhe i sugjerova se, duke marrë parasysh situatën e mjerë në të cilën gjendej vendi në atë kohë i thashë se, ju kini më shumë nevojë për lidhje të forta me vendet perëndimore që mundësisht të ndihmojnë vendin materialisht, me investime. Vatikani, i thashë, nuk ka mundësi të tilla. Ai m’u kthye duke me thënë, jemi të vetëdijshëm se Vatikani nuk mund të na ndihmojë ekonomikisht, por vendosja e lidhjeve diplomatike me Vatikanin është simbol i bindshëm për botën perëndimore, se Shqipëria nuk është më ajo që ishte, se më në fund po ndryshon. Me fjalë të tjera, ky zyrtar ishte i vetëdijshëm se lufta e Shqipërisë komuniste kundër Perëndimit kishte filluar me Vatikanin dhe duhej të merrte fund me lidhjen e marrëdhënieve diplomatike me Vatikanin.
Me këtë libër, Zoti Ukcamaj hedh dritë mbi një histori të rëndësishme të rolit të Kishës Katolike në Shqipëri. Në mënyrë të denjë ai paraqet një listë të kontributit të atyre që unë do t’i quaja – të harruar – por ata, ndonëse të harruar, edhe të vdekur, flasin. Me gjithë se nga veprat e tyre dhe për arsye të vuajtjeve dhe mënyrës se si u vranë nga komunistët, ata gjithnjë ndriçojnë si yje, ndërsa toka gjithnjë vajton për ta.
Është e denjë që Zoti Ukcamaj ia kushton librin Françeskanit, At Zef Pllumit, i cili sipas autorit, “Ishte një legjendë sfiduese përballë një klike terroriste që u mundua të zëvendësonte Zotin me diktatorin e vdekshëm, ndërsa dashurinë me urrejtjen, pikërisht në zemrën gjeografike të Evropës së vjetër.” Për hir të së vërtetës dhe të ndërgjegjes kombëtare, është detyrë e të gjithëve që këta klerikë të kthehen në vendin që u takon në historinë e Shqipërisë, për veprat e tyre po se po, por edhe për sakrificat dhe vuajtjet –të cilave u janë nënshtruar në emër dhe në mbrojtje – jo vetëm të fesë së tyre – por edhe në mbështetje të vlerave dhe të traditave tona të përbashkëta e shumë të çmueshme. Siç ve në dukje edhe Zoti Ukcamaj, në të shumtën e rasteve, ata dhanë edhe jetën në mbrojtje të këtyre vlerave, nën kthetrat e diktaturës komuniste.
Klerikët, për të cilët flet Zoti Ukcamaj, zanë një vend të pazëvendsueshëm në kulturën tonë pro-perëndimore dhe në shqiptarizëm. Të mohohet vepra e tyre do të thotë të mohosh, në të njejtën kohë, ekzistencën, historinë dhe identitetin e kombit shqiptar. Autori, hedhë dritë mbi rolin e klerikëve katolikë në venjën e bazës dhe të konsolidimit të gjuhës shqipe, traditës dhe me në fund edhe të trashëgimisë perëndimore të shqiptarëve. “Shqiptarët në Qytetërimin Perendimor” jep njoftime e fakte të reja e të rëndësishme për protagonistet kryesorë, d.m.th, jo vetëm për krijuesit por, në te njëjtën kohë, edhe për ruajtësit e kesajë trashëgimie në radhët e shqiptarëve në trojet e veta.
Promovimi i Zotit Ukcamaj po bëhet në një kohë kur debati në lidhje me identitetin dhe historinë e shqiptarëve – madje përfshirë edhe vet Gjergj Kastriotin Skënderbe – se kush ishte ai dhe cila ishte familja e tij, një debat që vazhdon të jetë i nxehtë në median shqiptare sot. Mjafton gjtihashtu të përmendim debatin, do të thosha shpesh të ashpër gjatë viteve të fundit, midis ndër më të mëdhejve të kombit, siç janëZ. Ismail Kadare e Z. Rexhep Qosja, si edhe artikuj e intervista nga njerëz kompetentë dhe jo aq kompetentë — pro dhe kundër — të botuar në Shqipëri dhe në Kosovë. Edhe udhehqësit politikë shqiptarë të 25 viteve te fundit, janë prononcuar në favor dhe kanë mbrojtur zanafillën e qytetërimit perëndimor të shqiptarëve. Mëi sinqerti në mbrojtje të idenititetit evropian të shqiptarëve ka qenë i ndjeri President i Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili e kishte kuptuar më së miri se shpëtimi i shqiptarëve vinte nga Perëndimi.
Për këte jam i bindur nga njohuria dhe lidhjet që kam patur me Presidentin Rugova ç’prej vizites se tij të parë në New York dhe Washington me 1989, kur për herë të parë dhe për dy tri ditë që kaloinë shtepinë time në Virxhinia kemi biseduar gjanë e gjatë për fatin e Kosovës dhe të kombit. Nga ajo vizitë dhe bisedimet e zhvilluara me ‘të në atë kohë dhe me vonë,jam bindur se Zoti Rugova, i cili atëherë nuk ishte shumë i njohur jashtë Kosovës, ishte personi që do të dinte, “T’i lidhte penjët e shkëputur të së kaluarës sonë të përvuajtur”. Sa më shumë bisedoja me ‘të, gjatë viteve që pasuan, u binda edhe më shumë se Ibrahim Rugova ishte i vetmi udheheqës shqiptar I kohërave moderne që kuptonte sinqerisht se lidhjet me Perëndimin dhe me Papën, në ketë rast me Papa Gjon Paline dytë, me te cilin kishte një miqësi të vecantë, do të ndihmonin dukshëm dhe në mënyrë të favorshme për ndërkombtarizimin e çështjes së Kosovës.Nuk është për tu habitur atëherë që Presidenti Clinton, në një nga kujtimet e tija ka thënë se ishte Papa Gjon Pali i dytë ai që para ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, i kishte telefenuarpër t’i kërkuar të bente diçka që të shpëtonte shqiptarët e Kosovës, bashkombasit e Nanë Terezës, nga barbarizmat serbe. 

*Ish Drejtori i VOA-s për EuroAzinë
Vijon në numrin e ardhshëm….
Sigal