Prof.Dr. Adrian Civici: Gjeopolitika e Pasigurisë, efektet ekonomike të konfliktit në Lindjen e Mesme

Ngushtica e Hormuzit përmes së cilës kalon rreth 20-25% e naftës dhe gazit të lëngshëm në botë është sot epiqendra e rrezikut global. Tregjet e naftës reaguan me nervozizëm ekstrem. Çmimi i naftës bruto (Brent) u rrit me rreth 13% brenda natës pas shkëmbimeve të para të zjarrit, duke kapërcyer menjëherë pragun prej 82 dollarësh për fuçi.

Zhvillimet e fundit dramatike në Lindjen e Mesme, të kulmuara me një përshkallëzim të pashembullt ushtarak mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, e kanë nxjerrë ekonominë botërore nga rrugëtimi i saj delikat drejt stabilizimit pas-pandemik.

Ajo që nisi si një tension diplomatik, brenda pak javësh është shndërruar në një “shok” sistemik që po transformon tregjet financiare, po këput zinxhirët e furnizimit dhe po rishkruan koston e jetesës në çdo skaj të globit.

NOA

Për Shqipërinë dhe rajonin e Ballkanit, ky nuk është thjesht një lajm ndërkombëtar, por një forcë centrifugale që prek drejtpërdrejt biznesin, xhepat e qytetarëve dhe stabilitetin makroekonomik.

Tregu i Energjisë

Ndikimi i parë dhe më i dhunshëm i këtij konflikti është ndjerë në dejet e ekonomisë globale: Sektorin energjetik. Vëmendja e botës është mbërthyer te Ngushtica e Hormuzit, një korridor ujor i ngushtë por jetik, përmes së cilës kalon rreth 20-25% e naftës dhe gazit të lëngshëm në botë. Kjo ngushticë është sot epiqendra e rrezikut global. Tregjet e naftës reaguan me nervozizëm ekstrem. Çmimi i naftës bruto (Brent) u rrit me rreth 13% brenda natës pas shkëmbimeve të para të zjarrit, duke kapërcyer menjëherë pragun prej 82 dollarësh për fuçi.

Megjithatë, duket se ky është vetëm fillimi. Analistët e bankave të mëdha investuese paralajmërojnë se në skenarin e një bllokimi të zgjatur, bota mund të përballet me një rritje të konsiderueshme të çmimit drejt nivelit të 120 dollarëve, një shifër që më shumë se gjithçka, do të gjunjëzonte industrinë e transportit. Shqetësimet për çmimin dhe furnizimin me gaz. Evropa, e cila sapo kishte filluar të merrte frymë lirisht pas krizës së viteve të fundit, gjendet sërish në alarm. Meqenëse Katari përdor këtë rrugë për dërgesat e tij masive të gazit të lëngshëm, çmimet në bursat evropiane u rritën me mbi 25%, duke rikthyer frikën e krizës energjetike të vitit 2022 dhe duke kërcënuar sigurinë energjitike të kontinentit.

Turbulencat Financiare

Në tregjet financiare, ekuilibri është zëvendësuar nga instinkti i mbijetesës. Investitorët globalë po ndjekin strategjinë klasike të “Flight to Quality”, duke braktisur asetet me rrezik në favor të strehave tradicionale. Bursat po ndjehen nën presion: Indekset kryesore si S&P 500 dhe DAX gjerman po përjetojnë goditje të forta, me parashikime për një rënie prej 5-12% brenda muajit të parë të konfliktit. Ndërsa sektorët e aviacionit dhe teknologjisë po vuajnë, industria e mbrojtjes dhe ajo e sigurisë kibernetike po shohin rritje anormale të vlerës, duke reflektuar ekonominë e luftës.

Ari dhe Dollari

Në kohë pasigurie, ari mbetet “mbreti”. Ai po synon rekorde të reja historike, me synimin për të kapur kufirin e 2,700 dollarëve për onz. Paralelisht, Dollari Amerikan po forcohet me shpejtësi ndaj Euros, pasi tregu kërkon likuiditetin më të sigurt në botë, duke krijuar vështirësi për vendet me borxh të lartë në USD. Miti i Kriptomonedhave: Edhe pse Bitcoin shpesh promovohet si “ar dixhital”, kjo krizë po vërteton se në fazën e panikut fillestar, ai sillet si një aset spekulativ. Volatiliteti ekstrem ka bërë që kriptomonedhat të pësojnë rënie të ndjeshme, duke dëshmuar se në kohë lufte reale, investitorët preferojnë asetet fizike dhe monedhat sovrane.

Ballkani dhe Shqipëria

Për Shqipërinë, ky konflikt nuk është një ngjarje shqetësuese me natyrë gjeopolitike, por një sfidë e drejtpërdrejtë makroekonomike. Duke qenë një ekonomi e vogël, e hapur dhe shumë e varur nga importet, vendi ynë ka tendencë të preket përmes tre kanaleve kryesore:

Inflacioni i Importuar

Rritja e kostove të transportit global dhe sigurimeve detare përkthehet menjëherë në çmime më të larta në raftet e supermarketeve tona. Italia dhe Greqia, partnerët tanë kryesorë, janë shumë të ndjeshëm ndaj çmimit të energjisë; rrjedhimisht, çdo produkt që importojmë prej tyre do të vijë me koston e “shtuar” të krizës së Gjirit Persik.

Presioni mbi Buxhetin dhe Energjinë

Shqipëria mbetet vulnerabël në menaxhimin e energjisë. Nevoja për të importuar energji elektrike gjatë periudhave të pikut me çmime bursash të larta do të detyrojë qeverinë të rishikojë shpenzimet. Mundësia e rikthimit të disa subvencioneve për të mbrojtur familjet rrezikon të rrisë borxhin publik pikërisht në një kohë kur interesat e rifinancimit në tregjet ndërkombëtare janë në rritje.

Ngadalësimi i Investimeve

Në kohë pasigurie globale, investitorët e huaj tentojnë të pezullojnë projektet në rajone periferike sic është edhe Ballkani. Kjo mund të sjellë një ngadalësim të investimeve strategjike në infrastrukturë dhe në sektorin e turizmit, që është motori kryesor i rritjes sonë ekonomike.

Për Shqipërinë, ky konflikt nuk është një ngjarje shqetësuese me natyrë gjeopolitike, por një sfidë e drejtpërdrejtë makroekonomike. Duke qenë një ekonomi e vogël, e hapur dhe shumë e varur nga importet, vendi ynë ka tendencë të preket përmes tre kanaleve kryesore: Inflacioni i importuar, presioni mbi buxhetin e energjinë si dhe ngadalësimi i investimeve

Cilët mund të jenë Skenarët e Ardhshëm?

E ardhmja mbetet e varur nga kohëzgjatja e konfliktit. Nëse arrihet një armëpushim brenda katër javëve, bota mund të shpëtojë me një luhatje kalimtare ekonomike. Megjithatë, një konflikt i zgjatur që bllokon rrugët tregtare për tre muaj ose më shumë mund të ketë pasoja shkatërruese, të tilla si: Ulje të GDP-së globale; rritje artificiale të inflacionit global; rrëshqitjen e Eurozonës drejt një recesioni teknik, që do të godiste direkt eksportet dhe remitancat tona. Bota po monitoron me ankth çdo lëvizje në Gjirin Persik, duke shpresuar se diplomacia do të triumfojë mbi armët. Për Shqipërinë, kjo periudhë kërkon një vigjilencë të kujdesshme institucionale. Çelësi i qëndrueshmërisë do të jetë menaxhimi i kujdesshëm i rezervave energjetike, kontrolli i spekulimeve në tregun e brendshëm dhe gatishmëria për të amortizuar goditjen e çmimeve. Në një mjedis gjeopolitik ku “e papritura” është i vetmi rregull, maturia ekonomike mbetet mburoja e vetme. Për bizneset prodhuese shqiptare, të cilat operojnë në një mjedis me segmente të ngushta fitimi dhe varësi të lartë nga lënda e parë e importuar, ky përshkallëzim gjeopolitik kërkon një kalim të menjëhershëm nga “menaxhimi i rritjes” në “menaxhimin e mbijetesës dhe qëndrueshmërisë”.

Cilat mund të jenë disa nga strategjitë mbrojtëse që mund të ndjekë sektori prodhues në Shqipëri:

Në kushtet kur kostot e energjisë dhe lëndëve të para po pësojnë rritje, bizneset shqiptare mund të veprojnë në katër fronte kryesore:

Rishikimi i Zinxhirit të Furnizimit – Modeli “Just-in-Time” (furnizimi vetëm kur duhet), i cili ka dominuar dekadat e fundit, po dështon përballë bllokimeve në Lindjen e Mesme.

Furnizimi i Afërt – Bizneset duhet të kthejnë sytë nga furnitorët rajonalë, Ballkani, Turqia, Evropa Juglindore, për të shmangur vonesat e dërgesave që vijnë nga Azia përmes Kanalit të Suezit. Edhe nëse kostoja fillestare është më e lartë, siguria e dërgesës është më e rëndësishme në kohë konflikti.

Rritja e Inventarëve Strategjikë – Ndryshe nga periudhat normale, tani rekomandohet mbajtja e rezervave të lëndës së parë për të paktën 3-6 muaj, për të amortizuar goditjet e çmimeve dhe ndërprerjet e mundshme të linjave të transportit detar.

Efiçenca Energjetike si mburojë kostosh – Me naftën që ka tendencë të shkojë 100-120 dollarë dhe energjinë që shtrenjtohet në bursa, kostoja e prodhimit për njësi rrezikon të bëhet e papërballueshme.

Investimet në prodhimin e brenshëm të energjisë Përshpejtimi i instalimit të paneleve fotovoltaike nuk është më thjesht një trend “gjelbër”, por një domosdoshmëri për të mbajtur koston e energjisë të parashikueshme.

Auditimi Energjetik – Bizneset duhet të rishikojnë proceset teknologjike për të reduktuar humbjet termike dhe konsumin e panevojshëm gjatë orëve të pikut.

Menaxhimi Financiar – Në një mjedis ku Dollari duket se ka tendencë të forcohet dhe normat e interesit mund të rriten sërish, stabiliteti financiar është prioritet. Bizneset që importojnë në Dollarë, si lëndët djegëse apo lëndët e para kimike, duhet të përdorin instrumente financiare fleksibël për të fiksuar kursin e këmbimit dhe për të shmangur humbjet nga zhvlerësimi i Euros apo Lekut ndaj dollarit amerikan.

Rinegocimi i Kontratave – Është koha për të futur të ashtuquajturat “klauzolat e forcës madhore” ose indeksimin e çmimeve në kontratat e shitjes, në mënyrë që rritja e kostos së lëndës së parë të mos përballohet tërësisht nga prodhuesi, por të ndahet përgjatë zinxhirit të vlerës.

Diversifikimi i Tregjeve të Shitjes – Nëse Evropa, partneri ynë kryesor ekonomik e tregëtar, rrezikon një recesion teknik për shkak të krizës energjetike, kërkesa për eksportet shqiptare, si fasoneria apo industria nxjerrëse, do të bjerë.

Orientimi drejt tregjeve me rritje Eksplorimi i tregjeve që janë më pak të varura nga kriza aktuale ose që përfitojnë prej saj, si vendet prodhuese të energjisë që kanë rritje të likuiditetit. Rritja e Vlerës së Shtuar – Në kushtet e kostove të larta, prodhimi i produkteve me volum të madh por vlerë të ulët bëhet i vështirë. Bizneset duhet të synojnë produkte me vlerë më të lartë të shtuar ku kostoja e transportit ka peshë më të vogël në çmimin final.