Suplementi Pena Shqiptare/ Gëzim Zilja: Mbi librin “Stinët e jetës time” të shkrimtarit Bardhyl Mezini

Një monografi e shkruar me kujdes për jetën e patriotit shqiptaro- amerikan Fejzi Sulejmani.

Libri i shkrimtarit Bardhyl Mezini “ Stinët e jetës time” është një rrëfim i gjatë në trajtën e një interviste, për jetën e shqiptaro-amerikanit Fejzi Haris Sulejmani, ku përfshihet jeta nën diktaturë, arratisja në SHBA dhe jeta e vështirë, deri në plotësimin e ëndrrës për bashkimin e familjes dhe arritjen e një sipërmarrësi të suksesshëm. Libri shquhet për vërtetësi, përshkrimin me ngjyra të gjalla të jetës në diktaturë, vuajtjet, përbuzja dhe terrori i pashëmbull që ushtrohej në Shqipëri mbi familjet e pasura të emërtuara kulakë ose armiq të popullit. Si pinjoll i një familjeje të vendosur natyrshëm në anën e Ballit Kombëtar dhe pasardhës i një pjestari të forcave të armatosura të Ballit Kombëtar, Fejziu dhe familja e tij u anatemuan dhe persekutuan nga rregjimi komunist, duke bërë një jetë tejet të vështirë për të mbijetuar. Me një gjuhë të shtruar, pa ngarkesa të shumta letrare, por me shqipe të pastër, ku vështirë se gjen një fjalë të huaj, Bardhyl Mezini plotëson një e nga një faqet e librit, duke na dhënë një pasqyrë të saktë e plot detaje të jetës së njeriut shqiptar në sistemin komunist, dëshirat për një jetë tjetër, më të mirë, të cilën e arriti me shumë sakrifica vetëm në Amerikën e largët.

Sigal

Që në faqet e para përsonazhi kryesor Fejziu shprehet: “Kurrë nuk e kisha menduar largimin, sepse doja t’i qëndroja sa më afër nënës e cila në moshë farë të re, iu përkushtua rritjes së fëmijëve e vetme, ngaqë im atë vdiq i ri, vetëm 45 vjeç…” Jeta e tij në fshatin e largët ishte e një njeriu të vetmuar dhe përbuzur, që gjithë kohën kulloste tufën e vogël të dhive, i vetmi burim jetese për familjen e përbërë nga nëna, motra dhe dy vëllezër. Një ferr i vërtetë për të ishte jeta në ushtri, ku sistemi komunist, fëmijët e familjeve fisnike, që kishin qenë me Ballin Kombëtar i konsideronte armiq, dhe i çonte në frontet e punët më të vështira. Jeta në ushtri iu bë e padurueshme dhe i dukej se nga dita në ditë po i merrej fryma; po mbytej, nga mungesa e plotë e lirisë, intriga të fyejve të panumërta nga eprorët, shfrytëzimi barbar e transferimeve të shumta. Shumë prekës ishte çasti kur Fejziu as njëzet vjeç djalë, i torturuar nga jeta në ushtri i drejtohet malit të Tomorrit dhe lutet: “O zot! Më ndimo ta hedh këtë hall! Ato çaste vendosi përfundimisht të arratisej pavarësisht pasojave, duke u larguar nga vendi, ku përfundimisht ishte i izoluar, pa të ardhme dhe i dënuar të rropatej në punë krahu, me gojën e mbyllur, ndryshe e priste burgu ose pushkatimi. Marrja e vendimit për arratisjen nga vendi diktatorial i kasapit shqiptar, ishte një dilemë e jashtëzakonshme: Mund t’ia dilje të arratiseshe në kushtet, kur shërbeje pranë kufirit si ushtar: ndoshta kishe fat, nuk të pikasnin e të vrisnin rojet e kufirit dhe mund të ndërtoje një jetë më të mirë në një shtet tjetër. Por atje në vendin tënd, për njerëzit, që do të lije do shkaktoje një dramë ose një tragjedi njerëzore. Nëse Fejziu ia dilte të kalonte në Greqi, ashtu si ndodhi vërtet, nëna me vëllezërit e gjithë çfarë përmbante fisi i tij, do të përbuzeshin, do të internoheshin, do të detyroheshin të punonin vetëm punë krahu, do provokoheshin sat’u gjendej një“shkak”ose “arsye” për t’i futur në burg e nuk kishin për të parë, një ditë të bardhë. Fejziu ia doli të kalonte deri në Amerikë me shumë mundime (një odise më vete kjo), por zemra dhe shpirti i tij rrihnin për Shqipërinë, për nënën, dy vëllezërit dhe motrën e vetme. Asnjë komunikim, asnjë telefonatë, asnjë letër për 23 vjet me rradhë derisa ra diktatura. Fejziu ia doli ndërkaq të ndërtonte një ekonomi të suksesshme si sipërmarës, të krijonte një familje të qëndrueshme, e të ruante traditat shqiptare. Shtëpia e tij u bë një nga qendrat pritëse, ku strehoheshin e strehohen shumë shqiptarë që emigronin e emigrojnë në Amerikë derisa të gjejnë një vend pune e strehim. Ndihmoi të afërmit e tij të vinin në Amerikë dhe nëna e tij pati fatin të bëjë një pleqëri të lumtur. Libri ka plot çaste, ku jepet jeta jo e lehtë e emigrantëve shqiptarë, me sherret, e sakrificat e tyre të panumërta, ashtu  si ndodh sot në Shqipëri me ndarjet sipas partive politike. Lidhur me ecurinë e Ballit në Amerikë, ai thekson se fillimisht ia dolën të mbanin gjallë frymen demokratike, duke shpresuar për një ndryshim sistemi në Shqipëri, duke bërë aktivitete, takime me senatorë e drejtues lokalë për të bërë të ditur gjendjen në Shqipëri dhe vuajtjet e popullit nën diktaturë. Me kalimin e kohës puna u zbeh dhe partia e Ballit u shkri, por jo ndjenja e patriotizmit dhe dashuria e shumë shqiptarëve për Atdheun. Shqiptarët e Amerikës u solidarizuan me luftën e Kosovës, duke dhënë ndihmë në të holla sipas dëshirës. Ndihma e Fejziut për luftën e Kosovës ka qenë në mijëra e mijëra dollarë dhe për këtë ai ndihej krenar. Për verimtarinë e tij patriotike Fejzo, është nderuar nga krahina me motivacionin  “Nderi i Krahinës” dhe më 2017 nga presidenti Nishani me motivacionin“Për merita të veçanta civile.” Libri për jetën e Fejzi Sulejmanit lexohet me kënaqësi. Ka vlera të veçanta, sepse tregon jetën e njeriut nën diktaturën e Enver Hoxhës, se njeriu kur i ve vetes një qëllim e arrin pavarësisht nga vështirësitë e shumta që has, në kapërximin e tyre gjatë rrugës. Vlerë tjetër është se shqiptari kudo të ndodhet duhet t’i shkëput marrëdhëniet me atdheun, njerëzit e tij, me familjen, traditat e zakonet. Për këtë ai është një shembull i gjallë për të gjithë shqiptarët e Amerikës. Familja e Fejzos sot është si një Shqipëri e vogël, në zemër të Amerikës, plot shtatëmbëdhjetë anëtarë, me fëmijë, nipër, mbesa, ku flitet e këndohet shqip dhe ruhen traditat më të mira  shqiptare të bujarisë dhe mikpritjes.