- Botimi dhe shkrimtaria
Që në vitin 1939, në studimin Për gjenezën e literaturës shqipe, E. Çabej e kishte përcaktuar natyrën e zhvillimit tonë letrar në dy aksioma, të cilat i shqyrton S. Hamiti në kapitullin Konceptet letrare të E. Çabejt. Duke e parë zhvillimin kulturor e letrar shqiptar në një vështrim krahasimtar me kulturat ballkanike, ky studiues kishte formuluar dy aksioma për tiparet e këtij zhvillimi: 1. “… një influencë e madhe e poezisë popullore në shkrimtari…” dhe 2. “…ngjyra politike e shkrimtarisë… Nacion dhe politikë kanë qenë gjer këtu temë kryesore e krijimit letrar”. Me të drejtë S. Hamiti vëren se “të dy aksiomat e tij janë funksionale, deri më sot, që do të thotë një gjysmë shekulli më vonë”.
Arsyeja e parë, pse i risjellim brenda temës së këtij punimi aksiomat e njohura në themel të kritikës sonë letrare, si dhe vlerësimin e S. Hamitit për drejtësinë e lënies hapur të kufirit kohor të formulimeve të Çabejt, është përkimi kohor i periudhës kur lindin dhe zhvillohen të dyja fushat: letërsia dhe botimi. Çabej sigurisht niset nga analiza e prodhimit letrar prej fillimit, sidomos gjatë Rilindjes, deri në fund të viteve ’30 (1939), por S. Hamiti e shtrin veprimin e këtyre karakteristikave deri në fund të viteve ’80 (1989). Është e njëjta periudhë që shënon fillimin dhe shtrirjen kohore të botimit shqip, pra, edhe të dukurisë filologjike që kemi në shqyrtim në këtë kapitull: identiteti i tekstit origjinal gjatë ri/botimit. Rikujtojmë se këndshikimi filologjik i konceptit të tekstit përputhet me konceptin e Hamitit se historia jonë e letërsisë fillon me botimin e librit të parë të shtypur në gjuhë shqipe. Që nga Rilindja dhe gjatë shekullit XX, botimi shqip ka edhe periudhën e vet të vijimësisë së pandërprerë, pastaj të profilizimit dhe konsolidimit (ashtu si letërsia shqipe), prandaj edhe të meritave dhe deformimeve.
Arsye e dytë, është lidhja e drejtpërdrejtë e këtyre përcaktimeve të Çabejt për shkrimtarinë shqipe me karakteristikat e botimit shqip, meqë botimi është proces që e shoqëron tekstin letrar në mënyrë të pandashme, si e vetmja mënyrë për ta sendëzuar të “palëndën” e asaj që e quajmë vepër letrare dhe për ta çuar te lexuesi, sepse vetëm kështu (e shkruar / e botuar) ajo merr emrin tekst / libër.
Pra, po themi se koncepti botues i një periudhe kohore të caktuar ka të njëjtat karakteristika me procesin (shkrimtaria) e së njëjtës kohë, proces nga i cili lind vetë objekti i botimit (teksti i veprës letrare), si pasojë e lidhjeve të drejtpërdrejta e të pashmangshme ndërmjet tyre, sepse janë pjesë të natyrshme të tërësisë “kulturë e shqipes së shkruar”, që kushtëzojnë e vijojnë njëkohësisht njëra-tjetrën. Nëse shkrimtaria dhe produkti i saj, letërsia (bota e së cilës nuk është e lidhur drejtpërdrejt me kushtet historiko – sociale, politike e kulturore), karakterizohet me një influencë të madhe prej folklorit, ideologjisë kombëtare dhe politikës, edhe botimi do ta ndiejë këtë ndikim, madje, në mënyrë më të drejtpërdrejtë dhe më gjatë në kohë. Në kushte të njëjta historiko-sociale, dukuria me ekzistencë të dyfishtë vepër-tekst (Ëork-artefakt, sipas Filologjisë së Re / Materiale) do t’i ketë me doemos të ngjashme edhe karakteristikat. Botimi nuk lidhet drejtpërdrejt me “lëndën” e veprës së botuar (bota e veprës është abstrakte), por ndikon tek ajo, nëse gjatë botimit ndryshon forma e saj “materiale”, pra teksti origjinal, “në fjalë e fjali të radhitura” (M. J. Driscoll), pikërisht ashtu siç i ka organizuar autori. Është një qëndrim i gabuar në koncept dhe në praktikën e ri/botimit të tekstit të shkruar që, përkundrazi, është normal në një fushë tjetër të qarkullimit estetik, në qarkullimin oral të tekstit anonim, tipik për folklorin. Sipas Çabejit, në letërsi ndikimi nga folklori shprehet në lëndë, në formën e përbrëndëshme, në ritm, metrikë si dhe në veçantira, pra, siç e quan Hamiti, në etnicitetin e saj (term i argumentuar brenda konceptit të kodeve funksionale, krejt ndryshe nga kërkesa për frymë kombëtare dhe karakter popullor e socrealizmit).
Mendësia dhe praktika që motivon prekjen e dëshmisë tekstoreautoriale gjatë ri/botimit (gjatë qarkullimit ose transmetimit të tekstit), moskonsiderimin e origjinalitetit të patjetërsueshëm stilistik dhe vullnetit të tij për botim (në gjallje ose postem), është e ngjashme në formë me mendësinë dhe praktikën “folklorike”. Paralelizmi në këtë rast s’ka për qëllim të tipizojë ironikisht mungesën e traditës shkencore filologjike në përpunimin dhe përgatitjen për botim të librit shqip; me anë të tij synohjet të shënohet një nga shkaqet në fillesë të amatorizmit të sjelljes ndaj veprave letrare në gjuhë shqipe. Kuptohet se kjo mungesë nuk është thjesht mosdije dhe “formë”, përderisa pasojat shkojnë deri te cënimi i konkluzioneve tërësore të shkencës letrare për autorë, vepra dhe periudha të tëra të letërsisë. Po t’i analizosh së bashku ndikimin nga folklori dhe ideologjizimin e politizimin, mund të dallosh lidhje të natyrave të ndryshme ndërmjet elementeve të këtij binomi jetëgjatë, që kalojnë nga procesi i shkrimit, në atë të transmetimit (botimit), të receptimit dhe interpretimit të teksteve të ri/botuara.
2.1. Botimi dhe oraliteti foklorik
(Paralelizëm me tezën e parë çabejane)
Në fushën e botimit, pra, në praktikën e përgatitjes së tekstit për botim, gjejmë qëndrimin jo korrekt ndaj tekstit origjinal, që e kemi quajtur të tipit “folklorik”. Kur studiuesi S. Hamiti flet për një çështje të mbartur të oralitetit, si formë të pranisë (periodizuesit e letërsisë deri tani kanë përcaktuar folklorin në origjinë të letërsisë shqipe), ka parasysh pikërisht krijimtarinë gojore popullore, që ai e dallon prerë nga letërsia. Oraliteti është forma më e hershme e pranisë si tekst me funksion poetik dhe estetik në gjuhë shqipe, por në kushte të tjera krijimi dhe ekzistenca, së pari, jo si tekst, në kuptimin filologjik. Oraliteti, anonimati, kolektiviteti dhe sinkronizmi janë thelbi i jetësimit dhe transmetimit të krijimit folklorik, krejt tjetër nga kushtet që jetësojnë tekstin e veprës letrare të botuar, që, sipas filologjisë janë: autori (“i shfaqur dhe i identifikuar në tërësinë e strukturës së veprës”, S Hamiti), teksti (“fjalët në fletë” M. J. Driscoll) dhe botimi (kopjimi, shumëfishimi, L. Ç. Martineli). Në një kuptim, oraliteti është forma e parë e “botimit” të krijimit artistik të fiksuar në kode gjuhësore, fjalësore (mënyra e tij e ekzistencës, kusht për folklorizimin), me të gjitha karakteristikat specifike që e shoqërojnë dhe që përbëjnë thelbin e tij tipologjik. Ky lloj “botimi” i krijimit folklorik nuk është shumëfishim i kopjeve të të njëjtit tekst, por përformancë interpretuese, spektakël, janë variante të secilit rapsod veç e veç (madje, me ndryshime nga një interpretim te tjetri), të cilat, pas shumë kohësh, rezultojnë në motërzime të njëra-tjetrës. Lirinë për të ndërhyrë si bashkautor në krijimin fillestar e përdor secili interpretues, ndryshe nuk ka mjedis dhe proces folklorizues, as qarkullim foklorik.
Krejt ndryshe ndodh me tekstin letrar të shkruar, në të cilin, cënimi i tekstit origjinal të shkruar gjatë botimit, quhet sakrilegj. “Huazimin” e mënyrës së transmetimit / jetësimit të folklorit, në politikën dhe praktikat botuese të tekstit origjinal të shkruar, e kemi quajtur mënyrë “folklorike” e transmetimit filologjik. Sjellja e ngjashme ndaj krijimit autorial, në dy lloje komunikimi estetik të natyrave të ndryshme (oral dhe të shkruar), ka pasoja të ndryshme, madje të kundërta në vlera: tek tipi i parë (foklori) ndërhyrja prodhon motërzimet, që përbëjnë pasuri folklorike, kurse tek tipi i dytë (teksti i shkruar / i botuar) prodhon falsin, një antivlerë për letërsinë. E ngecur prej shekujsh në mendësinë e qarkullimit gojor të vlerave kulturore, letrare e artistike (shumë e zhvilluar, edhe në fushat e tjera: juridike, zakonore, praktike etj), Shqipëria ende vuan pasojat e mungesës së gjatë të shkrimit dhe librit të botuar. Një fakt që mbështet vazhdimësinë e traditës orale të transmetimit (filologjikisht) të tekstit të veprës letrare të shkruar (letërsisë), edhe në kohën kur bëhet i mundur botimi veprave në gjuhë shqipe, jashtë dhe brenda vendit, është mënyra e qarkullimit të veprës letrare të mjaft prej autorëve të traditës, që, në shumitën e rasteve, bëhet nëpërmjet kanalit të lashtë të transmetimit gojor dhe doemos të ndryshuara, në variantet e ashtuquajtura motërzime (vargjet e Naimit, Çajupit, Fishtës etj. për më shumë se gjysmë shekulli janë mësuar / transmetuar përmendësh dhe gojarisht).
Pra, që nga fillimet e letërsisë shqipe dhe deri vonë, për raste të veçanta, si Fishta, skema e komunikimit të tekstit të shkruar funksionon sipas skemës së komunikimit gojor. Kjo situatë ndryshon shumë nga koncepti i ekzistencës së veprës letrare, sipas teorive të komunikimit, për karakteristikat e tekstit letrar dhe raportet me receptuesin. Një vepër letrare e shkruar, e cila jeton duke humbur ekzistencën si “seri shenjash grafike që mbartin domethënien”, të cilat “vihen në lëvizje vetëm në leximin tjetër”, e kthen tekstin autorial (veprën letrare) në modelin e ekzistencës së artefaktit folklorik, me autor anonim, në të cilin komunikimi ndjek “drejtimin mesazh –> marrës (duke injoruar kontekstin preciz të dhënies dhe, madje, edhe dhënësin vetë, për veprat anonime)”.
Mungesa e traditës së botimit është karakteristike për të gjitha kulturat që dalin nga periudha e errët në dritën e identitetit kombëtar, por këtu problemi është se kjo mënyrë sjelljeje, “folklorike”, ndaj tekstit autorial të botuar në shqip, reflektohet gjer tani vonë në botimet tona, pavarësisht motiveve të ndryshme (herë politike, herë ekonomike e herë kulturore, që motivojnë njëra-tjetrën). Të sjellurit me tekstin e shkruar si me krijimin oral dhe, sidomos, në kushtet kur funksioni poetik (estetik) vihet përcaktimisht në funksion të referencave me situatën e emetimit (ndërhyrja e faktorit politik, ideologjik), sjell si pasojë zbehjen e “autonomisë” së mesazhit të veprës së shkruar, gjë që, edhe gjatë procesit të ri/botimit, zhvlerëson parimin e ruajtjes së strukturës formale të tekstit origjinal të veprës.
2.2. Botimi dhe politika
(Paralelizëm me tezën e dytë çabejane)
Në një fazë të mëvonshme, sidomos kur kemi një shtet shqiptar, ndërhyrja e faktorëve jashtëletrarë bëhet “emergjente”, për shkak ndikimit të lëvizjeve të ndryshme sociale e politike të kohës, që, me siguri, Çabeji i ka parasysh, kur e veçon politizimin si një faktor evident veprues në shkrimtarì deri në fund të viteve ’30 të shekullit XX. Studiuesi Sabri Hamiti ka akoma më shumë arsye për t’i theksuar ndikimin nga folklori, ideologjizimin dhe politizimin, si tipare të shkrimtarisë, madje, në përgjithësi, si tipare të kulturës shqiptare lidhur me shkrimin e gjuhës, për gjithë shekullin XX. Ne vetëm po shtojmë se të njëjtat karakteristika profilizojnë edhe politikat dhe praktikat botuese gjatë së njëjtës periudhë kohore, madje, se ato vijojnë edhe në fillim të shekullit XXI. Por emergjencat tona nuk kanë fund, sidomos kur lidhen me interesa konkrete, politike e materiale. Sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XX, dukuria e cënimit të tekstit gjatë botimit kthehet nga mosdije, prej mungesës së traditës, në politikë dhe praktikë botimi e vetëdijshme; ajo është më e gjerë dhe e institucionalizuar, sepse synon një ndërhyrje me tendencë të dukshme ideo-politike e klasore të caktuar në veprën letrare të botuar (sidomos në ato postem).
Duke filluar nga mesi i viteve ’60- të shekullit XX nis në masë botim i seleksionuar i veprave të autorëve të traditës. Termi “botim i seleksionuar” është tepër i gjerë për një politikë botimi dhe ka në themel kritere rigorozisht shkencore, që përcaktojnë tipologjitë e botimeve në bazë të destinacionit dhe kategorive të lexuesve, ashtu siç praktikohet kudo në botë e që nuk kanë munguar as te ne. Këtu e kemi fjalën për atë pjesë të kësaj politike, që emërtimin më të saktë e ka censurim, e cila paraprinte aplikimin e tipologjive të botimit, duke kushtëzuar kështu edhe studimin teorik dhe konkluzionet shkencore të analizave për autorët e veprat e tyre. Dhe nuk ishte fjala vetëm për autorët dhe veprat e shpallura “të ndaluara”, sepse përfshinte edhe autorë e vepra që shpalleshin me vlera të pamohueshme dhe thelbësore në fondin e letërsisë shqipe. Megjithëse që në krye të herës është ndjerë e shijuar intuitivisht, është dalluar origjinaliteti i gjuhës së një Naimi, një Fishte etj., pra, ajo që U. Eko e quan idiolekt i veprës letrare, kjo nuk ka përbërë arsye të mjaftueshme për t’i vlerësuar si të paprekshme makro dhe mikrostrukturat e gjuhës autoriale të tekstit të shkruar gjatë ribotimit, apo gjatë përshtatjes në stadet e mëvonshme të zhvillimit të gjuhës shqipe. Prekja e strukturës së jashtme të veprave të botuara (heqje, shkurtime, ndryshime), që faktohet në ribotimet postem – variante false të tekstit arketip – ka rezultuar në çekuilibrimin e raporteve të çiftit sistem-strukturë të veprës letrare, ka çuar në dëmtimin e aftësive dekoduese të sistemit të shenjuesve dhe të mesazheve të tyre si dhe në paqëndrueshmërinë e konkluzioneve të studiuesve të letërsisë për autorë e periudha të tëra të letërsisë shqipe. Janë tashmë shumë të njohura botimet e “krasitura” nga pjesët me ngarkesë teologjike, mistike dhe filozofi idealiste të veprës së plotë të N. Frashërit, Çajupit, Asdrenit, Mjedës etj., si dhe në botimet me përmbledhje folklorike, për të mos përmendur ndërhyrjet dhe shkurtimet në fjalë të veçanta, apo vargje të tëra të poezive që përfshiheshin në antologjitë e tekstet shkollore. Ndërkohë, lista e veprave dhe autorëve, që i mungonin tërësisht për disa dekada komunikimit me lexuesin është shumë e gjatë dhe nuk lidhet drejtpërdrejt me temën e këtij punimi. Pjesë të këtij realiteti janë censurimi dhe autocensurimi, faktorë të ligjëruar ndërhyrës në hallkën nevralgjike të botimit, që e sillte tekstin disa herë të shfytyruar te lexuesi, nga ndërprerja totale ose funksionimi me pauza të gjata a të shkurtra të kanalit të komunikimit të tij me të. Historisë së kësaj “mosmarrëveshjeje” të gjatë i takon edhe romani “Një emër në katër rrugë” i Petro Markos, i hequr nga qarkullimi me urdhër për t’u asgjësuar, një çast para se të hynte në qarkullim, por edhe i tjetërsuar në ribotimin postem të 2001-shit, me të cilin ilustrohet gjerësisht në kapitujt e tjerë dukuria për të cilën po flasim.
Për fushën aktuale të studimeve, dukuria e cënimit të tekstit autentik evidentohet si problem i mprehtë, sidomos për autorët e quajtur “të ndaluar” apo “të mohuar” deri para ’90-ës, veprat e të cilëve po nxirren nga bodrumet e hetuesisë dhe arkat e fshehta pas vdekjes së tyre dhe botohen ose ribotohen gjerësisht (nga dorëshkrime, vepra të paribotuara prej disa dekadash ose të censuruara një çast para qarkullimit, ngaqë autori dhe vepra e tij duheshin shtyrë në harresë, për arsye jashtëletrare). Nuk ka asnjë garanci se sa autentike janë veprat e bëra të njohura publikut thjesht nga duart e të afërmve, botuesve ose njerëzve të tjerë, shpesh të rastësishëm, por që kanë, ndërkohë, ekskluzivitetin e pronarit të trashëgimisë së arkivit të autorit dhe nuk lejojnë hapjen e tyre për qëllime studimi. Kjo është arsyeja pse në këtë punim jemi ndalur gjerësisht në raste botimesh që nuk i respektojnë parimet e tekstit autentik dhe krijojnë probleme edhe lidhur me përcaktimin e tekstit arketip.