Suplementi Pena Shqiptare/ Ismail Xhaferi: Qyteti mbi gur

28
Sigal

Një re u ngrit mbi Gjirokastër,
dhe se ku shkoi nuk e pashë më,
nga portë e vjetër e kalasë,
dalin legjenda një nga një…

Oh, jo nuk janë vetëm legjenda,
që shekujt pranë na i ka prurë,
përveç legjendës së Argjiros,
shumë histori janë përmbi gur.

Mbi gur qyteti hodhi rrënjët,
të ish i sigurtë ballë stuhive,
me gur i shtroi edhe rrugicat,
mbi gur ua gdhendi emrin bijve.

Qyteti ynë në jug të vendit,
me gjuhë të gurit di të flasë,
me gur i ngriti dhe shtëpitë,
kala të vogla rreth kalasë.

Mbi gur është shkruar historia,
mbi gur është gdhendur dhe flamuri,
e zgjodhi gurin për mbiemër,
dhe patrioti Idriz Guri

Me gur ndërtoi të gjitha urat,
që lidh çdo breg e çdo kodrinë,
me gur e bluan dhe kafenë,
në gur e gdhendi historinë.

Me gur ndërtoi vazo për lulet ,
ndaj lulet s’i munguan kurrë,
dhe është qyteti ndoshta i vetëm,
ku mbijnë lulet përmbi gur.

Dhe dashurinë për mëmëdheun,
e gdhendi mbi çdo gur e portë,
së pari e gdhendi në zemër,
por vetëm zemra se nxën dot.

Gjithçka në gur qëndron e gdhendur
se veç me fjalë nuk mund të thuhet,
krijoi qyteti nëpër shekuj,
më shumë lavdi sesa i duhet.