Ushtarakët letër të hapur kryeministrit: Gjykatat na rrënuan, politika na mashtroi

853
Nga Gjergj ÇELA
Ish-Ushtarakët “luftë” të hapur me politikën dhe gjyqësorin për një qëllim të vetëm, fitimin e pensionit të parakohshëm. Dhjetëra vendime të hedhura poshtë nga gjykatat. Së fundmi një vendim unifikues i Gjykatës së Lartë, i cilësuar skandaloz nga kjo pjesë e shoqërisë
Deri kur do të vazhdojë politika të tallet me ish ushtarakët? Mora shkas për të shkruar nga publikimi i Vendimit Nr. 3 të datës 24.11.2016 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë i cili kishte marrë në shqyrtim ankesën e Sigurimeve Shoqërore, mbi gjyqin e fituar për pensionin e parakohshëm të një ish -ushtaraku.
Skandaloze!
Nuk e di po ku e gjejnë forcën apo fuqinë këta palo gjyqtarë, të cilët me cinizmin më të madh dhe pa ju dridhur dora fare venë e firmosin një vendim gjyqësor, bile edhe e unifikojnë në dëm të ish -ushtarakëve, të kësaj shtrese kaq të kundërshtuar dhe të luftuar si asnjë shtresë tjetër.
Turp! 
Turp për të gjithë ata politikanë apo shtetarë që e kanë lexuar dhe as që marrin mundimin më të vogël për ta kundërshtuar, apeluar, bile edhe për ta abroguar Aktin Normativ famëkeq me fuqinë e ligjit Nr.5, datë 10.11.2010, i cili i shndërroi ushtarakët në njerëz të rëndomtë, me pensionin e një sanitareje, ku vuajtjet sakrificat djersa dhe gjaku i tyre u shndërruan në tallje dhe cinizëm nga ana e këtyre palo gjyqtarëve dhe pushtetarëve që kur vjen puna, në vështirësi, shkojnë e fshihen nën fustanet e grave dhe vënë ushtarakët përpara për zgjidhjen e situatave të rënda.

Ku janë deputetët ish -ushtarakët? Ku janë Pirro Lutaj, Arben Çuko, Xhemal Qefalia apo edhe Anastas Angjeli, që nuk po dëgjohen fare për këtë pabesi që po u ndodh shokëve të tyre të armëve? 
Ku janë Ilir Meta, Pandeli Majko apo edhe deputetë të tjerë që i kanë pasur prindërit apo të afërmit ushtarakë dhe e dinë mirë se çdo të thotë të mbash veshur atë uniformë? Turp të kenë, që edhe ata tallen me mundin dhe djersën e prindërve dhe të afërmve të tyre! Ku është Kryeministri Rama që në diskurset e tija publike parazgjedhore, është përgjëruar dhe ka dhënë kaq e kaq premtime për këtë shtresë? Përse nuk po ndihen fare kur ka 4 muaj që e kanë marrë në dorë këtë vendim? 

Ku je Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, që në takimin elektoral që mbajte me ish ushtarakët në Tirane mes të tjerash the: “Sot askush s’do t’ia dijë për hallet, problemet tuaja, vetëm propagandë. Nesër edhe hallet tuaja do jenë edhe hallet e qeverisë sonë. Problemet tuaja do jenë edhe problemet e qeverisë sonë. Shpresat tuaja do të jenë edhe shpresat tona dhe prandaj për të gjitha këto do punojmë bashkërisht, konkretisht me ju. Ju erdhët në pikën që fituat edhe me Gjykatën Kushtetuese të drejtën dhe prapë nuk ua njohu njeri. Fatura mund të jetë shumë e lartë, por më e lartë sesa fatura financiare është fatura e shkeljes së dinjitetit. Është fatura e përbuzjes dhe është fatura e dhunës. Se dhunë është kjo. Dhunë e ftohtë, një qeveri që thotë nuk të njoh edhe kur ti ke fituar gjyqin”.

Fjalë më të mira më të ngrohta dhe me shpresëdhënëse nuk kishte. Ish- ushtarakët u mbushën me shpresë se ishte një premtim i bërë drejtpërsëdrejti. 
Na gënjeve, na mashtrove! 

Ja dhe armata e gjyqtarëve të korruptuar, që i dhanë Fullanit 500 milionë për dëmshpërblim moral dhe ish -Kryetares së Gjykatës së Lartë 50 rroga mujore dëmshpërblim për mos sistemim në punë kurse ish -ushtarakëve jua heq edhe ato që kanë marrë… Apo mos vallë këta gjyqtarë të korruptuar po marrin hak kundër jush Z. Kryeministër, duke na vënë ne ballë për ballë në llogore të kundërta??? Të takon ty Z. Kryeministër që ta zgjidhësh këtë rebus… duke vepruar, pasi edhe avokati i shtetit që ka marrë pjesë në këtë proces ka qenë dakord me këtë vendim.. Pra përfaqësuesi i qeverisë ka qenë dakord… Nuk dimë si ta shpjegojmë këtë veprim… sepse me këtë Vendim, i bie që të gjithë ish- ushtarakët që janë ende në proces gjykimi në të tri shkallët, automatikisht i kanë humbur gjyqet e si rrjedhojë do tu duhet që të kthejnë paratë e marra që u ka dhënë Gjykata e Apelit, apo ata që janë në Apel dhe e kanë fituar çështjen në shkallën e parë, e kanë të humbur, po automatikisht çështjen… dhe ata që ende nuk e kanë hapur çështjen, të mos e marrin mundimin fare, se ky Kolegj u thotë se asnjë proces nuk duhet ta hapin se kështu urdhërojmë ne. Nuk po hyj në analizën e këtij vendimi, pasi është turp për jurisprudencën shqiptare arsyetimi i këtij ligji, ashtu si arsyetimi i Vendimit nr. 2 datë 18.02.2013, i Gjykatës Kushtetuese,

Ku është Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, i cili dhe u betua gjatë diskutimit në seancë plenare të Aktit Normativ duke folur më shumë “pasion”: “Ne si opozitë jemi të vendosur që jo vetëm të mbështesim këtë grup, jo vetëm ta respektojmë këtë grup, por jemi të vendosur se ditën që Partia Socialiste do të qeverisë, një nga gjërat e para që do të bëjë është shfuqizimi i këtij akti normativ. Deputetët e maxhorancës, Qeveria e Sali Berishës, sot, përfundoi aktin, nismën tuaj 20-vjeçare për degradimin e këtij grupi shoqëror”.

Kë të besojmë Arbenin e parë që sokëllinte me kordhë ndër dhëmbë duke mbrojtur të drejtat tona që ishte në opozitë, apo këtë të dytin që u bë ministër dhe ka “halle” më të mëdha dhe i ka harruar premtimet e bujshme që ka bërë..???
Ku është Ministri Blendi Klosi, i cili së bashku me Kodhelin, na mblodhën në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, për të bërë shown e radhës, me prezantimin e të famshmit ligj për kthimin e debive të mbajtura ushtarakëve, duke deklamuar me të madhe me demek “mbajtjen e premtimit”…. ku Klosi, me shumë demagogji, i bërtet Drejtorit të ISSH, se vallë ai nuk kishte zbatuar urdhrin që të mos ankimoheshin fare çështjet e fituara nga ish ushtarakët, në Apel apo Gjykatën e Lartë? 

Falsitet, demagogji e pastër, të gjitha çështjet e fituara nga ish-ushtaraket, janë ankimuar në gjykatat më të larta…
Është folur shumë për trajtimin që qeveritë shqiptare i bëjnë ish-ushtarakeve ndër vite. Në realitetin shqiptar dy janë shtresat me të cilat politika ka abuzuar ndër vite, ish të përndjekurit politike dhe ish-ushtarakët. Po për ish të përndjekurit politike u gjet një zgjidhje dhe ata dolën nga ngërçi. Dhe që një pjesë e tyre e kanë blerë këtë status, pasi kanë qenë të dënuar për krime ordinere. Qeveria u ka dhënë atyre, nga janari i vitit 2009 deri më 30 shtator 2012, gjithsej 5.6 miliardë lekë ose 56 milionë dollarë dhe për vitet 2014, 2015 dhe 2016, edhe rreth 50 milion dollarë të tjerë. Ndërsa për ish -ushtarakët ende vazhdon kalvari i mundimeve dhe mospërfilljes dhe ca më keq akoma. 

Nuk mjaftoi vetëm Vendim nr. 2 datë 18.02.2013, i Gjykatës Kushtetuese, që i dha grushtin e parë kësaj shtrese, duke legjitimuar Aktin Normativ famëkeq, por ja së fundi edhe ky Vendim Unifikues, i cili përfundimisht i barazoi ish -ushtarakët me nivelin më të ulet të hierarkisë shoqërore në Shqipëri, duke mos njohur as Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë shprehur pozitivisht, por as edhe ligjet që vetë parlamenti i Shqipërisë ka nxjerrë për këtë qëllim, duke shkelur edhe një nga parimet themelore të drejtësisë, atë të parashkrimit të gjykimit. Dhe është për tu habitur se sa me lehtësi ky kolegj rrëzon vetveten pasi krejt ndryshe ka arsyetuar në Vendimin e Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, nr. 4, dt. 27.03.2003.

Forcat politike gjithmonë janë munduar që problemin e trajtimit të ish ushtarakëve ta shohin në dy pamje, para dhe pas zgjedhjeve. Nëse para zgjedhjeve kanë bërë premtime të mëdha para shtresës se ish ushtarakëve për përkrahje se do tu zgjidhin problemet e tyre, pas zgjedhjeve ata harrojnë dhe historia vazhdon ende nga e para.

Nuk po ndalem fare në çfarë është thënë për ushtarakët dhe ushtrinë në jetën e një shoqërie apo kombi. As që do të merrem me këtë, pasi deheroizimi i ushtrisë sonë ne emër të dekomunistizimit në vitet 1991-1996 e cila vazhdoi edhe gjatë viteve të mëvonshme, jo vetëm që ka sjellë pasoja shkatërrimtare si viti i mbrapshtë ’97, por ka sjellë edhe një pakënaqësi apo nënvlerësim edhe nga një pjesë e shoqërisë, e cila e quan ushtrinë dhe ushtarakët, si “parazitët” e shoqërisë, pa e ditur se në të vërtetë ushtria është një e keqe e domosdoshme se, pa folur për luftën, por vetëm në kohë paqe, në rastet e jashtëzakonshme të përmbytjeve, zjarreve apo fatkeqësive të tjera natyrore, të gjithë i kanë sytë nga ushtria, duke harruar që ajo duhet stërvitur, respektuar dhe trajtuar me kohë. Shembujt e vendeve perëndimore, atje tek të cilat aspirojmë të hyjmë, është me domethënësi për trajtimin e ushtarakëve si në shërbim ashtu edhe në lirim apo në rezervë. 

Nuk besoj se ka ende ndonjë shtresë në shoqërinë tonë, për të cilën janë miratuar 2 ligje procedurale (Statuse për ushtarakët) 5 ligje materiale dhe 3 vendime të Gjykatës Kushtetuese. Dhe të gjitha këto që kundërshtojnë njëra- tjetrën me qëllimin e vetëm që të mos u japin ushtarakëve në rezervë atë që meritojnë. Dhe më e bukura është që i gjithë ky korpus ligjor, është në kundërshtim me parimin e famshëm të jurisprudencës, atë të sigurisë juridike, në rrjedhshmërinë ligjore dhe të zbatimit të ligjit në procesin gjyqësor. 

Nga koha e diktaturës në trashëguam një ushtri të madhe, e cila i përkonte koncepteve të kohës së luftës së ftohtë. Ajo ushtri kishte një armatë prej 16.000 oficerësh dhe 9.000 n/oficerësh. Sot trajtohen me pension të parakohshëm rreth 11 mijë e ushtarakë. E gjithë kjo armatë njerëzish të devotshëm, të ndershëm dhe patriotë janë lënë në harresë nga qeveritë e ndryshme. Ndaj tyre tregohet një mosmirënjohje e theksuar edhe nga shoqëria në përgjithësi. Perse? Sepse e gjithë politika e ka përbuzur këtë shtrese dhe kjo ka ndikuar edhe tek pjesët e tjera të shoqërisë të lidhura me këtë politike. Politika e ka mikluar vetëm kur ka pasur nevojë për të dhe kaq. Ndryshe nga e gjithë bota ku ne aspirojmë të shkojmë, e cila e quan ushtarakun një aset të vyer të shoqërisë dhe pa hezitim, pas lirimit nga detyra ushtarake, e vendosin në detyrat më të rëndësishme, si në administratën shtetërore ashtu edhe në kompanitë private, pasi janë të bindur në disiplinën, inteligjencën dhe njohuritë e tyre, tek ne ndodh e kundërta. 

Në një takim me një kolonel në rezervë të ushtrisë amerikane, atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë, në një diskutim për statusin e ushtarakut, ne vitin 2003 na thotë:

-Përse duhet trajtuar ushtaraku edhe pas daljes në lirim? Më thoni të nderuar se cila është detyra kryesore e një ushtaraku në tërë botën? Përse është përgatitur ai më së miri? Thjeshtë për të vrarë armikun, pra për të vrarë njerëz. Këtu qëndron edhe thelbi i trajtimit të tij post-militar. Ai, ndryshe nga inxhinieri, arsimtari, doktori ekonomisti etj, etj, nuk ka një profesion që të jetë i ngjashëm edhe në jetën civile. Ndaj trajtohet në mënyrë të veçantë, që ai të mos bjerë pre e grupeve apo bandave terroriste, të cilat duke parë gjendjen e tyre të vështirë ekonomike i ofrojnë më shume parà për tu shërbyer. Ja kaq e thjeshtë është puna. Historia ka treguar se sa të vërteta janë këto rreziqe.

Ku jemi sot?
Kaluan 3 vjet e gjysmë nga ardhja në pushtet e kësaj mazhorance dhe jemi atje ku e morën këta pushtetin, përjashto një ligj për policinë e shtetit i cili ende nuk ka hyrë në fuqi, si dhe fondet e dëmshpërblimit për ish të përndjekurit politikë që janë realizuar 100% rreth 50 milion dollarë. Për ish ushtaraket më në fund, qeveria miratoi një projektligj, me demek për faljen e detyrimeve të papaguara, të cilat për ironi, shkonin në masën e 9 milion dollarëve, për periudhën Korrik 2009 – Dhjetor 2016. Ja pra shikoni se sa vlejnë ushtarakët, ja se për sa luftojnë ata, ja për çfarë shume bëhet gjithë kjo luftë… për 10 milion dollarë për 7 vjet, apo me gjithë rritjet e pretenduara shkon në 20 -25 milion dollarë po për 7 vjet. Ja kjo shumë zhbalancon buxhetin e shtetit, kjo shumë prek dhe rrënon financat publike… Pra qeveria, i shpëton borxhit publik vetëm duke u ngrënë pensionin e parakohshëm 11 mijë ushtarakëve. Pra buxhetin e shtetit e shpëtojnë vetëm ato thërrimet e këtij palo pensioni. A e kuptoni se sa qesharake është? Kur ndërkohë shtohen pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, u shtohen pagesat suplementare të të zgjedhurve lokale dhe qendrore, u falen borxhet e dritave, të ujit apo tatimet e kështu me radhë. Ja pra ku qëndron tallja edhe e institucioneve të tilla si vetë Gjykatës Kushtetuese, e cila me Vendim nr. 2 datë 18.02.2013, dhe e Kolegjeve të bashkuara të cilat tregojnë edhe një herë sëmundjen e gjyqësorit për varësinë nga politika e ditës me këtë vendim alogjik dhe poshtërues për veten.

Të mos harrojmë që ky pension I parakohshëm ushtarakëve u jepet në këmbim të privacioneve që u ka dhënë profesioni. Përse duhet të marrë pension suplementar një deputet, me Cv te dyshimtë, me diplomë të blerë, që të vetmen gjë që di të bëjë është të mbyllë gojën ti bëjë fresk kryetarit dhe të ngrejë kartonin, dhe me vetëm 4 vjet (minimalisht) në karrigen e deputetit, përkundër ushtarakëve, që shteti ka investuar në edukimin e tyre, dhe për vetë natyrën e detyrës, dalin para kohe nga shërbimi ushtarak dhe përveçse nuk u gjendet asnjë punë e përafërt në sektorin publik, por u jepet edhe një pagesë për mëshirë. Të gjitha qeveritë, politika, mburren se jemi në NATO, por harrojnë se futja në NATO ka qenë së pari përkushtimi I Forcave te Armatosura, sakrificat e panumërta të tërë atyre djemve, grave e burrave nën uniforme që kane shkuar dhe kanë punuar me përkushtim atje ku ka pasur nevojë atdheu.

Por këtu qëndron dhe ironia më e madhe…, tallje më të madhe se kaq nuk ka. Por mirë te na e bëjnë, kur ne shkojmë e votojmë. Mire të na e bëjnë kur ne jemi bërë kashtë e koqe dhe nuk bëhemi bashkë për të drejtat tona, por jemi ndarë në një gjysmë dyzine shoqatash dhe më e bukura bëmë edhe një parti tonën… Hajde në ç’derexhe jemi, hajdeee…!

Por gjithmonë ka rrugëzgjidhje, nëse është dëshira e mirë dhe ekziston vullneti pozitiv i kësaj qeverie. E gjendur përballë kësaj situate, qeveria nuk lufton dot kundër një vendimi gjykate, Por ajo ka tre mundësi:

1. Mund ta dërgojë në Gjykatën kushtetuese. A ka dëshirë që ta bëjë? Apo i druhet një vendimi tjetër? 
2. Të abrogojë ligjin Nr. 10139 duke përgatitur një ligj tjetër. Por kjo kërkon procedurë dhe Qeveria dhe parlamenti kanë të tjera halle tani.
3. Dhe rruga e tretë dhe më e lehta është që qeveria me një urdhër administrativ, të urdhërojë ISSH, që të tërhiqet zyrtarisht nga të gjitha ankimimet që ka bërë ndaj proceseve të humbura me ish ushtarakët në të dy shkallët e gjykatave të Apelit dhe të Lartë, për të gjitha çështjet që janë në proces gjykimi dhe që janë humbur në shkallën e parë nga Sigurimet Shoqërore, deri në zgjidhjen ligjore të këtij problemi…

Me këto veprime do të shohim në të vërtetë se sa seriozisht e ka qeveria deklaratën për “dashurinë” dhe respektin ndaj ish ushtarakëve. Por gjithmonë ka rrugëzgjidhje, nëse është dëshira e mirë dhe ekziston vullneti pozitiv i kësaj qeverie.
Sigal