PD Dibër ka denoncuar hilet e qeverisë për zvarritjet dhe kostot e fryra të Tunelit të Qafë Murrizës. Ata duke iu drejtuar qytetarëve të Dibrës shprehen se qeveria ka tentuar ta përdorë këtë moment për të përfituar politikisht, por qytetarët e Dibrës e dinë të vërtetën: çdo kilometër i kësaj rruge është ndërtuar me vonesë, me kosto të fryra dhe me standarde të diskutueshme. Sot, pas më shumë se 55 muajsh vonesa dhe premtime të pambajtura, Tuneli i Qafë Murrizës më në fund është hapur! Ky nuk është një dhuratë nga qeveria, por një e drejtë e mohuar për vite me radhë. Një projekt i nisur me shumë shpresa, por i penguar nga keqmenaxhimi dhe paaftësia e kësaj qeverie, e cila e ndau në lote për të justifikuar zvarritjet dhe për të fshehur abuzimet.
Ne, demokratët e Qarkut Dibër, kemi ngritur zërin për çdo vonesë dhe mashtrim. Kemi denoncuar hilet e një qeverie që përdor propagandën për të fshehur dështimet. Dhe sot, ndërsa tuneli hapet, ne nuk harrojmë betejën e gjatë për një rrugë të standardeve europiane, për të cilën Dibra ka pritur shumë gjatë.Rruga e Arbrit është një domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik dhe turistik të rajonit tonë. Ajo nuk duhet të mbetet një premtim elektoral, por të garantojë zhvillim të qëndrueshëm. Kjo qeveri do të tentojë ta përdorë këtë moment për të përfituar politikisht, por qytetarët e Dibrës e dinë të vërtetën: çdo kilometër i kësaj rruge është ndërtuar me vonesë, me kosto të fryra dhe me standarde të diskutueshme.Prandaj, sot është një ditë për të reflektuar, por edhe për të kërkuar më shumë llogari. Dibra meriton investime të ndershme, projekte të përfunduara në kohë dhe një qeveri që punon për qytetarët, jo për xhepat e saj.
Bashkë do të vazhdojmë betejën për një Shqipëri më të drejtë, për një Dibër më të zhvilluar dhe për një qeveri, që nuk shet si sukses atë që i takon qytetarëve me të drejtë!
Rroftë Dibra! Rroftë Shqipëria!





















