Av. Eduard Halimi- Një vështrim juridik mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Sali Berishën: Proporcionaliteti dhe antikushtetutshmëria në pikëpyetje

84
Sigal

Gjykata Kushtetuese, me një vendim të dukshëm të sforcuar, siç reflektohet në çdo rresht të argumentimit të saj, arriti në këto përfundime:

  1. Për pjesën e parë të kërkesës së SPAK/GJKKO:
  • Me shumicë votash, Gjykata vendosi që masa e “detyrimit për t’u paraqitur” nuk përbën shkelje kushtetuese dhe nuk kërkon miratimin e Kuvendit.
  1. Për pjesën e dytë të kërkesës së SPAK/GJKKO:
  • Me vota unanime, Gjykata konstatoi se masa e “ndalimit të daljes jashtë shtetit” është antikushtetuese për shkak të joproporcionalitetit të saj.

* Implikime për politikën aktive

Vendimi në lidhje me “shumicën” e votave për pjesën e parë të çështjes pasqyron jo vetëm përbërjen aktuale të Gjykatës Kushtetuese, por edhe origjinën e emërimeve të anëtarëve të saj. Kjo lidhje është një faktor i rëndësishëm në pritshmëritë për vendime me ngarkesë të lartë politike, veçanërisht kur bëhet fjalë për një figurë kyçe të opozitës shqiptare.

Nga ana tjetër, pjesa e dytë e vendimit përmban një mesazh të qartë juridik:

Gjykata Kushtetuese, me unanimitet, e konsideron masën e “ndalimit të daljes jashtë shtetit” të Berishës tërësisht jopropocionale dhe në kundërshtim me Kushtetutën.

* Çfarë tregon ky vendim?

Në funksion të analizës, disa pika duhet të theksohen:

  1. Kundërshtimi i Sali Berishës ndaj masave të SPAK/GJKKO:
  • Berisha kundërshtoi vendimin e SPAK dhe më pas të GJKKO-së, duke argumentuar se ishte antikushtetues. Por si rezultat, SPAK zëvendësoi masën e “ndalimit të daljes jashtë shtetit” me një masë më të rëndë: “arrest shtëpie”.
  • Gjykata Kushtetuese, me vota unanime, konstatoi se masa fillestare ishte antikushtetuese, duke dëshmuar se kundërshtimi i Berishës kishte baza të justifikuara kushtetuese!
  1. Një analizë juridike më e gjerë:
  • Gjykata Kushtetuese vendosi se masa e “ndalimit të daljes jashtë shtetit” për një deputet dhe kryetar partie nuk i përmbush standardet e proporcionalitetit dhe është në kundërshtim me Kushtetutën kur ka një masë si detyrimi për paraqitje e cila është propocionale sipas shumicës së sforcuar!
  • Për rrjedhojë, edhe masa e arrestit shtëpiak, e cila përfshin një kufizim më të rëndë të lirisë, mund të konsiderohet e papajtueshme me Kushtetutën.

* Përfundime dhe implikime më të gjera

Pavarësisht qëndrimit të ekipit ligjor të Sali Berishës dhe vendimit për të vijuar këtë çështje në Gjykatën e Strasburgut, nga këndvështrimi juridik është e qartë se masa e arrestit shtëpiak është në kundërshtim të hapur me standardet kushtetuese.

Ky vendim ngre pikëpyetje serioze mbi mënyrën e interpretimit dhe zbatimit të masave kufizuese nga institucionet e drejtësisë në Shqipëri, SPAK/GJKKO duke nënvizuar nevojën për një qasje më të kujdesshme dhe të bazuar në proporcionalitet Kushtetues! Për një deputet dhe një figurë kyçe politike, liria e lëvizjes është e ndryshme nga ajo për një qytetar të thjeshtë kur bëhet fjalë për “lëvizjen e lirë” e konfirmuar nga qëndrimet e KiE në 2012!

Në një demokraci funksionale, vendime të tilla duhet të jenë shembull për forcimin e shtetit të së drejtës, jo për dobësimin e tij kur bëhet fjalë për figura kyçe politike të opozitës si Sali Berisha!