Ministri që e nisi detyrën me vrasjen e bankierit dhe po mbyllet me vjedhjet e miliardave të bankave

578
Të grabitësh në mes të ditës dhe ditën për diell, është një shprehje që tashmë nuk i takon të kaluarës, sepse realiteti shqiptar ka ndryshuar dhe sot vidhet vetëm ditën. Dhe jo ndonjë vjedhje dosido, por vjedhje bankash dhe makinash bankare që transportojnë vlera materiale dhe monetare. Me sa duket ata që vodhën dikur Bankën e Shtetit Shqiptar paskan lënë nga prapa tersin për shqiptarët dhe fatin për qeveritarët dhe banditët e tyre që mbajnë rreth e qark. Ngjarja e djeshme kur dy automjete të blinduara goditen, bllokohen, u meren paratë dhe nxiren jashtë shërbimi nuk përbën thjesht një alarm, por ajo është një klithmë që tregon se shteti dhe banditët janë së bashku, planifikojnë grabitjet së bashku, nuk zbulojnë, nuk hetojnë por përkundrazi i kalojnë dosjet në pritje dhe ai që e vuan është qytetari i varfër shqiptar. Po përse xhanëm i paguajnë shqiptarët taksat dhe tatimet, për të ushqyer kriminelët apo banditët e veshur me uniformë që me ekzaktësinë më të madhe dinin, se në cilën nga dy autoblindat ishin paratë, si hapeshin dyert, nga do e kishin rrugën e lirë etj. Po patrullat e policisë i dëgjuan krismat ? Po si ka mundësi që dhjetra qindra uniforma policie struken nëpër ferra për të kapur ndonji hallexhi që ka harruar të ndezë dritat e makinës, dhe kur duhet të kryejnë misionin që i ngarkon ligji zhduken nga rrugët? Po ministri Saimir Tahiri që na del dhe na bën spektakel, se do të ndëshkohen dhe penalizohen të gjithë drejtuesit e mjeteve që nuk vendosin rripin ku është? Madje edhe na mburret me krenari, se paska gjobitur qindra hallexhinj. A mos vallë do ishte më mirë që atë kohë që harxhon për marketing dhe spektakël ministri më i dështuar dhe më i përfolur për lidhjet me krimin ta konsumonte pa zhurmë dhe bujë duke trajnuar policët e posblloqeve, se si duhet të reagojnë kur grabitet një bankë apo automjetet e blinduara të bankës që qarkullojnë miliarda lekë dhe që paguhen nga kompanitë e sigurimeve të shqiptarëve? Të ishte rasti i parë dhe i veçantë të gjithë do të tregoheshim të matur në arsyetim dhe të ftohtë në llogikë. Por kur rastet përsëriten dhe asnjë person nuk arrestohet, asnjë rast nuk zbulohet, kjo përbën një krim edhe më të rëndë se vetë krimi i banditëve të veshur me kamuflazh. Ministri i Brendshëm, meqënse ka marë përsipër edhe atributet e Drejtorit të Policisë së Shtetit do të bënte mirë të jepte llogari për të gjithë pasigurinë në të cilën e ka futur vendin, rendin dhe sigurinë. Nuk ka më hipokrizi. se sa të shikosh Ministrin e Brendshëm, i cili është kthyer në magazinier armatimi dhe bredh qytet më qytet për wikend dhe e shet prezencën e tij si prokupuari për mbledhjen e armëve. Nuk ka hipokrizi më të madhe, se sa të shikosh në ekrane ministrin Saimir Tahiri, që bind hallexhinjtë diku në periferi të Shqipërisë të dorëzojnë armët , ndërkohë që banditët qarkullojnë më kallashnikovë dhe mjete në mes të Tiranës dhe në aksin më të sigurtë që duhet të ketë Shqipëria, ai Tiranë-Rinas. Po mirë a ndjejnë përgjegjsi posblloqet e policisë dhe a u bëri ndopak përshtypje fakti, që dy autoblinda me para shoqërohen apo ndiqen nga dy automjete? Sigurisht që jo, sepse ata janë klientët elektoralë. Të vjedhësh në ditën me diell, në sy të qindra njerzve dhe automjeteve është një skandal i paimagjinueshëm, dhe që do i kishin zili, jo vetëm grupet mafioze, por edhe vetë forcat speciale të policisë. Dhe kjo llogjikë të çon në arsyetimin se personat që me aq qetësi grabitën, ikën dhe askush nuk u tha plaë, të krijon përshtypjen se dikush i mbron dhe këtë, më mirë se kushdo duhet ta thotë ministri Saimir Tahiri. Fakti që ende nuk ka asnjë të dhënë, të krijon të gjithë përshtypjen, se ata mund të kenë qenë forca speciale ose badigardë specialë të strukturave të specializuara shtetërore. Po mirë, more zoti Tahiri ,duke parë edhe 4 rastet e tjera, që nga koha që ti je në krye të rendit, si nuk morët masa që të krijonit “gracka” me këto mjete dhe të kapnit banditët e makinave të blinduar? Fakti që grabitet Rinasi, grabiten bankat, grabiten edhe makinat e bankave, grabiten dhe vriten kambistët dhe ti vazhdon të qëndrosh përsëri në krye të Ministrisë së Brendshme, tregon se dikush të mbron dhe të mëson që këtij vendi përveç pasurisë do i boshatisni edhe bankat e shtetit dhe ato private. Po vrasja e Artan Santos a të ka lënë ndonji gjurmë në mendjen tënde në lidhje me postblloqet fallco të policisë që ti ke rekrutuar?. Zoti ministër! Ju që interesoheni edhe për rripat e makinave, për kutitë e ndihmës së shpejtë, për stolat e fëmijëve, për ngjyrat e motorrëve si nuk u interesuat tek sektori përkatës i licensimit të policisë private që përdor automjete kartoni? Si nuk interesoheni që makinat e transportit të parave duhet të jenë të certifikuara nga kompanitë e prodhimit dhe ato të mbanin sot përgjegjësi, nëse këto automjete do dilnin jashtë funksioni sikurse ndodhi rasti i djeshëm në aksin rrugor Tiranë – Rinas? A ndjen ndopak turp zoti ministër, që makinat e zakonshme godasin “autoblindat” e lincecuara nga ministria juaj dhe nuk pësojnë asnji dëmtim, madje edhe u larguan të sigurta pasi morën paratë e “dhuruara”?. Ku i kanë kasafortat makinat që transportojnë paratë ? Po këto kasaforta janë pajisur me bojë me ngjyrë sikurse i kanë të gjitha makinat e blinduara në botë që, nëse tentohet të hapet kasaforta me shpërthim, derdhet boja dhe paratë dalin jashtë përdorimit. Po “xhipiesi” brenda parave përse mungoi? Po të ishte “xhipiesi” brenda, fare mirë për 10 minuta do ishin kapur “banditët me uniformë”. Po alarmi ku ishte? Po kamerat pse nuk funksionuan? Ja pra të gjithë këto tregojnë dhe të çojnë në arsyetimin, se kjo nuk ishte grabitje por “dhuratë” për disa banditë të veshur me kostumin e shtetit dhe politikës. Nëse ju mendoni të kundërtën na fakto se sa kontrolle ka bërë ministria gjatë transportimeve të ndryshme të makinave të bankave dhe sa licenca ka hequr . Nuk e di pse, por do më pëlqente që ta mbyllja shënimin e zymtë të kësaj ngjarjeje me shprehjen e famshme të Kadri Roshit për Sali Portopapën tek filmi “I teti në Bronz’. Dhe kjo, jo thjesht se ekziston edhe një lidhje midis “Bronzit” dhe “ Floririt” të vjedhur dje në fugonat e lincensuar nga Ju, por më shumë për faktin se me këto bëma emri i Saimir Tahirit do të kujtohet përjetsisht si ai i Sali Portopapës. Ndaj ju e “meritoni” ta mbani atë zyrë me çdo mënyrë dhe çmim pasi me ju :
Rilindi policia, kapitulloi krimi, u zhduk korrupsioni, u mblodhën armët, u vendosën rripat në makina, u vendos kutia e ndihmës së shpejtë, nuk ka më aksidente, nuk mbillet më hashash, Europa nuk shqetësohet më nga narkotrafikantët, postblloqeve nuk u kalon më ‘miu nën hundë’, biznesmenët e huaj janë të sigurt dhe nuk i rreh më asnjë kriminel me shkop bejsbolli : por edhe po ndodhi, ju e arrestoni sa të hapësh dhe mbyllësh sytë. Por mbi të gjitha ju duhet të qëndroni, sepse jeni treguar atdhetar dhe nuk i keni lënë shansin keqdashësve të çojnë paratë jashtë shtetit, por ato të qëndrojnë në Shqipëri. Deri sa në kasafortat e Bankave të Shqipërisë të mos mbetet më asnji qindarkë, ju vazhdoni të qëndroni si Ministër i Brendshëm i Rilindjes. 
Sigal