Kur mëngjesi vjen ëmbël, ti buzëqesh,
e unë, si pikë vese njomë gishtat e tua.
E ndjen burrë i dashur, jetën si rrëshqet,
ngjyrave agimore e perëndimeve purpuruar?…
Mos numëro orët dhe minutat çdo çast!
se unë derdhem krahëve, si diell i kuq.
Gjirit dal si hëna llamburit natën e gjatë,
nën dritëzën e saj, shpirti yt përhumb…
Syri yt burrëror të ardhmen projekton,
se e tashmja buzëqeshur shkon kaluar.
T’ia vjelim kënaqësitë jetës që gurgullon,
ujvarë kristalore në shpirtin e dashuruar.
Le të rrjedhin agimet, perëndimeve rozë,
e nesërmja sjelltë, veç puthje dashurish.
Zemrën mbama ti, medaljon në kraharorë,
bashkë të thinjemi, nën qiellin e përjetësisë.