Hidrogjeni i Bulqizës që po trondit botën, e vërteta dhe hipoteza
“Ndonëse nuk është ende vend i Bashkimit Evropian, Shqipëria konsiderohet si një ndër vendet europiane, që ka avancuar më shumë në objektivat e energjisë së rinovueshme që Brukseli ka vendosur për vitin 2030. Nëse rezultatet konkretizohen dhe Shqipëria shfrytëzon këtë rezervë ka disa përfitime. Përfitimi i parë është patjetër ekonomik pasi çmimi i hidrogjenit varion nga vendi në vend nga 1,5 deri në 5 dollarë për kilogram.”

Revista e njohur “New Scientist” ka publikuar një artikull për një zbulim të jashtzakonshëm në Bulqizë, të një depozitë hidrogjeni që mendohet që të jetë më e madhja në botë. Një zbulim i tillë, konsiderohet tej mase i rëndësishëm, jo vetëm për vendin tonë, por edhe për Evropën, që ka vendosur objektiva për energjinë e pastër. Pas këtij lajmi, S… TV ka kontaktuar profesorin francez Laurent Trouche nga Universiteti i Grenoble në Francë, i cili ka vënë në dispozicion studimin e plotë të realizuar në Shqipëri, ku rezultatet janë premtuese. Studimi është kryer nga 8 profesorë, 3 prej të cilëve janë shqiptarë nga Fakulteti i Gjeologji Minierave dhe nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore. “Nga matjet e drejtpërdrejta që kemi kryer, rezulton se ka një shkallë të lartë shkarkimi në 84 % në vëllim të Hidrogjenit nga kromi i thellë nëntokësor në Bulqizë. Një minimum prej 200 ton Hidrogjen (H2) nxirret çdo vit nga galeritë e minierës, duke bërë që të jetë një nga normat më të mëdha të fluksit të H2 të regjistruara deri më sot”, -shkruhet në studim. Profesorët kanë arritur në konkluzionin se ekziston një rezervuar masiv ku është akumuluar gazi. Për herë të parë, prezenca e gazit në minierat e kromit në Bulqizë është raportuar në vitin 1992, në thellësinë 620 metra. Pas zbulimit të gazit, shkarkime masive gazi kanë ndodhur në vitet 2011, 2017 dhe 2023. Që nga viti 2017, në këtë minierë janë instaluar sensorë të hidrogjenit që kanë mundësuar matje të sakta të shkallës së daljes së hidrogjenit. Në fund të studimit, profesorët kanë dalë në konkluzionin se nxjerrja e gazit mund të zgjasë nga 25 deri në 238 vite, çka mund të thotë se sasia totale e hidrogjenit në bazë mund të jetë 5000 deri në 50 mijë ton. Hidrogjeni konsiderohet si karburanti i së ardhmes, kjo edhe si rrjedhojë e ndryshimeve klimatike, që kanë sjellë si kusht që sektori energjetik të orientohet drejt burimeve të rinovueshme. Strategjia e Bashkimit Evropian për Hidrogjenin, po e bën atë një prej shtyllave kryesore të luftës kundër ndryshimeve klimatike. Ndonëse nuk është ende vend i Bashkimit Evropian, Shqipëria konsiderohet si një ndër vendet europiane që ka avancuar më shumë në objektivat e energjisë së rinovueshme që Brukseli ka vendosur për vitin 2030. Nëse rezultatet konkretizohen dhe Shqipëria shfrytëzon këtë rezervë ka disa përfitime. Përfitimi i parë është patjetër ekonomik pasi çmimi i hidrogjenit varion nga vendi në vend nga 1,5 deri në 5 dollarë për kilogram. Por mbi të gjitha, një rezervë e tillë bën që Shqipëria të krijojë një burim tjetër energjie të rinovueshme, veç prodhimit të energjisë nga uji, era dhe dielli; duke e renditur vendin tonë në krye të vendeve që prodhojnë energji të pastër.
“Këshilli i Hidrogjenit, një konsorcium industrial, llogarit se rreth 350 projekte të mëdha janë duke u zhvilluar globalisht për prodhimin e hidrogjenit të pastër. Djegia e një kilogrami hidrogjen, siguron 2.6 herë më shumë energji se djegia e një kilogrami gaz natyror. Deri më sot nuk ka asnjë burim natyror të hidrogjenit. Nuk e dimë ende nëse një i tillë është në Bulqizë!”

Parashikohet se hidrogjeni mund të përdoret për të furnizuar trenat deri në vitin 2030
Rezervuari masiv i hidrogjenit i zbuluar nën një minierë shqiptare po bën xhiron e botës. Bulqiza nuk po lakohet vetëm si një nga minierat më të mëdha të kromit në tokë, por edhe si vendi që përmban gjithashtu një rezervuar të madh hidrogjeni, një burim potencial i energjisë së pastër. Në studimin e ri, shkencëtarët zbuluan rezervuarin falë reve të mëdha të gazit të hidrogjenit që rrjedhin nga pellgjet e ujit brenda minierës së Bulqizës. Laurent Truche, profesor i Universitetit Grenoble Alpes në Francë u shpreh se ajo që kanë vëzhguar në minierë të lë pa fjalë. “Ne kemi parë shumë burime hiper alkaline në mbarë botën. Ajo që ne kemi vëzhguar thellë në minierë është një dimension tjetër dhe shndërron një pishinë kulluese brenda një galerie miniere në një xhakuzi 30 metra katrorë që të lë pa frymë, që gufon me hidrogjen pothuajse të pastër”, tha Truche. Sipas studimit, deri në 55,000 ton hidrogjen mund të fshihen në rezervuarin nën minierë – mjaftueshëm për të mbajtur rrjedhën e lartë për 238 vjet, sipas studimit. Por hidrogjeni i Bulqizës veçohet nga ai që sot prodhohet kudo në Botë. Biznesi i sotëm i hidrogjenit është shumë ndotës. Rreth 90 milionë tonë hidrogjen prodhohen çdo vit, duke siguruar të ardhura prej mbi 150 miliardë dollarë. Pse është i rëndësishëm hidrogjeni? Përveç përdorimit për përpunimin e naftës dhe prodhimin e metanolit për përdorim në plastikë, hidrogjeni shfrytëzohet për prodhimin e pothuajse të gjithë amoniakut industrial të botës. Ky i fundit është përbërësi kryesor në plehrat kimike. Pa praninë e tij, bie prodhimi bujqësor dhe me qindra miliona njerëz do të vuanin nga uria. Problemi është se hidrogjeni nuk është si energjia elektrike e rinovueshme. Këshilli i Hidrogjenit, një konsorcium industrial, llogarit se rreth 350 projekte të mëdha janë duke u zhvilluar globalisht për prodhimin e hidrogjenit të pastër. Djegia e një kilogrami hidrogjen, siguron 2.6 herë më shumë energji se djegia e një kilogrami gaz natyror. Deri më sot nuk ka asnjë burim natyror të hidrogjenit. Nuk e dimë ende nëse një i tillë është në Bulqizë. Kur bëhet fjalë për aviacionin dhe transportin, roli i hidrogjenit është një çështje debati: British Airëays përfundoi fluturimin e parë me energji të furnizuar nga qeliza karburanti të hidrogjenit. Operatorët e trageteve në Norvegji dhe në bregun perëndimor të Amerikës, tani po eksperimentojnë me tragete që furnizohen me qeliza karburanti të hidrogjenit, për kryerjen e distancave të shkurtra. Airbus, prodhuesi europian i avionëve, po ofron mbështetjen e tij të plotë për hidrogjenin. Ai konfirmoi një plan për të furnizuar avionët duke përdorur hidrogjen, deri në vitin 2035. Parashikohet se hidrogjeni mund të përdoret për të furnizuar trenat deri në vitin 2030. Ekspertët e krahasojnë ekonominë e hidrogjenit me një volant të rëndë: “Duhet më shumë përpjekje për ta rrotulluar atë, por sapo fiton ritëm, rrotullohet pa problem”./RTSH






















