Prof. Dr. Ago Nezha: Shkencëtari me shkëlqim Faik Bajraktari

23
Sigal

Familje tradicionale patriotike

Familja si një bashkësi formuese dhe edukuese në personalitetin e njeriut, ka ndikimin e saj me profil të caktuar, sipas sistemit ekonomiko-shoqëror, traditave, zakoneve, arsimit, kulturës dhe veçorive të krahinës. Rrethi familjar dhe shoqëror i familjes së Faikut, rridhte nga një zonë që kishte të brumosur cilësi të larta morale: si besën, bujarinë, trimërinë, mikpritjen dhe atdhedashurinë. Faiku ishte i biri i Abdyl Bajraktarit, një tregtari shkodran, atdhetar dhe arsimdashës, i njohur në tërë krahinën e më gjerë. Me prejardhje nga Mehaj e Koplikut, nga një familje me rreth të madh shoqëror dhe influencë për vetë statusin si një familje bajraktarësh. Në vitin 1944 Shqipëria ishte e përfshirë në Luftën Nacional-Çlirimtare. Familja e Faikut,  merrte pjesë aktive në këtë luftë me të gjithë pjesëtarët e familjes. Në përbërjen e familjes së tij kishte dy vëllezër, Xhemalin dhe Xheladinin dhe një motër, Nexhmien. Lufta e partizanëve ndaj nazistëve gjermanë kishte marrë përmasa të papërmbajtshme dhe pushtuesit ishin acaruar e egërsuar, duke kaluar në veprime shtazarake. Ata përdorën metodat më çnjerëzore nëpërmjet terrorit, reprezaljeve, torturave, masakrave, vrasjeve, për t’i  frikësuar forcat partizane. I ati i Faikut, Abdyli, kishte një kontribut të veçantë në aksionet goditëse dhe asgjësuese të formacioneve naziste. Për shkak të aktivitetit patriotik gjithëpërfshirës dhe angazhimit aktiv politik të djemve të tij, Abdyli u arrestua në vitin 1944 dhe u dërgua në kampin e shfarosjes në Prishtinë. Ky kamp ishte mizor, nga më çnjerëzorët. Ishte shtëpia e varrezave ku mbaheshin nën tortura qindra partizanë antifashist, patriot të vendosur, që i priste porta e ferrit nazist. Trajtimi ishte shtazarak, në mënyrën e jetesës, ushqimit dhe fjetjes. Në kapanonet ku ishin izoluar të burgosurit, vallëzonin morrat, pleshtat dhe tartabiqet. Vdekja, trokiste çdo ditë te dera e kapanonit. Ishte një ferr i vërtet, që i shoqëronte çdo ditë drejt vdekjes. Kur e arrestuan dhunshëm, Abdyli s’pati kohë të mendohej se çfarë e priste. Mundi të marrë me vete një pjesë të ardhurave të kapitalit që zotëronte, të cilat me fisnikërinë dhe bujarinë e tij, i përdori për të kompromentuar xhelatët, për të blerë lirinë e disa të rinjve në mënyrë që të shpëtonin nga kampi famëkeq, ku ishin burgosur. Një gjest, tepër humanitar dhe fisnik. Egërsia shtazarake naziste, nuk ja kurseu jetën këtij kalorësi të lirisë. Fati i tij tragjik, ishte vendosur në kartelat e projektuara, për t’i zhdukur në format më barbare. Atë vit, u mor nga kampi famëkeq i Prishtinës dhe së bashku me një grup prej 28 të burgosurish, u pushkatua në qytetin e Kuksit. Jeta e tij heroike, u mbyll me aktin sublim, duke ja prerë veprimtarinë patriotike në mes. Por vepra e tij nuk u shua. Lavdia e të rënëve për lirinë e atdheut, nuk vdes kurrë. Ata kanë një meritë, që nuk e fiton dot kushdo në jetë, lavdinë e përjetshme. Gjaku i tyre i derdhur për lirinë e atdheut, është substanca materiale mbi të cilën mbiu e u rrit pema e lirisë ku jetojmë ne sot. Ndaj çdo nderim ndaj të rënëve ,është pak për të shpërblyer aktin e tyre sublim.  Pas çlirimit, heroizmi i tij u vlerësua me titullin: “Dëshmor i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Në nderim të veprës së tij, sot, sheshi dhe shkolla 9-vjeçare e Koplikut mbajnë emrin “Abdyl Bajraktari”. Në traditën e prindërve, Faiku krijoi familjen e vet duke u martuar me Aleme Mushanin, vajzën e Sadik Mushanit dhe motrën e Shefqet dhe Rasim Mushanit. Nga kjo martesë pati 3 fëmijë, Teuta (Bajraktari ), Zeneli, Sokol Bajraktari dhe Ariana Bajraktari -, Doçaj. Të tre fëmijët janë diplomuar në nivel universitar dhe kanë 7 mbesa, të cilat në traditën e gjyshit të tyre  kanë përfunduar me sukses arsimin e lartë dhe janë vendosur mirë në profesionet e tyre në pozicione të zgjedhura.

Odisea e shkollimit

Faik Bajraktari, nisi studimet e shkollës së mesme në gjimnazin françeskan (saverjan), për një vit dhe më tej përfundoi gjimnazin e Shkodrës në vitin 1941, me rezultate të shkëlqyera. Aty spikati si talent ekselent, me një formim të gjithanshëm. Shkëlqimi i tij i pazakontë, e evidentoi si një të ri me prirje të avancuara për moshën, që premtonte perspektivë të madhe, pavarësisht nga profesioni ku do studionte. Pa ndonjë preferencë apo kërkesë të tij atë vit përfitoi një bursë studimi në Universitetin e Bolonjës, në Itali. Ishte një privilegj jo vetëm për kohën, por edhe sot është avantazh të studiosh në universitetin e Bolonjës që daton krijimi i tij në sh.XI, viti 1558, universiteti i parë jo vetëm në Itali por në botë. Kërkesat për nivelin e përgatitjes, ishin maksimale. Por djaloshi shkodran kishte treguar klasë të lartë inteligjence dhe vullnet të hekurt, për të mos ja hapur rrugën kërkujt, por të radhitej i pari mes studentëve të universitetit. Përfundoi dy vite  në Universitetin e Bolonjës me rezultate të shkëlqyera, në degën e Mjekësisë së Përgjithshme. Kalvari i studimeve të tij do kalonte trauma  në situata kritike, që ishin refleksion i situatës, që po kalonte gjithë vendi, i përfshirë në luftën ndaj nazizmit dhe fashizmit. Si shumë studentë të tjerë, që ndiqnin studimet në vende të ndryshme të Europës: si në Itali, Francë, Austri, etj, edhe Faiku u detyrua të ndërpres studimet, për shkak të thirrjes që u bë nga fronti Nacional-Çlirimtar, për të gjithë studentët, që vijonin studimet jashtë shtetit, të ktheheshin në Shqipëri dhe të inkuadroheshin në formacionet partizane, në luftën kundër fashizmit dhe nazizmit. Tradita familjare, karakteri i tij i vendosur e luftarak dhe formimi i tij atdhetar, bëri që mos ta diskutoj thirrjen, por të kthehej dhe të ndiqte misionin patriotik, duke u radhitur në formacionet partizane. Angazhohet menjëherë në Grupin Komunist të Shkodrës.  Me qenë se puna që nisi me të rinjtë intelektual u kompromentua dhe u denoncua, doli partizan në radhët e batalionit “Perlat Rexhepi”, ku u caktua drejtues politik, përgjatë gjithë kohës që ishte efektivë në atë formacion luftarak. Aty pësoi një dëmtim në shtyllën kurrizore, që i la për pasojë një problem serioz, në njërën shpatull dhe njërën këmbë, defekt që e shoqëroi gjatë gjithë jetës. Është dekoruar me medalje për pjesëmarrje në luftë dhe mban statusin e veteranit të LANÇ. Çlirimi e gjeti Shqipërinë në një situatë të rëndë ekonomike e sociale dhe me një varfëri të tejskajshme në të gjitha fushat; të arsimit, kulturës dhe dijes. Historia e arsimimit të Faikut ngjan me një Dezhavy. Sa mbyllet një derë, hapet  dera tjetër dhe kështu vazhdon odisea e shkollimit. Pas çlirimit të vendit, në vitin 1946, fitoi një bursë tjetër në Universitetin e Zagrebit, në fushën e ekonomisë. S’kishte si ndodhte ndryshe. Sërish u shqua për rezultatet e shkëlqyera përgjatë gati dy viteve të studimit. Përsëri i ndërpreu studimet, por për një motiv tjetër, pasi siç dihet në vitin 1948, u prishën marrëdhëniet me Jugosllavinë. Në këto rrethana detyrohet të ndërpres studimet dhe si shumë studentë të tjerë shqiptar, të kthehet në atdhe. Por rruga e studimit, ambicia dhe ëndrra e tij për t’u arsimuar në një shkollë të lartë, nuk ishin shuar. Pas vendosjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Faiku përfiton përsëri një bursë shteti, për studime në fushën e agronomisë në Universitetin e famshëm të Agrikulturës ‘Timiryazev’, Rusi. Virtytet dhe dhuntitë që ja kishte falur natyra e nxirrnin kurdoherë në breg të suksesit. Karakteri i fortë, inteligjenca natyrore, talenti dhe egua për të qenë në krye të rreshtit, e bënte absolut, të dallohet mes të tjerëve, për rezultate të shkëlqyera. Nisi studimet për mjekësi, kaloi për ekonomi dhe përfundoi për agronomi. Ky ishte stacioni i fundit i shkollimit, që edhe këtë e përfundoi shkëlqyeshëm në degën e agronomisë në vitin 1953. Për rezultatet e tija të larta në të gjitha disiplinat, klasin e tij intelektual  dhe prirjet shkencore, e krahasonin me Vasily Vasilyevich Dokuchajev, gjeolog dhe gjeograf rus, me famë botërore, i cili vendosi themelet e shkencës së tokës. Akademiku i njohur rus Bakarjov, për nivelin e lartë shkencor dhe kompetencën e treguar në mbrojtjen e diplomës, do të shprehej se: “ me të rinj si Faik Bajraktari e ardhmja e shkencave bujqësore në Shqipëri është e sigurtë ”. Emri i tij ndodhet në memorialin pllakat, skalitur me shkronja ari, në mesin e studentëve të rrallë të rrjetit alumni të Universitetit. Faiku krahas njohjes në përsosmëri të shkencave teknike ishte dhe një poliglot, njohës i 6 gjuhëve të huaja si: anglisht, frëngjisht, italisht, latinisht, serbo-kroatisht  dhe rusisht. Një shkencëtar për ta pasur zili.

Karriera e punës një pasuri kombëtare

Pasi mbaroi studimet në Rusi, fillimisht u punësua në Ministrinë e Bujqësisë, ku shpalosi dijet e tija profesionale dhe ndihmoi në strukturimin e këtij institucioni. Nuk qëndroi gjatë në strukturat e larta shtetërore, pasi ishte i prirur për arsim dhe shkencë. Preferoi të vendoset në Institutin e Lartë Bujqësor Kamzë ( Sot Universiteti  Bujqësor). Në të njëjtën kohë nisi karrierën pedagogjike dhe atë shkencore, akademike. Fillimisht, kishte mbingarkesë si Kryetar i Këshillit Shkencor, shef i Katedrës së Agro- Pedologjisë, shef i sektorit të Studimit të Tokave dhe me tej Dekan i Parë i Fakultetit të Agronomisë, pas konvertimit të instituteve në Institucione të Arsimit të Lartë. Ishte krijues dhe drejtues i të parës Ekspeditë Shkencore të Studimit të Tokave të Shqipërisë, që prodhoi Hartën e Parë Pedologjike të Shqipërisë. Një sukses ky i veçantë, për nivelin shkencor të Shqipërisë. Është quajtur me të drejtë, “Ati” i pedologjisë Shqiptare, apo “Profesori i Madh “. Hartues i shumicës së teksteve të para mësimore akademike për studentët, në fushën e pedologjisë. Është botuesi i librit të parë pedologjik “Tokat Shqiptare dhe rrugët e përmirësimit”(1960), ku u vendosën bazat shkencore për studimin e problemeve të klasifikimit të tokave bujqësore. Në këtë botim u pasqyrua gjëndja e tokave të Shqipërisë, u hodhën themelet për studime të mëtejshme shkencore pedologjike dhe u dhanë rekomandime për rritjen e pjellorisë së tokave. Është autor i sa e sa leksioneve e praktikave mësimore të nivelit të lartë shkrencor, udhëheqës i një numri të madh të punimeve doktorale si dhe botues i një sërë punimesh të ndryshme shkencore, si dhe autor i disa monografive dhe shumë artikujve shkencor. Në bibliotekën kombëtare për fat gjënden vetëm 6 prej librave të tij: Tokat e Shqipërisë dhe rrugët për ngritjen e pjellorisë së tyre / Faik Bajraktari 1960, Pedologjia / Faik Bajraktari ; Theodhos Kalimeri 1965, Pedologjia / Faik Bajraktari ; Theodhos Kalimeri 1965, Pedologjia / Faik Bajraktari  Theodhos Kalimeri 1965, Pedologjia : tekst mësimor për fakultetet Bujqësi-Pyje / Faik Bajraktari; Theodhos Kalimeri 1962, Bujqësia e përgjithshme: tekst mësimor për shkollat e mesme bujqësore / Faik Bajraktari ; Theodhos Kalimeri  Osman Kazazi 1964. Një ndodhi që sfidoi punën e tij shkencore, por të cilën e konkludoi me sukses absolut, ishte zhvillimi i studimit në Hoxharë të Fierit, në kuadër të projektit për shkriptëzimin e tokave ranore pranë bregdetit. Një iniciativë e re, që provohej për herë të parë, dhe që e afirmoi Faikun si shkencëtar novator, që thyhen tabu të pa prekura ndonjëherë. Hoxhara në atë kohë përbëhej vetëm nga 6 familje (punonjës të hidrovorit të asaj kohe). Në “shkretëtirën” ranore të Hoxharës, larg familjes dhe nën presionin politik dhe trysnive të strukturave drejtuese, se po merret me punë donkishoteske, ( kërkon të na kthejë fushat ranore, në fusha bujqësore ), punoi me përkushtim për tre vite me rradhë dhe arriti që në parcelat eksperimentale të Hoxharës, të prodhoheshin drithra dhe foragjere jo vetëm për nevojat e vendit, por dhe për eksport. Kjo eksperiencë u shtri më vonë në gjithë Shqipërinë për të shkrypëzuar tokat ranore bregdetare dhe për t’i kthyer në toka pjellore, si në Kënetën e Durrësit, në Akrani në Vlorë etj. Disa studime me vlerë për kohën, janë ato mbi tokat e kripura, magneziale e acide, apo studimi mbi zonat e gështenjave. Nëpërmjet eksperimentimit dhe aplikimit në terren zgjidhi problemin e përmirësimit të mbi 300.000 ha të tokave me pjellori të kufizuar si toka acide, tokat e kripura, magneziale, ranore, tokat gurishtore etj. Falë dijeve teorike  multidimensionale, profesor Faiku kishte kurajo dhe iniciativë të shkelte rrugëve të pashkelura dhe të bënte revolucion në mobilimin e tokës bujqësore.

Zëri i kolegëve

Puna dhe aktiviteti arsimor dhe shkencor i profesor Faik Bajraktarit, ishte një arkiv ku mund të njiheshe, studioje dhe përfitoje eksperiencë për të transferuar bujqësinë e trashëguar ekstensive në bujqësi intensive. Opinioni i shumë kolegëve, bashkëkohësve dhe ish studentëve në vite, që kanë punuar me profesor Bajraktarin, ose kanë mësuar prej tij shkencën e tokës, shprehen me superlative duke e vlerësuar atë si njeri me virtyte të larta, me inteligjencë të shprehur, me sjellje modeste, miqësor dhe altruist i rrallë. Shkencëtar i palodhur, profesor, edukator dhe koleg, që përgatit breza të tërë punonjësish shkencor. Përkrahës i mendimeve të reja dhe mbështetës e përkrahës i shkencëtarëve të rinj. I mbante afër dhe i ndihmonte studentët dhe me humorin e tij të hollë, i trajtonte si shok. Kontributi i tij në përmirësimin, sistemimin, përfitimin dhe mobilimin e tokës bujqësore është unikal. Ai, me të drejtë është quajtur  ikrijuesi i shkencës pedologjike shqiptare. Profesor Faiku për herë të parë mori nismën shkencore, për studimin tërësor të tokës së Shqipërisë dhe të krijojë hartën pedologjike të vendit, në vitin 1955. Është hartues i të parës Hartë 1:200000 në klasifikimin e tokave (e vetmja hartë e besueshme që është përdorur për përgatitjen e hartave treguese të pasurisë dhe që e tillë përdoret dhe sot). Në fillim, kjo nismë u quajt aventurë nga strukturat shtetërore. Në kohë rekord dhe me korrektësi shkencore të paparë, harta pedologjike u var në murin e çdo institucioni shkencor dhe administrativ shqiptar. Harta nuk ishte thjeshtë një punim hartografik, që varej në mur. Në funksion të hartës ishin 20 laboratorë të terrenit, që lidheshin dhe ishin në varësi të katedrës Bajraktari dhe më vonë në funksion të Institutit Shkencor të Tokës. Toka pasurohet dhe varfërohet. Dinamika e këtij ndryshimi ndiqet metodikisht nga laboratorët. Bëhet fjalë për skanerin e tokës bujqësore.” Krahas krimeve dhe shkatërrimeve që ndodhën në vitet e ashtuquajtura demokraci, ishte dhe mbyllja e instituteve kërkimore shkencore. Një ndër më kryesorët, ishte Institutim i Tokave, që kishte një arkiv të pasur jo vetëm me dokumenta, por me laboratore dhe harta për gjithë territorin shqiptar. Kontributi i profesor Faik Bajraktarit për intensifikimin e bujqësisë në parametra europian dhe bashkëkohor, është i madh dhe për këtë krijimtari është vlerësuar dy herë me titullin e lartë Laureat i Çmimit të Republikës. Faiku shquhesh për një etikë e lartë njerëzore, profesionale dhe akademike. Karakteri i fortë, vullneti, vendosmëria, përkushtimi, urtësia, talenti, krijimtaria, kurajua, iniciativa, qasja ndaj të panjohurës dhe gjenialiteti kulturor, janë disa nga vlerat e tija që shprehen në nivele të larta performuese shkencore dhe akademike. Këto cilësi ishin shtysa që e bënë atë të punojë me aq kujdes dhe patriotizëm, që të përçonte idetë dhe dijet e tij shkencore, jo vetëm tek njerëzit me të cilët ndërvepronte, por për të çelur perspektivë dhe për të hapur horizonte për përparimin e bujqësisë për brezat e ardhshëm, në shkallë kombëtare.