Kthehu tek unë, po s’je i lumtur,
nëse ditët i ke veshur me vetmi,
nëse katër muret e asaj shtëpie
nuk të bëjnë të lumtur kurrsesi.
Jashtë stuhitë çajnë qiellin dhe
rrufetë janë të vetmet neone që
ndriçojnë në rrugë; pikat e shiut
përplasen në çati e trokitjet në
derë imitojnë. Kthehu tek unë!
Rrëketë e shiut do t’i grumbulloj
në duar si pellgje të vegjël plot
me ujë, rrufetë do t’i shndërroj
në llamba, rrugën ta ndriçojnë
sonte kur ti të kthehesh tek unë.