Ja erdha prap tek kjo shtëpi
ku unë jetova fëmininë,
degët e fikut mbi avlli
krahët me mall drejt meje shtrijnë.
Ja vatra ku u rrita unë
dhe ëndërrova gjithësinë.
Pas malesh deti valw e shkumw
ende buçet në veshin tim.
E shuante kandilin nëna
dhe nëpër dhëmbë pëshpëriste.
”Kul have allahu ehad, Allah!”
Zotit i fliste në arabishte.
Ne shihnim yjet nga dritarja,
shkëlqenin si qershi të kuqe.
Gjumi na zinte në mendime
për botën që përhumbte tutje.
* * *
Eh! Vite mbushur me uri,
me errësirë, paragjykime.
Nuk ndjej për ty më nostalgji.
malli më merr për strehën time.
Si ikën vitet? Unë u rrita.
dhe ja, u ktheva si poet,
dhe ti me dhimbsuri më prite
si atëherë, në ato vjet.
-Si je mor bir!- më the ngadalë,
(Të pashë si t’u përlotën sytë)
E di që malli të kish marrë,
për strehëzën ku ti ke lindë.
Pa hë…Si shkon atij qyteti?
Ta kemi ndjerë zërin shpesh.
në radjo dhe nëpër gazeta,
ke nisur vjesha të kërresh.
Se doemos, je djali ynë
rritur me hime te kjo vatër
dhe të takon të shkruash mirë,
për vitet që pak këngë patën.
Për gratë që niseshin me yje
dhe shtegtonin nëpër male
të mblidhnin lakra në Gjishtire,
sopatën lidhur në litare.
Të shkruash doemos edhe
për djemtë e xhare Fatimesë.
Ishin dy yje që s’ju kthyen.
Kthehen në këngë në çdo festë.
Ja erdha prap te kjo shtëpi
ku unë jetova fëmininë…
Më shohin trarët me çudi…
i shoh dhe bie në mendime.