Jemi me fat i dashur,
me fat që nuk lindëm në Siri,
atë e rrafshuan…
E as në Iran,
e ndaluar është dashuria në atë vend,
si do të takoja unë ty atje?
As në Moskë a Ukrainë,
të bombarduara janë atje mëngjeset,
koha më e bukur për të bërë dashuri…
Ne, ne lindëm në një vend të vogël,
që po zbrazet e mbushet
me të tjerë, të përzënë, si ne…
Ah, ç’mendime të hidhura!
Pushtomë i dashur,
më mirë t’i harrojmë të gjitha…
Kur flasin pasqyrat
Artin e gënjeshtrës perfeksionojmë çdo ditë,
sa harrojmë, mashtrojmë edhe veten.
Imazhin e trukuar në pasqyrë që s’ka gojë,
në fytyrë të na e përplasë të vërtetën…
Derisa vjen një moment i brishtë,
kur ti hesht dhe flasin të gjitha pasqyrat:
Madje dhe ato të pellgjeve dhe besomëni,
pas shirave, asgjë të bukur s’thonë…
Shqipëria çështë e çdo të bëhet
Në mes të sheshit keni mbetur vetëm,
mbi pllajën e betontë dhe smog.
Monument për turistët, shkrepje aparatesh,
azilantët që kërkojnë një qoshe vend…
Një heshtje-mort mbërthen grykët e pushkëve,
për gjëmën, kujt t’i shprazen sot?
Me miq-armiq mbushur plot zyra e bare,
dhe një popull që udhët merr me lot…
E helmët kafeja, vrerë…
Një vrerë që ende kundërmon!
“Shqipëria ç’është e çdo të bëhet”,
një helm, që helmit ia kalon…
Fëmijëri të ndrydhura
Eci zbathur, maj’ gishtave
mbi udhët e ballit tënd,
të gjej fëmijërinë tënde.
Përpara se ta burrëronin para kohe,
turmat e dëshpëruara,
plumbat pa emër,
trupat që kthente pas deti i ngopur…
Fusha e rrugë të pluhrosura
Më përshëndesin dhe sytë e tu,
të njejtë si tani…
Askush s’e di pse ecja maj’ gishtave!
Afroje veshin i dashur,
fëmija im i ndrydhur brenda vetes,
fëmijës tënd t’ia thotë tani…






















