Qeveria shqiptare do marrë 4 miliardë euro borxhe vetëm për vitin 2023

524
Sigal

Borxhi i ri do të merret nëpërmjet huamarrjes, bonove dhe oblikacioneve, ku në “skenë”  do të dalë edhe Eurobond i ri. Çdo shqiptar dhe fëmijë që lind do paguajë 4200 euro borxhe që janë marrë nga  agallarët e politikës për tenderat, PPP dhe jetën e luksit të tyre.

Që në fund të dhjetorit 2022 ekspertët kishin  paralajmëruar se qeveria do të marrë një borxh të ri për vitin e ardhshëm 2023, i cili do të arrijë në afro 4 miliardë euro. Në dokumentin e publikuar po nga ministria e Financave, mbi planin e huamarrjes për vitin 2023, theksohet se përgjatë këtij viti pritet të sigurohet financimi në tregun e brendshëm përmes emetimit të instrumenteve si bono thesari 3 deri në 12 mujore dhe obligacione 2 deri në 15 vjeçare. Sipas dokumentit, totali i emetimeve në tregun e brendshëm pritet të jetë rreth 380.5 mld lekë apo 3.3 miliardë euro gjatë vitit 2023. Instrumenti me emetime më të shpeshta dhe me shumë më të lartë pritet të jetë bono e thesarit 12-mujore.  Ndërkohë që në tregun e jashtëm parashikohet emetimi i një eurobondi të ri me vlerë 500 milionë euro, duke e çuar shumën totale të huamarrjes në afro 4 miliardë euro.

Faktikisht qeveria më 16 qershor  deklaroi se Shqipëria ka marrë 600 milionë euro borxh në tregun ndërkombëtar. Interesi sipas të dhënave nga Bursa e Londrës është 5.9% nga viti në vit, ndërsa në afatgjatë arrin në 6.1%. Ekzekutivi ka marrë 100 milionë euro më shumë borxh se plani fillestar, ndërsa interesi është 60% më i lartë se interesi nga eurobondi i fundit emetuar nga qeveria. Madje qeveria u justifikua me marrjen e 100 mln euro më shumë me faktin se ka rënë kursi i euros dhe detyrimisht po marrim borxh më të madh. Padyshim që kjo është marrëzi, sepse vetëm në Shqipëri mund të mburresh me marrjen e borxheve, ndërkohë që mungojnë investimet, ekonomia është në agoni, bujqësia po kapitullon dhe sikur të mos mjaftojë kjo qytetarët po ikin, duke bërë që barra e borxhit që do paguajnë qytetarët të jetë edhe më e madhe. Eurobondi ka afat 5-vjeçar dhe data e fundit e shlyerjes është 9 qershori i vitit 2028. Qeveria ka përshkuar se me marrjen e këtij borxhi një pjesë do të shkojë për të larë borxhin e mbetur, ndërsa pjesa tjetër shkon për mbulimin e deficitit buxhetor. Në total, kjo është dalja e 6-të në tregjet ndërkombëtare nëpërmjet këtij mekanizmi.

Sipas ekspertëve dalja për borxh tregtar e qeverisë në këto momente sjell rreziqe dhe mundësi të reja. “Në fakt do të kisha dy objeksione në këtë rast. Momenti që dilet në tregjet e huaja duhet të ishte më i studiuar për të parë tregjet e brendshme, kështu do të kishim ekspozim më të vogël të rrisqeve. Gjithë logjika është duke marrë kaq shumë borxhe, natyrisht që vendi futet në një qasje, që nuk është pozitive në programet për të ardhmen”. Vetëm dy eurobondet e para, ai i vitit 2010 dhe ai i vitit 2015 janë shlyer deri më tani, ndërsa tre të kaluarit, së bashku me borxhin e ri janë borxh ende i pashlyer. Eurobondi i vitit 2021, me një afat 10-vjeçar është ai më jetëgjatë, dhe mbaron i fundit, në vitin 2031. Në këtë sens pa eurobondin e fundit bëhen në total 2.55 milaridë lekë të marra borxh, ndërsa 70% e tyre vijojnë të jenë ende aktivë.

Duke nisur nga viti 2023, risi përbën fakti se përmes një agjencie të jashtme, Ministria e Financave dhe Ekonomisë do të mundësojë pajisjen e titujve të emetuar me kodin ISIN të njohur ndërkombëtarisht. Ky hap pritet të lehtësojë tregtimin e titujve. Sipas Buxhetit 2023, deficiti buxhetor përllogaritet në rreth 55.5 mld lekë, në konsolidim nga viti 2022 kur përllogaritej në 83.9 mld lekë, kryesisht si rezultat i rritjes së të ardhurave. Huamarrja e brendshme pritet të financojë rreth 45% të deficitit. Ndërkohë lidhur me borxhin ekzistues, që maturohet në vitin 2023 Financat nënvizojnë se gjatë vitit 2023, pritet të maturohen në total rreth 339 mld lekë, prej të cilave 235 mld lekë bono thesari dhe 104 mld lekë obligacione. Me këtë shifër borxhi, çdo fëmijë që lind do marrë shpërblim nga qeveria 50 euro, por ka edhe një faturë borxhi të qeverisë që arrinë në 4200 euro për fëmijë. Po kaq borxhe ka edhe çdo qytetar që është në Shqipëri apo edhe ata që janë jashtë dhe kthehen në atdheun e tyre. Arsyeja dhe shkaku është borxhi që marin agallarët e qeverisë për të paguar PPP, tenderat dhe jetën e tyre të luksit.